E Diel, 1 Nëntor 2026

Porti i Durresit nje nyje e rendesishme per tregun nderkombetar

Për shkak të pozicionit shumë të favorshëm gjeografik, porti i Durrësit, është kthyer në një nyje shumë e rëndësishme për tregun ndërkombëtar.

Këtë fakt e vërteton së fundmi edhe mbërritja e një anije mallrash e tonazhit të madh e cila do të ngarkohet me 46 mijë ton mineral hekuri dhe ka si destinacion Kinën.

Kondicionuar nga thellësia e basenit, drejtori i Portit të Durrësit, Eduard Ndreu shprehet e gjysma e ngarkesës do të kryhet në kalatën 11 dhe pjesa tjetër do të realizohet në radën e Portit të Durrësit, me ndihmën e dy federave.

Sipas Ndreut, kërkesa për mallrat me origjine “Made in Albania” është rritur nga viti ne vit, duke dhënë një impakt pozitiv jo vetëm në të ardhurat e Portit të Durrësit por edhe në ekonominë e vendit.

Metoda e përpunimit do të përdoret në ngarkesat e mëdha “Made in Albania”, deri kur të realizohet projekti i thellimit të basenit dhe kanalit hyrës në portin më të madh të vendit.

Një muaj më parë në portin e Durrësit u ngarkua me të njëjtën mënyrë edhe një tjetër anije me kapacitet 52 mijë ton, e cila sipas kontratave përkatëse u drejtua për në Kinë.

Aktualisht, porti detar i Durrësit për shkak të thellësisë së pakët mund të mirëpresë anije tregtare deri në 20-25 mijë ton.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›