Avokati i Popullit përfundon vizitën treditore në Francë

Mbrojtjësi i të Drejtave të Njeriut të Francës, Domenik Boudis, dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani
Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka zhvilluar një vizitë treditore në Paris, me ftesë të Mbrojtësit të të Drejtave të Njeriut të Francës, Domenik Boudis. Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i ideve dhe eksperiencave me qëllim fillimin e një bashkëpunimi të ngushtë institucional dypalësh.
Gjatë qëndrimit në Francë, Totozani është pritur gjithashtu edhe nga Inspektori i Përgjithshëm i Kontrollit të Vendeve të Privimit të Lirisë, Jean Mari Delarue; dhe Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Kombëtar Këshillimor të të Drejtave të Njeriut të Republikës Franceze, Mishel Frost.
Gjatë takimeve dypalëshe, tema e bisedimeve është fokusuar në identifikimin e çështjeve me interes të përbashkët.
Në takimin mes dy homologëve është rënë dakord për hartimin e një plani për organizimin për herë të parë në Tiranë të Konferencës Vjetore Ndërkombëtare të Shoqatës Botërore të Ombudsmanëve Frankofonë me pjesëmarrje të 50 ombudsmanë ve të vendeve frankofone.
Gjithashtu, Totozani dhe Boudis kanë rënë dakord për realizimin e një projekti bashkëpunimi në nivel teknik mes dy institucioneve, fillimin e angazhimit institucional të personelit të Avokatit të Popullit në trajnimet e specializuara që zhvillon Shoqata Botërore e Ombudsmanëve Frankofonë AOMF, qasjen e ideve, eksperiencës dhe çëshjeve të suksseshme që hetohen nga Avokati i Popullit duke i bërë ato publike në faqen zyrtare të AOMF me anë të përditë simit automatik të sistemit online.
Në takim është folur gjithashtu edhe rreth organizimit të vizitës së afërme në Shqipëri të Mbrojtësit francez të të Drejtave të Njeriut.
Ndërsa në takimin e zhvilluar me Kryeinspektorin e Përgjithshëm të Kontrollit të Vendeve të Privimit të Lirisë u ra dakurd për organizimi e vizitave të përbashkëta midis Njësisë së Parandalimit të Torturës të Avokatit të Popullit dhe Ekipeve të Monitorimit të Kryeinspektorit Francez të Kontrollit të Vendeve të Privimit të Lirisë, vizita që do të fokusohen në burgje dhe stacione policie në Francë dhe Shqipëri. Gjithashtu, një tjetër pikë e diskutimit ishte edhe nevoja e nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe bashkëpunimi me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe metodologjive të kontrollit për vendet e privimit të lirisë.
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit Kombëtar Këshillimor të të Drejtave të Njeriut të Republikës Franceze, Mishel Frost, Avokati i Popullit ka prezantuar iniciativën e tij për krijimin e një kolegji kombëtar në Shqipëri, në përbërje të të cilit do të jenë të gjitha OJF dhe përfaqësues të medias, për të krijuar një front të përbashkët në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Nga ana e tij, Frost propozoi midis të tjerash edhe masa konkrete si kryerjen e një vizite nga përfaqësues të nivelit të lartë të Komitetit Francez me qëllim njohjen nga afër të punës së Avokatit të Popullit dhe shoqërise civile në Shqipëri dhe njohjes së realitetit të respektimit të të drejtave të njeriut, adoptimin e modelit francez mbi organizimin dhe funksionimin e Kolegjit Kombëtar Shqiptar i përbërë nga Avokati i Popullit dhe të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe hartimin e hartimin e një plani asistence dhe mbështetjeje administrative dhe financiare për implementimin e projektit të mësipërm. / G.N.