E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Erdogan: Vota jonë pro Shqipërisë

• Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan konfirmon nga Tirana mbështetjen e vendit të tij për Shqipërinë për të marrë ftesën në NATO pas shtatë ditësh në Bukuresht.

ADI SHKEMBI

Në të dytën vizitë që nga viti 2005 në Shqipëri, kreu i qeverisë turke zhvilloi takime me krerët më të lartë të vendit, Kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit, Topalli, kreun e shtetit Topi, liderin e PS-së, Edi Rama dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha, kreu i qeverisë turke u shpreh lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO se "Dëshiroj të ritheksoj edhe një herë vendosmërinë e Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në prill të këtij viti, ne do të mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, krahas anëtarësimit të Kroacisë dhe Maqedonisë". Gjithashtu Erdogan u shpreh dakord për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve dhe mbrojti vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp se Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë për një vend si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të kombeve të Bashkuara si dhe anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian. "Shqipëria mbështet kandidaturën e Turqisë në Këshillin e Sigurimit. Eshtë bindja ime se finaliteti territorial i Bashkimit Evropian nuk do të mund të plotësohet pa integrimin e Turqisë në BE", theksoi Berisha. Në takimin mes dy delegacioneve, pas bisedës kokë më kokë mes kryeministrave u vlerësua bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.
Historia
Por pjesë e axhendës së Kryeministrit të Turqisë në vendin tonë ka qenë edhe firmosja e një marrëveshjeje, e cila i hap rrugën rishikimit të historisë së shekullit të XV-të dhe atlaseve e teksteve gjeografike të dy vendeve. Ministri i Arsimit Genc Pollo dhe ministrja e Shtetit e Turqisë, Nimet Çubukçu, nënshkruan marrëveshjen "Program në kuadër të bashkëpunimit në fushat e arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, rinisë dhe sporteve, masmedias dhe kontakteve midis njerëzve". Në pjesën e arsimit të kësaj marrëveshje thuhet se "pala turke ka shprehur pakënaqësi lidhur me trajtimin që i bëhet historisë në tekstet tona shkollore, veçanërisht periudhës së shekullit XV. Ajo ka kërkuar të zhvillohen konsulta të përbashkëta midis specialistëve për trajtimin e kësaj çështje. MASH është treguar e gatshme që grupet e specialistëve të takohen në çdo kohë, në Tiranë ose në Ankara". Gjithashtu pas ratifikimit të kësaj marrëveshje me parlamentet respektive, dy vendet kanë detyrim shkëmbimin e atlaseve dhe teksteve gjeografike që përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm të secilit vend me qëllim korrigjimin e pasaktësive në to.

Makina private, incident me eskortën e Erdogan

TIRANE - Një makinë e parkuar përballë Kryeministrisë dhe përpara hyrjes së Kuvendit të Shqipërisë në bulevardin kryesor të Tiranës është bërë dje objekt dyshimesh për grupin e sigurisë që shoqëronte në eskortë Kryeministrin turk Erdogan. Automjeti me targa private, tip "Wolksvagen Passat" ishte parkuar pikërisht në vendin ku duhej të ndalonin makinat e eskortës që shoqëronin kryeministrin turk. Policia ka ndaluar autokolonën për disa minuta duke kërkuar pronarin e makinës së parkuar në Bulevard me qëllimin për t'i kërkuar atij të largonte automjetin. Mirëpo derisa drejtuesi i makinës private nuk është gjetur, policia dhe efektivat e Gardës janë detyruar të ndalojnë më tutje makinat që shoqëronin Kryeministrin turk. Para zbritjes së Erdogan policia fillimisht mendoi të largonte makinën e dyshimtë me karrotrec nga vendi ku ishte parkuar, por siç duket edhe ky veprim ishte i pamundur ndaj efektivat e sigurisë kryen një kontroll me detektor në makinën e parkuar në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë. Vetëm pasi janë siguruar se në makinë nuk kishte ndonjë objekt të dyshimtë, forcat e policisë kanë autorizuar zbritjen e kreut të qeverisë turke i cili shoqërohej nën masa të forta sigurie gjatë lëvizjeve të tij sipas protokollit të vizitës në Tiranë.

Shqipëria mund të përfitojë nga projekti i gazsjellësit transballkanik
Vetëm dy hapa larg njëri-tjetrit dy kryeministrat Berisha dhe Erdogan kanë preferuar të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes telefonave celularë duke zgjedhur shërbimin e ofruar nga operatori më i ri celular "Eagle Mobile". Kryeministri turk Recep Tayp Erdogan ka dhënë lajmin e mirë se Shqipëria mund të përfitojë gaz natyror nëpërmjet projektit gjigand të gazsjellësit transballkanik. "Eshtë ende i vlefshëm premtimi ynë për gazsjellësin që kalon nga Turqia në Greqi e Itali që të krijohet mundësia e një degëzimi drejt Shqipërisë, unë jam i vendosur që t'ia përsëris edhe një herë si urdhër institucioneve përkatëse turke që merren me këtë fushë", ka thënë ai. Gjatë takimit të këshillit të biznesit turko-shqiptar, Kryeministri Berisha e vuri theksin në potencialet e mëdha për investime, që ofron Shqipëria veçanërisht në turizëm, miniera dhe burime hidrike. Gjithashtu Berisha njohu përfaqësuesit e biznesit turk, se me anë të nismës "Shqipëria 1 euro", ata mund të lidhin kontrata për shfrytëzimin e tokës për qëllime turistike industriale apo bujqësore. "Ne kemi thjeshtuar shumë burokracinë ndaj biznesit, nga një vend me 42 ditë kohë regjistrimi sot regjistrimi bëhet me one-stop-shop dhe prokurimet e dikurshme po zëvendësohen me prokurimin elektronik. Këtë vit nisi puna për të finalizuar sa më shpejt one-stop-shop për licencat dhe lejet", deklaroi Kryeministri Berisha. I pranishëm në aktivitetin e djeshëm ishte edhe kreu i Dhomës së tregtisë Gjok Uldedaj. Sipas tij volumi i tregtisë midis dy vendeve është rritur 19.4 për qind në 2006 në krahasim me vitin 2005. Ndërsa që nga janari i vitit 2007 rritja është 3 herë më e madhe ose 62 për qind. "Nga tri vende kryesore partnere të Shqipërisë, Turqia zë vendin e parë për përqindjen e rritjes në treg me 21.86%", ka thënë ai. Tashmë numërohen mbi 40 firma të mëdha turke që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar dhe investues në Shqipëri.

Marrëveshja

• Shkëmbim informacioni në lidhje me programet arsimore dhe sistemet arsimore të të dy vendeve;
• Shkëmbim delegacionesh për të studiuar sistemet arsimore të secilit vend;
• Shkëmbim atlasesh dhe tekstesh të gjeografisë që përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm të secilit vend, me qëllim korrigjimin e pasaktësive në to, duke iu referuar orientimeve të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës dhe praktikës së vendosur ndërkombëtare;
• Mbështetjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet universiteteve dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë si dhe ndërmjet institucioneve të përfshirë në kërkimet shkencore dhe teknologjinë në vendet e tyre përkatëse;
• Mbështetjen e përpjekjeve të përbashkëta brenda Programeve të Kërkimit dhe Zhvillimit Teknologjik të BE-së, veçanërisht në pajtim me FP7;
• Dhënien e bursave për studime të plota universitare, për studime pasuniversitare dhe për ndjekjen e kurseve verore të gjuhës dhe kulturës së secilit vend;
• Shkëmbimin e informacionit për të ndihmuar në përcaktimin e ekuivalencës së diplomave dhe për të nxitur dhe lehtësuar njohjen reciproke të diplomave, gradave dhe titujve akademikë të dhëna nga institucionet arsimore përkatëse të të dy vendeve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›