Gërdeci, 18 vjet burg për Pinarin e Minxollin, 10 vjet për Delijorgjin. Familjarët e viktimave: Ky është turp
Gjykata e Tiranës ka dhënë sot vendimin për të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit. Trupi gjykues ka vendosur dënimin me 18 vjet burg për ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, dhe Dritan Minxollin, ndërsa me 10 vite burg ka dënuar Mihal Delijorgjin dhe Sokol Ngjeçin. Gjithashtu, ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha është dënuar me 6 vjet burg.
Vendimi ka shkaktuar reagimin e ashpër të familjarëve të viktimave, të cilët e kanë cilësuar atë turp. Për disa minuta familjarët e viktimave të Gërdecit kanë bllokuar derën e gjykatës duke protestuar kundër vendimit të dhënë.
Vendimi, i cili pritej të jepej javën e kaluar, u shty për në senacën e sotme për shkak të kompleksitetit dhe volumit të çështjes në shqyrtim.
Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, për pronarin e kompanisë Alba Demil, Mihal Delijorgji dhe për administratorin e kompanisë së demontimit në Gërdec, Dritan Minxhollin. Ndërsa 23 vite burg janë kërkuar për Sokol Ngjeçin dhe 8 vite për ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha.
Tragjedia e 15 marsit 2008 u mori jetën 26 personve dhe shkatërroi dhjetëra biznese të zonës. /G.N.
