E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen të humburit, familjarët

• Velie Leti dhe Shqipe Alhasa janë dy prej punëtoreve të fabrikës së vdekjes, të cilat nuk janë gjetur ende.

Familjarët nuk kanë shpresë t'i shohin më gjallë, por kërkojnë që të paktën eshtrat e tyre të gjenden e të kenë një varr ku t'i qajnë. Për 19-vjeçaren Leti denoncimi nga të afërmit është bërë vetëm gjatë ditës së djeshme. Ajo punonte në fabrikën e municioneve në Gërdec, konkretisht në punishten e çmontimit. Megjithëse operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati për ditë me radhë, trupat e tyre nuk mundën të gjendeshin. Ndërkaq në rrezik për jetën janë edhe 19 personat që po trajtohen jashtë vendit, në spitalet e Greqisë, Italisë dhe Zvicrës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ata kanë plagë të rënda në më shumë se 50% të sipërfaqes së trupit dhe duhen ende dy javë kohë për të folur me siguri nëse do të mbijetojnë apo jo. Me risk paraqitet jeta edhe e 6-vjeçarit  Erison Durda, i cili është djegur nga shpërthimi i predhave në më shumë se 60% të sipërfaqes së trupit. Gjendja e tij vijon të mbetet e pandryshuar dhe në rrezik të lartë për jetën. Ndërkaq në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" po përmirësohen të shtruarit në pavijon. Vijojnë ende të mbeten në kontrollin e bluzave të bardha 13 persona. Në reanimacionin e shërbimit të djegie plastikës trajtohen intensivisht 7 të lënduar të tjerë. Sipas mjekëve ata janë tashmë jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›