Uizner: Pas stabilitetit politik, Kosovës i duhet zhvillim ekonomik
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një takimi me ambasadorin Frank Uizner, e ka njoftuar diplomatin amerikan për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, për “progresin e arritur katër vjet pas shpalljes së pavarësisë si dhe për marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel”.
“Marrëveshjet do t’i mundësojnë Kosovës përfaqësim në nivelet rajonale, në nismat dhe mekanizmat e ndryshëm, e posaçërisht në mekanizmat e sigurisë që duhet ta shndërrojnë rajonin e Ballkanit në një pjesë të sigurt të Evropës”, citon Presienca deklaratën e Jahjagës.
Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Frank Uizner, mësohet të ketë vlerësuar “arritjet në Kosovë”, duke theksuar se “me vendosjen e stabilitetit politik, tani Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik e social”.
Ai po ashtu ka thënë se “marrëveshjet e arritura në Bruksel janë një hap pozitiv dhe tregojnë përkushtimin dhe konstruktivitetin e Kosovës për të ndërtuar marrëdhënie të mira bashkëpunimi me fqinjët e saj”.
Uizner ka qenë ish-i dërguar i Uashingtonit zyrtar në bisedimet për statusin e Kosovës. /Kosova.com