E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, shkarkohen 3 punonjës të policisë tatimore

Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve ka shkarkuar nga detyra tre punonjës të Policisë Tatimore pasi sipas këtij institucioni janë konstatuar shkelje në një sërë detyrash. Shkarkimet nga ana e këtij institucioni janë marrë pas ngjarjes së Gërdecit, ku një pjesë e përgjegjësisë binte edhe mbi strukturat e tatimeve të cilat nuk kishin bërë asnjë kontroll në këtë fabrikë për sa i përket detyrimeve tatimore dhe numrit të punonjësve të regjistruar për efekt të tatimeve dhe sigurimeve.Për këto shkaqe janë shkarkuar nga detyra përgjegjësi i Sektorit të Policisë Tatimore Tiranë,Dan Xhepexhia, përgjegjësi i Zyrës Rajonale Klodian Beqollari, ish- oficer i Policisë Tatimore në zonë, oficeri i Policise Tatimore Muhamet Curra, i ngarkuar me detyrën e kordinatorit të sektorit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se ka ndërprerë menjëherë kontratën e punës me këta persona.

***

Sipas të dhënave të tatimeve, kompania e tragjedisë "Alb-Demil" ka patur të regjistruar në Sigurimet Shoqërore dhe Tatimet Tiranë vetëm 2 punëtorë, në muajin Janar. Edhe këta punëtorë rezultojnë që të jenë administratori i Fabrikës së Armëve "Alb-Demil", Mihal Delijorgji dhe drejtori i kësaj fabrike, Dritan Minxolli. Ndërsa gjatë vitit 2007, kur kjo firmë ka qenë prezente me aktivitetin e saj, në këtë fabrikë numri i punonjësve të regjistruar në Sigurime Shoqërore dhe Tatime ka variuar maksimumi deri në 31 persona në muajin korrik, ndërsa në muajin maj ka qenë i regjistruar vetëm 1 punëtor. Sipas listave të bëra publike nga ana e vetë Firmës "Alb-Demil" vetëm në ditën e tragjedisë kanë qenë në punë 121 punonjës, ndërsa të regjistruar në organet tatimore kanë qenë vetëm 2 punonjës, që nuk përfshihen në listën e atyre që kanë qenë prezent në momentin e tragjedisë. Fabrika "Alb-Demil" merrej me demolimin e armëve dhe gjatë muajit të fundit ishte duke çmontuar një sasi të madhe predhash topi të kalibrit të madh. Sipas vetë punëtorëve që kanë qenë të punësuar në këtë fabrikë, ata nuk ishin të siguruar dhe kushtet në të cilat kryhej demolimi ishin tërësisht jashtë standardeve të sigurisë që kërkonte ky proces.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›