Hetim depozitave të naftës në port

DURRËS - Prokuroria e Durrësit nisi hetimet në lidhje me ngritjen e 20 depozitave të naftës që janë vendosur në portin e Durrësit pa vendim të Këshillit të Ministrave, nga viti 1998 deri në vitin 2001 e që vazhdojnë të jenë funksionale. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur për “Korrierin”, se për çështjen e depozitave të naftës, që ndryshe quhen tankerë, ka nisur procedimi në fund të muajit të kaluar, në 26 mars, ndërkohë që menjëherë pas regjistrimit të veprës penale, ka nisur edhe kërkimi nga Këshilli i Qarkut Durrës, për verifikimin e dokumentacionit të pajisjes me leje sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi për 20 depozitat e vendosura në pjesën lindore të portit të Durrësit, në pronësi të tri kompanive greke: “Global Petrolium”, “Mamidoil” dhe “Elda” dhe firmës shqiptare “Kastrati”. Një vit më parë, me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, doli një vendim për transferimin e këtyre depozitave, që kanë një kapacitet prej 50 mijë metrash kub karburante, drejt portit të ri që po ndërtohet në Porto Romano. Procedimi penal ka nisur në lidhje me konsumimin e veprës penale të parashikuar nga neni 282/a i Kodit Penal, sipas të cilit “Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtia në kundërshtim me ligji, e lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet heqje lirie. Kur kjo vepër është kryer në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rëndë, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet heqje lirie”. Megjithatë, përveç emrave të firmave që kanë shfrytëzuar tankerët e naftës, nuk e dihet ende se ndaj cilëve persona konkretisht ka nisur hetimi nga Prokuroria e Durrësit. Pas regjistrimit të procedimit penal, organi i akuzës nëpërmjet një letre të firmosur nga prokurori i rrethit, Arian Ndoja, ka kërkuar nga bashkia dhe këshilli i qarkut të Durrësit nëse katër subjektet që kanë vendosur depozitat në port,janë pajisur me leje për sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi. Një letër e tillë u ka shkuar dy institucioneve para disa ditësh, pikërisht në 4 prill. Burime nga Këshilli i Qarkut Durrës thanë se kanë marrë në dorëzim letrën e prokurorisë së rrethit dhe po kërkohet në arkivin e qarkut nëse KRRT-ja e Këshillit të Qarkut Durrës ka pajisur me leje sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi kompanitë e depozitave të naftës para 10 vitesh. A.K