“Gërdeci”, avokatët pritet të përballen sot me prokurorët

Gjykata e Tiranës pritet të zhvillojë sot seancën gjyqësore ndaj 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Pas përfundimit të leximit të 500 faqeve pretencë nga ana e katër prokurorëve, 21 avokatët që përfaqësojnë të pandehurit pritet të paraqesin sot mbrojtjen përballë prokurorisë.
Në seancën e kaluar gjykata u la dy javë kohë avokatëve për të formuluar mbrojtjen e tyre përballë akuzave të prokurorëve, afat ky i përcaktuar në ligj.
Por nga ana tjetër avokatët e katër të pandehurve të arrestuar kanë kërkuar 2 muaj kohë për të përgatitur mbrojtjen e tyre. E duke bërë një llogaritje të thjeshtë nga 2 javë kohë të lëna për secilin avokat, gjyqi i tragjedisë së Gërdecit nuk merr fund dhe nuk jepet vendimi brenda vitit 2011.
Por odiseja e tij duket se nuk do të përfundojë vetëm me Gjykatën e Tiranës, pasi nëse duhet të ekzekutohen vendimet për dënimin e 29 të pandehurve duhet çekiçi i goditur nga Gjykata e Apelit.
Kështu që pas përfundimit të dhënë nga gjykata e Tiranës, atëherë kjo çështje kërkon maksimumi 6 muaj për të vijuar më pas në Apel, duke përfshirë këtu edhe kohën që shyhen seancat për mungesë të palëve, e të gjithë kjo kohë duket se do të rendis gjyqin për tragjedinë e Gërdecit si një ndër gjyqet me të gjatë në drejtësinë shqiptare.
Që vendimi përfundimtar jo që nuk merret brenda këtij viti, por as viti që vjen duket se nuk do të jap verdiktin përfundimtar për 29 të pandehurit.