Ngjela:Gërdeci, një bombë e qeverisë Berisha
Deputeti thotë se Kryeministri nuk do t'i fitojë kurrë më zgjedhjet dhe nëse nuk bie në burg, do të jetë në opozitë
Berisha dhe e djathta
Të gjithë kuptuan se ai është një punist që gjatë gjithë kohës se vet politike ka dashur të diskreditojë të djathtën. Ai thirri pranë vetes agjentë të Sigurimit, njerëz pa asnjë vlerë dhe me mllefe, e të dominuar nga anti-intelektualizmi i tyre. Berisha s'ka punuar asnjëherë për shoqërinë shqiptare, dhe këtë tani e di çdo i djathtë. Berisha s'ka më asnjë shpresë për të drejtuar djathtas; prandaj, nëse nuk bie në burg, ai patjetër që do të shkojë sërish te partia e tij.
Gërdeci
Tani Mediu është i rrethuar administrativisht dhe po tentohet të trajtohet si ishull. Por është e pamundur që të mbetet i tillë, sepse Berisha është treguar edhe më fëmijë: ai ka futur në këtë valle gjithë fisin, prandaj Mediu nuk do të mbetet vetë. Në fakt, kjo është arsyeja e provave, sepse, siç po tregojnë ditët pas shpërthimit të Gërdecit, të gjithë Berishajt kanë punuar sikur të ishin në shtëpinë apo në mbretërinë e tyre. Megjithatë, koha do t'i ndihë shqiptarët që këtë herë të ndahen përfundimisht me të keqen.
Berisha dhe zgjedhjet
A ka mundësi Berisha të fitojë më zgjedhje në Shqipëri? Kurrë më, është përgjigja, atëherë përse do ta mbajë më e djathta? Këtë gjë tani e di dhe ai, por Berisha nuk punon më për zgjedhjet e ardhshme, ai punon për të siguruar kapitalin që ka krijuar me anë të pushtetit abuziv, dhe këtë ka dashur të bëjë me socialistët. Gërdeci ka shkallmuar gjithçka, prandaj ai nuk ruan dot as pushtetin dhe asnjë lloj të ardhure që ka rrjedhur prej tij.
Spartak Ngjela akuzon direkt qeverinë e kryeministrit Berisha si përgjegjëse për ngjarjen e ndodhur në Gërdec, si pasojë e shpërthimeve të depove me municione. Ish-deputeti i PD-së thotë se në këtë krim të rëndë ka marrë pjesë jo vetëm Kryeministri, por e gjithë familja e tij. "Shikojini provat: një baxhanak i vrarë; djali që drejton trafikun, dhe Kryeministri që me histeri ndërron ligjet. Por, ra brenda dhe çështja do të shkojë shumë thellë",- thotë Ngjela në një intervistë dhënë për revistën MAPO, sipas të cilit, duhet pritur hetimi për të parë se sa thellë ka hyrë Kryeministri në këtë aferë makabre. Për avokat Ngjelën, deri tani dihet se Berisha është strumbullari, përgjegjësi kryesor për vrasjen e Gërdecit, por nuk dihet nëse është edhe i përfshirë në ndonjë krim ndërkombëtar.
Zoti Ngjela, ngjarja e Gërdecit ka zënë gjithë debatin politik të dhjetë ditëve të fundit. Në një distancë kohore prej asaj që ndodhi, si e shihni sot procesin e gjetjes dhe identifikimit të përgjegjësive politike, institucionale e ligjore rreth asaj që ndodhi?
Ngjarja e rëndë e Gërdecit, dhe për shumë vjet, do të jetë një nga ndodhitë më të rënda që i kanë ndodhur jetës shoqërore në Shqipëri. Shqiptarët i kishin provuar të gjitha, me përjashtim të një katastrofe të tillë. Them katastrofë sepse Gërdeci ishte një shpërthim i madh eksplozivi që barabitet me një armë të shkatërrimit në masë, por për çudinë e madhe, këtë bombë prej megatonesh, shqiptarëve ua hodhi qeveria e vet. Është e rëndë për një popull që është bombarduar nga Kryeministri i vet dhe nga ministri i Mbrojtjes. E rëndë! Dhe provat mendoj se do të jenë edhe më të rënda. Megjithatë, Gërdeci u tregoi shqiptarëve se, sa janë të pambrojtur, janë gjithashtu edhe më të mërzitur me vendin e tyre. Ka që nga viti 1944 që shqiptarët përjetojnë gjendjen e pashpresë në vendin e tyre, dhe ky është një nga momentet psikologjike më të rënda për një shoqëri. Shqiptarët kanë ikur të trembur nga vendi i tyre, dhe këtë frikë e pakënaqësi bashkë ua kanë krijuar qeveritarë që i kanë drejtuar. Që të gjitha: me krime për dyzet vjet, me frikë për dyzet vjet, me një histeri, vjedhje dhe patologji urrejtjeje që kanë treguar qeveritarët e viteve '90-të dhe këto të shekullit të ri, e sidomos kjo e sotmja. Qeveria aktuale, jo vetëm që i vodhi, i grabiti shqiptarët, por me paciptësi të paparë, edhe i vrau. E pra, me çfarë institucionesh të flasësh, kur në një krim të rëndë kundër jetës së një komuniteti, ka marrë pjesë jo vetëm Kryeministri, por e gjithë familja e tij. Përpos rastit të Sadamit me djemtë e tij, nuk ma ha mendja se ka një rast tjetër në historinë moderne. Shikojini provat: një baxhanak i vrarë; djali që drejton trafikun, dhe kryeministri që me histeri ndërron ligjet. Por, ra brenda dhe çështja do të shkojë shumë thellë. Keni për ta parë: sepse thuhet se ka telefonata, prova të tjera, madje edhe kërcënime të Kryeministrit; që kur të dalin, do të rrëqethet e gjithë shoqëria. Dhe ju flisni për institucione! Cilat institucione? A nuk ju kam paralajmëruar që keni përballë një uzurpator që kërkon të dhunojë shoqërinë? Dhe ja ku gjithçka është e vërtetuar tani. Pyetja që ngrihet, ndërkaq, është kjo: Çfarë do të sjellë në shoqërinë shqiptare kjo ngjarje e rëndë?
Ka një tentativë të dukshme të kreut të qeverisë, për ta spostuar përgjegjësinë drejt ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ndihmësve të tij, apo edhe drejt strukturave apo shërbimeve. Si e konsideroni ju këtë fakt?
Po ta shohësh me një logjikë profesionale: nuk ka dyshim që njeriu më i ngarkuar do të jetë ministri i Mbrojtjes. Kjo, sepse gjithmonë ka një sens administrativ të trajtimit të përgjegjësisë, dhe Berisha e ka si zakon primitiv që urdhëron vetëm me gojë. Kurse Mediu nuk ka pasur kapacitet për të kuptuar se çfarë po bënte. Nuk ka aftësi për të kuptuar se çdo të thotë trafik apo tregti armësh; prandaj në fakt ka shërbyer, dhe padyshim që ka fituar diçka. Tani Mediu është i rrethuar administrativisht dhe po tentohet të trajtohet si ishull. Por është e pamundur që të mbetet i tillë, sepse Berisha është treguar edhe më fëmijë: ai ka futur në këtë valle gjithë fisin, prandaj Mediu nuk do të mbetet vetë. Në fakt, kjo është arsyeja e provave, sepse, siç po tregojnë ditët pas shpërthimit të Gërdecit, të gjithë Berishajt kanë punuar sikur të ishin në shtëpinë apo në mbretërinë e tyre. Megjithatë, koha do t'i ndihë shqiptarët që këtë herë të ndahen përfundimisht me të keqen.
Mazhoranca ngulmon mbi faktin që përgjegjësitë ligjore rreth ngjarjes duhet t'i gjejë drejtësia, duke anashkaluar krejtësisht përgjegjësitë e saj politike në këtë akt flagrant keqmenaxhimi të shtetit dhe pushtetit. Cili është komenti juaj?
Një qëndrim i tillë politik, tashmë është traditë për tiraninë shqiptare. Kështu që nuk duhej pritur ndonjë qëndrim tjetër politik. Nëse Kryeministri do të ishte i pafajshëm, padyshim që ai do të kishte dhënë dorëheqjen, por kur ky është vetë autori, si ka mundësi që të mendohet se mund të mbajë përgjegjësi morale? Pra, pritet vetëm përgjegjësia ligjore. Kjo do të varet nga hetimi. Por hetimi nuk ka mundësi fshehjeje, sepse asnjë nuk mund ta dojë Berishën më shumë se veten, dhe sado e madhe që të jetë frika, ka ca gjëra në organet e drejtësisë që nuk mund të bëhen, sidomos në një hetim ku merr pjesë dhe FBI.
Cilat janë, sipas jush, përgjegjësitë konkrete të kryeministrit Berisha në këtë aferë?
Duhet pritur hetimit, sepse logjika juridike të krijon momentin racional të një përgjegjësie ligjore të sensit të përgjithshëm, kurse detajet janë të lidhura me procesin e gjatë të të provuarit. Kur të dalin provat, do të shohim se sa thellë ka hyrë Kryeministri në një aferë të tillë makabër. Ne dimë deri tani se ai është strumbullari; dimë gjithashtu se është përgjegjësi kryesor për vrasjen e Gërdecit, por nuk dimë nëse është edhe i përfshirë në ndonjë krim ndërkombëtar.
Si e rimodelon të djathtën shqiptare ngjarja e Gërdecit? Në prononcimet tuaja, jeni shprehur për nj ribërje të së djathtës. Si paraqitet ky proces në këto kushte të reja?
Kjo ngjarje do ta shkëpusë krejtësisht të djathtën nga Berisha. Madje procesi ka nisur me vrull. Të gjithë kuptuan se ai është një punist që gjatë gjithë kohës se vet politike ka dashur të diskreditojë të djathtën. Ai thirri pranë vetes agjentë të Sigurimit, njerëz pa asnjë vlerë dhe me mllefe, e të dominuar nga anti-intelektualizmi i tyre. Berisha s'ka punuar asnjëherë për shoqërinë shqiptare, dhe këtë tani e di çdo i djathtë. Berisha s'ka më asnjë shpresë për të drejtuar djathtas; prandaj, nëse nuk bie në burg, ai patjetër që do të shkojë sërish te partia e tij.
Qeveria pret që ftesa për në NATO, disa lëvizje eventuale brenda kabinetit, afrimi i stinës së ngrohtë, përfshirë edhe procesin e natyrshëm të harresës dhe daljes në plan të dytë, të bëjnë që incidenti tragjik i Gërdecit ta humbasë rrezikshmërinë e tij për mazhorancën. A do të ndodhë vërtetë kjo, apo mendoni se tashmë PD e ka të pamundur ta menaxhojë këtë situatë të re, në dritën edhe të afrimit të zgjedhjeve të vitit 2009?
Duhet të jemi më konkretë, sepse nuk është fjala për një mazhorancë reale. Që nga viti 2005, mazhoranca e Berishës ka qenë një mishmash politik, të cilin kuptohet qartë se përse ai e krijoi. Mazhorancën e fitoi e djathta, por ai nuk e la asnjë minutë atë, sepse tani kuptohet: Berisha donte të krijonte këtë që krijoi. Prandaj, të flasësh për mazhoranca, kuptohet që nuk je real. Por pyetja që duhet ngritur në këto momente është kjo: A ka mundësi Berisha të fitojë më zgjedhje në Shqipëri? Kurrë më, është përgjigja, atëherë, përse do ta mbajë më e djathta? Këtë gjë tani e di dhe ai, por Berisha nuk punon më për zgjedhjet e ardhshme, ai punon për të siguruar kapitalin që ka krijuar me anë të pushtetit abuziv, dhe këtë ka dashur të bëjë me socialistët. Gërdeci ka shkallmuar gjithçka, prandaj ai nuk ruan dot as pushtetin dhe asnjë lloj të ardhure që ka rrjedhur prej tij.
Ku duhet të kenë besim shqiptarët, sipas jush, pas asaj që ndodhi me imazhin e shtetit në Gërdec. A ka më garantë institucionalë sistemi ynë politik, apo ndodhemi në një lloj autokracie integralisht të korruptuar e pa asnjë pikë reference të besueshme?
Ne ndodhemi në një autokraci integralisht të korruptuar, por në një autokraci të dobët ama. Sepse nuk arriti që të imponohej në të gjitha aspektet politike. Lufta e Berishës për të shtënë në dorë të gjithë shtetin, ka qenë e madhe në këta dy vjet e gjysmë. Por në historinë tonë politike do të përmendet gjithmonë se, shoqërinë shqiptare, presidenti Moisiu e ka shpëtuar nga një gjëmë e madhe. Berisha nuk u bën dot asgjë më shqiptarëve. Ai tani, çdo ditë e më shumë i bën keq vetvetes. Por a ka pak mend që ta kuptojë? Le të presim. Prandaj shqiptarët duhet të kenë besim te vetja. Unë mendoj se këtë herë do i lajmë mirë hesapet me një klasë politike që ka dhunuar për pesëmbëdhjetë vjet rresht.