E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morgu: Janë 21 viktima,ne identifikuam 17 trupa

• Viktimat e identifikuara nga tragjedia e Gërdecit janë 21 persona dhe jo 24 sa janë njoftuar më parë.

zirina llambro

Prej tyre 17 janë dërguar në morgun e Tiranës dhe 4 të tjerë kanë humbur jetën këto ditë jashtë vendit. Kanë qenë provat e ADN-së të pjesëve kockore, të cilat kanë saktësuar se mbetjet trupore të analizuara nuk kanë qenë të dy trupave të cilat janë identifikuar më parë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Ato i përkasin trupave të Shefki Canit dhe Arben Hases. Drejtori i këtij instituti, Besim Ymaj, në një intervistë për gazetën "Panorama", ka pohuar se paraprakisht mbetjet trupore ishin regjistruar si të viktimave ende të paidentifikuara.
Zoti Ymaj, bilanci i viktimave të tragjedisë ka krijuar konfuzion ditët e fundit. Mund të na thoni sa është saktësisht numri i të identifikuarve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore?
Ne kemi identifikuar 17 viktima deri tani. Konfuzioni është krijuar pasi bashkë me trupat në vendngjarje janë gjetur edhe mbetje të trupave, të cilat ne i kemi regjistruar si viktima të veçanta deri në momentin e kryerjes së analizave biologjike në to. Por pas analizave të ADN-së në këto mbetje ka rezultuar se ato nuk i përkasin trupave të rinj, por atyre të identifikuar më parë. Pikërisht kjo është arsyeja që në media është interpretuar sikur janë 24 viktima në total, bashkë me personat që kanë humbur jetën jashtë vendit. Për këta të fundit janë vetë familjarët që nëse kanë dëshirë mund të kërkojnë kryerjen e ekspertizës mjekoligjore.
A keni aktualisht mbetje apo trupa të paidentifikuar në morgun e institutit?
Jo, nuk ka asnjë trup apo mbetje të paidentifikuara nga specialistët tanë. Brenda këtyre ditëve është bërë identifikimi i çdo trupi apo pjese indesh që është sjellë për t'u analizuar tek ne. Bëhet fjalë edhe për trupat e karbonizuar, për të cilët u desh pak më shumë kohë t'i identifikonim, pasi ishin të domosdoshme analizat e ADN-së.
Analizat e ADN-së janë bërë brenda vendit. Po për trupat e tjerë  si është vepruar?
Ne kemi bërë analizat e ADN-së për 4 trupa që janë të karbonizuar. Janë bërë brenda vendit në laboratorin e gjenetikës, ku është instaluar edhe pajisja. Sa i përket viktimave të tjera, kanë qenë të afërmit që kanë ndihmuar, ose nga dhëmbët dhe analizat e tjera biologjike. Është një staf prej 7 mjekësh, 2 biologësh dhe një dentist që kanë qenë në gatishmëri të plotë për të nxjerrë sa më shpejt identikitin e viktimave. Ka qenë punë e vështirë, pasi numri i viktimave brenda një harku kohor prej 1 jave ka qenë goxha i lartë.
Keni pasur nevojë për pajisje që instituti nuk i disponon, të cilat mund t'ju vinin në ndihmë për të kryer sa më shpejt identifikimin?
Ne kemi bazën materiale të nevojshme. Gjithsesi ne presim që të instalohet në institutin tonë pajisja që mundëson kryerjen e analizave të ADN-së, e cila besoj do të vijë brenda këtij viti. Do të na ndihmonte shumë, pasi shpesh kjo lloj analize është e domosdoshme në identifikimin e viktimave.

lista e viktimave

Të humbur

    Zilie Leti, 19 vjeçe
    Shqipe Alhasa

Viktima të identifikuara

    Jetmir Ballazhi
    Rajmonda Durda
    Vladimir Azizi
    Muhamet Hoxha
    Besim Çanga
    Hysen Cani
    Jetmir Deliu
    Roland Alla
    Liliana Deliu
    Flavio Deliu
    Reshit Kruja
    Azem Meliu ndërroi jetë në spital, Itali
    Ilirian Malçi
    Zilie Kaca
    Endri Dvorani
    Arben Hasa
    Muhamet Azizi
    Bukurie Cani
    Nafie Laci ndërroi jetë në spital, Itali
    Kore Deliu ndërroi jetë në spital, Itali
    Zylfi Ahmeti, ndërroi jetë në spital, Itali

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›