“Gërdeci”, 6 ekspertë të FBI-së të mërkurën në Tiranë
Hetuesit do të bëjnë studimin e plotë kriminalistik të vendngjarjes. Miratohet kërkesa e kryeprokurores drejtuar autoriteteve të SHBA-së
Tiranë - FBI ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve, të cilët do të ndihmojnë në identifikimin e kufomave si në këqyrjen e analizimin e vendit të ngjarjes në Gërdec. Pas konfirmimit të ardhjes së gjashtë ekspertëve të FBI-së, “mbërritja e tyre në Shqipëri pritet të bëhet ditën e mërkurë”, - ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa në lidhje me detajet e tjera të mënyrës së hetimit të ngjarjes nga specialistët, përfshi dhe emrat e ekspertëve të përcaktuar nga FBI, do të bëhen të ditur në ditët në vijim.
Ekspertët
Në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme të shtunën thuhet se në përgjigje të kërkesës së prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pak ditë më parë drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-së, në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, sot ka ardhur konfirmimi zyrtar që FBI-ja ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve. Specialistët e FBI-së pritet të bëjnë identifikimin e kufomave si dhe një studim të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes. Ekspertët e përcaktuar nga FBI-ja kanë hetuar çështje të ngjashme dhe janë të specializuar në këtë fushë. Ata pritet të mbërrijnë në Shqipëri ditën e mërkurë. Ndihma e kërkuar përmes ambasadorit të SHBA-së në Tiranë pak ditë më parë nga Zyra e prokurores së Përgjithshme konsistonte për të përshpejtuar sa më tepër hetimet e kësaj çështjeje.
Hetimi
Ekspertët amerikanë do të hetojnë tragjedinë e një jave më parë në Gërdec ku e gjithë zona u trondit nga disa shpërthime të njëpasnjëshme. Ndihma e specializuar e hetuesve do të vijë në çastin kur pas një jave nuk dihet ende bilanci i dëmeve materiale dhe njerëzore të kësaj tragjedie të rëndë. Autoritetet zyrtare nuk dinë numrin e të vdekurve pas shpërthimit në fabrikën ku çmontoheshin municione luftarake jashtë çdo kushti sigurie. Dëshmitarët e tragjedisë, ata që panë me sy vdekjen, flasin për një numër të madh njerëzish që kanë humbur jetën nën rrënojat e fabrikës së vdekjes. Disa prej viktimave u është dhënë lamtumira e fundit pas një identifikimi të vështirë nga mjekësia ligjore, e cila nuk ka pajisje për ta kryer këtë. Akoma më e trishtuar është gjendja për familjarët e atyre që kanë humbur jetën, por që ende mbeten “kufoma pa identitet” apo që ende nuk janë gjetur në rrënojat e fabrikës së kobshme.
24 Mars 2008