Apeli liron nga izolimi Arben Sefgjinin
Gjykata rikthen në zyrë kreun e Tatimeve, edhe pse ai akuzohet për zhdukjen dhe torturimin e Remzi Hoxhës
TIRANË- Gjykata e Apelit liron nga izolimi shtëpiak drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, duke i dhënë atij mundësinë të kthehet në punë, edhe pse akuzohet për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës. Treshja gjykuese e Apelit për Krime të Rënda, e kryesuar nga Vangjel Kallço vendosi që i pandehurit Sefgjini të lirohet menjëherë nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe dosja e shqyrtimit të masës, të rikthehet për gjykim edhe njëherë në Shkallë të Parë. “Gabim procedurial” e ka quajtur Apeli vendimin e arrestit shtëpiak, të firmosur nga një gjyqtar i vetëm, duke rekomanduar që nëse do të ketë ankesë të prokurorisë, ajo duhet shqyrtuar nga pesëshja gjykuese që ka marrë në dorë dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës. Masës së arrestit shtëpiak i ka shpëtuar edhe i pandehuri tjetër, Avni Koldashi, i vetmi ish-punonjës i SHIK-ut që ka pranuar se e ka shoqëruar Remzi Hoxhën, i urdhëruar nga eprorët e tij.
***
Sipas dispozitivit të vendimit të Apelit për Krimet e Rënda,tre gjyqtarët që shqyrtuan ankimimin e avokatit të Arben Sefgjinit e kanë cilësuar të padrejtëvendimin e gjyqtarit Fran Prendi, i cili caktoi masën e “arrestitshtëpiak”. “Trupi gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e palës së ankuesit dhe prokurorit të çështjes, vendosi që vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ta deklarojë të pavlefshëm dhe të pabazuar në ligj. Gjyqtari i hetimit, Fran Prendi, nuk ka të drejtën e shqyrtimit të kërkesave të prokurorit, përderisa dosja ishte dorëzuar për gjykim, ku pas shortit elektronik është caktuar edhe trupi gjykues. Është ky trup gjykues që duhet të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda që i pandehuri Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi të izolohen brenda shtëpisë me masën e shtrënguese “arrest shtëpie”,-thuhet në vendimin e Apelit për Krimet e Rënda. Për këtë shkak, Sefgjini është i lirë të rikthehet në zyrën e tij, përsa kohë që trupi gjykues që po shqyrton zhdukjen e Remzi Hoxhëstë marrë një vendim për masën e tij të sigurisë.
***
Në kohën që brenda gjykatës shqyrtohej ankimimi i vendimit, jashtë derës kryesore me dhjetëra njerëz prisnin daljen e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Me të mbaruar seanca gjyqësore, i pandehuri Sefgjini doli i shoqëruar nga rojet personale, duke mos pranuar të komentojë asgjë në lidhje me çfarë është shqyrtuar dhe vendosur. Po të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe avokati i tij, Zef Nika. Ndërkohë, kolegu i këtij të fundit, avokati Hasaf Hadëri, që mbron interesat ligjore të ish-drejtorit të Vëzhgimit në drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë gjatë vitit 1995, kohë kur është rrëmbyer Remzi Hoxha tha pa daljes nga gjyqi se: “Apeli vendosi të rrëzojë vendimin e Shkallës së Parë që u mor në mënyrë të padrejtë dhe në mungesë të klientit tim, më 4 maj të këtij viti, duke vendosur drejtësinë në vend. Avni Koldashi me vendimin e sotëm (djeshëm) tregoi që është i pafajshëm dhe qytetar i lirë”. Seanca e djeshme gjyqësore zgjati jo më shumë se 20 minuta për të pandehurin Sefgjini dhe jo më pak se 10 minuta për të pandehurin Avni Koldashi, ku asnjëri nga këta dy të pandehur, edhe pse u shkëmbyen në korridorin e Gjykatës nuk i drejtuan njëri-tjetrit asnjë përshëndetje kortezie. Me vendimin e djeshëm, dy të pandehurit e dosjes së rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës janë të lirë, deri në shqyrtimin e kërkesës së dytë të prokurorit të çështjes, Xhevat Hana për caktimin e një tjetër mase sigurie.
NGJARJA
Remzi Hoxha u zhduk në Vain të Lezhës
TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur, ndërsa dy të tjerët kanë mundur t’i shpëtojnë torturave të agjentëve të SHIK-ut që drejtoheshin nga i pandehuri Arben Sefgjini. Sipas prokurorisë, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë dhe dëshmisë së Avni Koldashit, rezulton se biznesmeni kosovarë është rrëmbyer nga Koldashi dhe agjentët e SHIK-ut të cilët nën urdhrat e Arben Sefgjinit e kanë dërguar në Vainë të Lezhës dhe makina me të cilën është vërtetuar se ka qenë e SHIK-ut janë verifikimi i targave që mbante makina e rrëmbimit TR 2449 C që i përkiste Drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë.
KËRCËNIMET
Avni Koldashi
I akuzuari për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës ka kërkuar mbrojtje, pas kërcënimeve që ka marrë. Koldashi është i vetmi i pandehur që ka pranuar se biznesmeni Hoxha është shoqëruar prej SHIK-ut
Ziso Kristopulli
Që prej vitit 1995, i rrëmbyeri së bashku me Remzi Hoxhës është kërcënuar shumë herë. Vetëm pak ditë më parë, ai denoncoi sërish kërcënimet në adresë të tij, nga persona të panjohur prej tij
Ardian Hoxha
Edhe i biri i Remzi Hoxhës apo xhaxhallarët e tij janë përballur me shumë presione, gjatë 13 viteve në kërkim të eshtrave. Gjatë një interviste për “Shekullin”, djali i Remzi Hoxhës rrëfente kërcënimet në adresë të familjes
Xhevat Hana
Prokurori që rihapi dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës dhe e dorëzoi atë në gjykatë i ka provuar kërcënimet nëpërmjet njerëzve të tij më të afërt. Hana ka shoqëruar bashkëshorten për të denoncuar ngjarjen