Eklektizmi i Cekës, risi e politikës shqiptare!
Një miku im, këto ditë më pyeste: A të habiti takimi i Berishës me Cekën? Kush duhet ta ketë ftuar njëri-tjetrin për “kafe”? Kush duhet të ketë lajmëruar median rreth takimit, Berisha apo Ceka? A ia drodhi Ceka aleancës së majtë, dhe në veçanti Metës?
Vetëm për t’u habitur nuk mund të habitesh me politikanët dhe politikën shqiptare, është një lloj e veçantë politike, duket se ndryshon nga Lindja, ashtu siç ndryshon edhe nga Përendemi! Këto pyetje të mikut tim që është i djathtë, më shtynë të bëja këtë shkrim jo për takimin apo për kafen, që është diçka e zakonshme, por për faktin se si politikanët tanë ndryshojnë brenda natës nga njëri skaj tek skaji tjetër i spektrit politik. Duke iu rikthyer takimit të Neritan Cekës me kryeministrin Berisha duket se po krijohen përsëri të çara të tjera në kampin e së majtës shqiptare. Kjo, jo thjesht për faktin se kryeministri Berisha i PD-së dhe Ceka i koalicionit të majtë pinë një kafe së bashku apo diskutuan për çështje “madhore” të vendit, por për faktin se Ceka, i pyetur nga media rreth takimit, u prononcua se: “Diskutuam për PD-në e djeshme dhe të djathtën e së nesërmes, që do të krijohet pas zgjedhjeve të ardhshme... Ne nuk mund të përjashtojmë bashkëpunimin edhe me forca të tjera...”.
Pra, nënteksti i Cekës: “Mos u habisni se mund të bëj koalicion edhe me Berishën”. Në fakt, kush e ndjek sadopak politikën shqiptare, e aq më tepër Cekën si politikan, nuk ka pse të habitet me “surprizat” e Cekës. Gjithashtu “Politika e pingpongut” e Cekës, apo ndryshimi i bindjeve të tij, nuk janë një risi e re. Kjo, për faktin se është bërë diçka e zakonshme që Ceka të kalojë nga njëri skaj i spektrit politik, tek tjetri. E filloi me PD-në, krijoi PAD-në, kaloi tek PS-ja, u orvat të bëhet President, u shtrëngua fuqishëm kohët e fundit në krah të LSI-së dhe pas “vrerit” që kishte derdhur ndaj Berishës me sa duket iu kujtua shprehja, “miq të rinj zë, por mos harro miqtë e vjetër”.
Natyrisht, praktika perëndimore na ka mësuar se nuk është e thënë që rivalët politikë ta duan patjetër njëri-tjetrin. Madje ata duhet t’i bëjnë lëshime njëri-tjetrit dhe të nxisin tolerancën dhe mirësjelljen gjatë debateve, si pjesë e parimeve bazë mbi të cilat ngrihet shoqëria.
Por ndryshimi i politikanëve tanë me ata të perëndimit është se shumica, fatkeqësisht, nuk kanë parime, o shahen e hedhin ndaj njëri-tjetrit baltë nëpërmjet akuzave monstruoze, ose iu hip një lloj dashurie apo servilizmi që as vetë politikanët tanë nuk dinë t’i japin shpjegim. E veçanta e politikanëve tanë gjatë këtyre viteve të demokracisë, është se: Ata “hidhen si trumcakë” nga një parti tek tjetra, për arritjen e qëllimeve të tyre personale, shajnë njëri-tjetrin gjithë ditën dhe “puthen” natën, po qe ditë me diell, mund të “puthen” edhe ditën. Nuk lenë gjë pa thënë publikisht apo nëpër kafene ndaj Berishës dhe pastaj shkojnë dhe i “lëpihen”, kuptohet, për të “mirën e vendit”.
Në fakt, më bëri përshtypje intervista e Cekës në një gazetë të përditshme ku thekson se: “ Natyrisht që nuk është folur për ndryshimet kushtetuese, por është folur për referendumin... dhe unë i kam thënë se do të luftoj për referendumin, jo kundër Berishës...”. Kjo është gallata më e madhe për faktin se i thua Kryeministrit “se do bëshreferendum”, dhe nuk ke guximin t’i thuash “pse i bëre ndryshimet në Kushtetutë”! Pra z.Ceka, pavarësisht se thotë se pimë një kafe si miq të vjetër, “ka frikë” ta pyesë pse u bënë ndryshimet në Kushtetutë!? Çdonjëri e kupton se kryeministri Berisha dominon tërësisht të djathtën, për të mos thënë “se i vë në rresht” për ndryshim ligjesh, miratim ligjesh etj., kurdo që t’i teket zotit Berisha!
Pra, arsyeja pse Ceka nuk “guxon” ta pyesë Berishën për ndryshimet në Kushtetutë, është e thjeshtë: Ceka dëshiron një vend të sigurt në Parlamentin shqiptar “pa dallim feje”, qoftë nga e majta apo e djathta. Pikërisht edhe për këtë arsye, secili ka të drejtë edhe “të aludojë” se z.Ceka dëshiron të tregohet “njëri me parime”, ta ketë mirë edhe me të djathtën edhe me të majtën, të zbatojë politikat e majta, kur ka benifice nga e majta, të zbatojë politika të djathta, kur ka benifica nga e djathta.
Natyrisht, secili ka metodologjinë e tij të të bërit politikë dhe secili ka individualitetin e tij dhe natyrshëm, në një shoqëri demokratike nuk mund t’i imponohesh askujt në zgjedhjet apo rizgjedhjet e tij të partive. Por nga ana tjetër, për sa kohë je i zgjedhur nga elektorati, qoftë ky i majtë apo i djathtë, duhet të përfaqësosh interesat e atyre që të kanë zgjedhur. Në perëndim, raste të tilla ndodhin rrallë dhe shumë rrallë. Ndërsa këtu tek ne janë bërë diçka e zakonshme.
Me veprimin e fundit të Cekës, duket se shumica e politikanëve shqiptarë janë vënë në garë se kush mund ta ketë më mik Berishën?! Është fakt se nuk kërkojnë më largimin e tij si Kryeministër! Është fakt se nëpërmjet bashkëpunimit të PS-së me Berishën u arrit që të bëhen ndryshimet në Kushtetutë! Është fakt se në koalicionin e djathtë, të gjithë janë të bindur të Berishës! Është fakt se tek PD, të vetmin udhëheqës politikë dhe shpirtërorë kanë Berishën! Është fakt se edhe Xhuveli i majtë, është sot aleat i Berishës! Është fakt se kur Berisha ka pushtet, pothuajse të gjithë përpiqen të krijojnë aleanca dhe ta duan Berishën! Madje është fakt se politikanë, edhe në moshë të thyer, duan të bëhen “kopistë të rinj”! Është fakt se po e panë se i “rrëshqiti këmba” Berishës, të gjithë do jenë të gatshëm “ta shqyejnë”. Atë (rikujtoni vitin 1997!)!
Besoj se zoti Ceka më kupton, se e vlerësoj si historian dhe si arkeolog, ashtu siç e vlerësoj për kontributin i tij në politikën shqiptare, por vjen një moment që këtij lloj eklektizmi në politikë duhet thënë “Enough is Enough” (“Mjaft është Mjaft”), kjo, jo për mua apo miqtë e mi gazetarë dhe analistë, por për opinionin publik në tërësi, për elektoratin tënd, me qëllim që figura e politikanit të jetë dinjitoze dhe e besueshme për elektoratin që Ju zgjedh. Natyrisht, të gjithë i kemi të qarta e konceptet e Demokracisë, që nënkupton bashkëpunim, kompromis dhe tolerancë, por kur ndodh siç ndodh me politikanët tanë, të cilët gjatë gjithë ditës “nxijnë” njëri-tjetrin me akuza dhe të nesërmen bëjnë kompromise jo për të mirën e një shoqërie demokratike, por për interesa personale, atëherë edhe koncepti për demokracinë nuk ka vlerë.