Gjyqi i Gërdecit, jepet sot vendimi përfundimtar

Nga procesi i Gërdecit
TIRANE- Gjykata e Tiranës pritet të shpallë sot vendimin përfundimtar ndaj 28 të akuzuarve për tragjedinë e 15 marsit 2008.
Ndonëse ishte parashikuar për tu lexuar më 7 mars, shpallja e verdiktit u shty për ditën e sotme, 12 mars. Për shkak të kompleksitetit të dosjes, treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado dhe anëtarë gjyqtaret Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari, nuk mundën të përfundonin vendimin në afatin e vendosur prej tyre. Seanca e kaluar zgjati vetëm pak çaste. Për arsye të madhësisë dhe kompleksitetit të çështjes, kryetari i trupit gjykues urdhëron shtyrjen e shpalljes së vendimit për më datë 12 mars, ditë e hënë, ora 10:00, u shpreh kryesuesi i seancës, ditë më parë.
Në seancën e shkuar u vu re mungesa e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, i cili besohet se është arratisur jashtë Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, fati i të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin prej të cilit vdiqën 26 veta, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, do të mësohet vetëm ditën e sotme.