E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli Te luftojme dhunen kunder gruas

Kryetarja e Kuvendit, së bashku me qindra nëna e vajza, gra e burra u mblodhën sot në Korçë në ecjen sensibilizuese “Jo dhunës! Po dashurisë!”.

Topalli, një mbështetëse e vendosur e luftës kundër dhunës në familje theksoi edhe një herë se “Dhuna në familje nuk është një çështje private por është një çështje e të gjithë shoqërisë. Ne, tha ajo, do jemi avokate të nënave e grave shqiptare në këtë kauzë që është kauzë e së drejtës”.

“Në fakt është një takim unik. Është i pari në historinë tonë. Është i pari në të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Është Korça e para, janë të parat zonjat e saj, nënat, motrat tona, që kanë ardhur sot në bulevardin e qytetit të mësonjëtores së parë shqipe, për të dhënë një mesazh të thjeshtë por të vërtetë: “Të duash, të mos urresh! Të duash, të mos dhunosh! Të dashurosh, të mos lëndosh nënën, të mos lëndosh vajzën, të mos lëndosh motrën”, tha ajo.

Duke shtuar më tej, se nuk duam që të preket nëna. “Nuk duam që të preket bashkëshortja, aty ku secili prej nesh mendon dhe imagjinon se është vendi më i sigurtë, është vendi ku askush nuk mund të guxojë që ta prekë gruan.

Në fakt ndodh ajo që është më e rënda, për të cilën heshtet, sepse mendohet se kjo është një çështje private. Por në fakt kjo është një çështje publike, që nuk ndodh vetëm në Shqipëri”.

Sipas saj, dhuna kundër gruas, dhuna kundër të dobëtit, dhuna kundër fëmijës është një fenomen kompleks, është një fenomen që nuk ka kufij.

“Është një fenomen që nuk varet nga vendi, nga zona, nuk varet nga cili shtet vjen. Në fakt, është një problem i cili është shumë më i vështirë se sa ne mund ta imagjinojmë.

Ajo që ne duam të themi sot është; “ mos prekni nënën, sepse nëna është vajza e një nëne tjetër, mos prekni nënën, sidomos në sytë e fëmijës”, theksoi Topalli.

Ajo i ftoi të pranishmet për t’iu thënë të dhunuarave se “nuk jeni vetëm, se nuk jeni pa zë, se ne jemi të gjitha bashkë, se ne do të jemi këtu, ne do të luftojmë bashkë me ju, sepse kjo është çështje e së drejtës, është çështje në të cilën ne besojmë fort shpirtërisht, të bindura se mund ta luftojmë, se mund ta reduktojmë, se ne duam dashurinë, se ne duam të shohim fëmijët të lumtur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›