Olldashi: Të gjitha investimet në rrugët e vendit
Një nga problemet më të mprehta të ekonomisë shqiptare, infrastruktura e rrënuar rrugore, duket se do të kërkojë edhe disa vite të tjera, si dhe fonde gjigante nga buxheti i shtetit përpara se të zgjidhet përfundimisht. Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, në një intervistë ekskluzive për gazetën "Shqip" tregon se me ritmet aktuale të investimeve në rrugë, Shqipëria do të ketë hedhur pas krahëve një herë e përgjithmonë këtë problem pas një periudhe kohore prej 4 vitesh. Olldashi flet edhe për debatin e fundit mbi çmimet e telefonisë në vend.
Zoti Olldashi, qeveria realizoi në vitin 2008 buxhetin më të madh të hartuar ndonjëherë në vendin tonë, ku më shumë se 500 milionë euro investime u adresuan në infrastrukturë. Edhe sa para të tjera nevojiten që Shqipëria të ketë më në fund një rrjet kombëtar rrugor brenda standardeve?
Është e vërtetë që viti 2008 është viti me investimet më të mëdha publike. Vetëm për investimet në rrugë kemi 500 milionë euro, por investimet publike në total janë shumë më të mëdha se kaq. Besoj se 2008 do të jetë një vit shumë cilësor. Shumë rrugë të reja hapen dhe në qoftë se do të vazhdohet me këto ritme besoj se për një periudhë prej 4 ose 5 vjetësh Shqipëria do të ketë më në fund një rrjet rrugor bazë tërësisht të përfunduar.
Gjithsesi, unë do të këmbëngulja te fatura zoti ministër. Sa do të na duhet të paguajmë për të pasur një rrjet rrugor kombëtar. A ka qeveria një shifër të përllogaritur për këtë?
Sigurisht që ka një plan kombëtar të transporteve, i cili ka një kostim të përafërt, por janë gjithmonë shifra të përafërta, sepse nuk mundesh kurrë të detajosh kostot pa pasur më parë të gjitha projektet e përfunduara. Për rrjedhojë, do të duhet edhe pak përpara se të kemi një faturë përfundimtare. Por, n.q.s. themi se me këto ritme që jemi duke investuar tani, na duhen 4 vjet për të përfunduar rrjetin kombëtar rrugor, atëherë nuk është dhe shumë e vështirë që të nxirret një shifër e përafërt. E rëndësishme është që të ruhen këto norma investimi në rrugë nga buxheti i shtetit. Është shumë cilësor ky vit nga aspekti buxhetor do të thosha, sepse është viti i parë që ne bëjmë një kapërcim kaq të madh në sasinë e financimit për rrugët. Kemi gati dyfish krahasuar me vjet dhe kemi 5.5 herë më shumë se sa viti më i mirë që ka pasur qeveria socialiste, që ka qenë viti 2004. Por pa llogaritur këtu që ne shpresojmë, që në mes të vitit të kemi një tjetër shtesë në buxhetin që i dedikohet rrugëve. Edhe një herë do të theksoja se është e rëndësishme, që ne të vazhdojmë të mbajmë këto ritme investimesh, me qëllim që brenda një periudhe të shkurtër kohore të arrijmë të kapërcejmë të gjitha problemet që kemi pasur me infrastrukturën rrugore.
Megjithatë, zoti ministër planifikimi është vetëm njëra anë. Shqipëria vuan nga një sëmundje e hershme, që është ajo e mosrealizimit të konsiderueshëm të investimeve dhe cilësi të dobët në realizimin e tyre. Duke qenë se këtë vit shifra është shumë më e madhe, si do të mënjanohet ky defekt?
Ta ndajmë realizimin në dy pjesë. Ne edhe vjet kemi pasur një realizim shumë të mirë të investimeve me fonde buxhetore gjatë vitit të kaluar, gati 97 deri në 98 për qind e investimeve që vijnë gjithmonë nga buxheti i shtetit. Kemi pasur një mosrealizim në investimet me fonde të huaja, por prapë kemi qenë në kuotat e viteve më të mira. Kjo ndodh për shkak se procedurat që janë të negociuara kryesisht me fondet që vijnë nga qeveritë partnere në formën e granteve kanë procedura, ndonjëherë edhe të stërzgjatura, që planifikohen në buxhet, por për arsye nga më të ndryshmet, që fillojnë nga vonesat procedurale deri te mundësitë për të përfunduar në kohën e duhur projektet, shkaktojnë vonesa. Ne jemi duke punuar me partnerët tanë ndërkombëtarë për të bërë të mundur që gjatë këtij viti të kemi një ritëm tjetër të realizimit të investimeve me fonde të huaja. Shpresoj se ky vit do të jetë ndryshe.
Cilat janë projektet kryesore të rrjetit kombëtar rrugor që do të përfundojnë brenda dy vitesh?
Rrejti ynë kombëtar i rrugëve ka disa akte të përcaktuara. Ka aksin veri-jug, që nis nga Hani i Hotit deri në Kakavijë me zgjatimet e veta drejt Vlorës dhe aksit Sarandë-Konispol. T‘i marrim me radhë: Shkodër-Hani i Hotit është përfunduar projekti, është dorëzuar dhe priten vetëm procedurat e tenderimit. Rruga Lushnjë-Fier, sikurse e dini është duke u ndërtuar dhe përfundon këtë vit. Rruga Levan-Vlorë është duke u ndërtuar. "By Pass"-i i Fierit është në procedurë tenderimi. Në rrugën Levan-Tepelenë ka mbaruar procedura e prokurimit, është bërë vlerësimi përfundimtar dhe u është dërguar bankave. Dhe përfundimisht me të gjitha këto procedura që unë përmenda, aksi veri-jug plotësohet dhe afatet e veta kontraktuale realizohen. Kemi filluar rrugën e bregdetit, nga Vlora drejt Sarandës. Sa i përket atij që quhet Korridori i Tetë është tashmë i rehabilituar. Ne po bëjmë lidhjen e Qafë-Thanës me Kapshticën. Segment tjetër bazik është rruga e Kosovës. Po punohet në të gjithë gjatësinë e vet. Kemi filluar atë që njihet si Rruga e Arbrit, apo rruga e dytë drejt Maqedonisë. Në një segment të saj po punohet pjesa tjetër Bulqizë-Tiranë, e cila është tenderuar. Jemi në situatën që po tenderohen projekte në disa akse të tjera kryesore, sikurse është boshti qendror i Jugut, që është rruga Tiranë-Elbasan, Belsh-Kuçovë, Kuçovë-Berat dhe Berat-Tepelenë. Do të futet në projekt-zbatimi këtë vit, me shpresë që ta financojmë shumë shpejt. Më pas kemi një sërë rrugësh që lidhin aksin veri-jug me bregdetin, si rruga e Velipojës, rruga Lezhë-Shëngjin, rruga e Divjakës, Spillesë etj.
Në çdo skaj ka pra investime që po bëjnë një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës në vend.
Zoti ministër, janë një sërë projektesh që po financohen me shuma jashtëzakonisht të mëdha nga fondet publike. Pse qeveria nuk ka këmbëngulur te koncesionet në rrugë dhe pse deri tani kjo praktikë ka qenë e pasuksesshme në vendin tonë?
Koncesionet në rrugë nuk janë të lehta, pasi kërkojnë shuma kolosale, ashtu siç e thatë edhe ju me investime të rendit qindra milionë euro. Krahas kësaj, një tjetër faktor që e pengon këtë praktikë në vendin tonë është dhe motorizimi i pakët i vendit. Shqipëria është një vend që regjistron rreth 10 makina për 100 banorë, kur në vendet e BE-së kjo shifër është mbi 60 mjete për 100 banorë. Pra kemi trafik të ulët dhe kosto të lartë të ndërtimit të rrugëve, çka i bëjnë bizneset të mendohen mirë para se të marrin përsipër ndërtimin e ndonjë rruge me koncesion. Megjithatë, ne kemi aktualisht një procedurë koncesioni në dorë, një procedurë, që shpresojmë ta bëjmë sa më shpejt të zbatueshme. Bëhet fjalë për rrugën Rrogozhinë-Thumanë, një aks me gjatësi 60 kilometra, paralel me autostradën Tiranë-Durrës. Kemi një kompani kroate, që është interesuar për këtë koncesion dhe shpresojmë që sa më shpejt ta mbyllim.
Deri tani folëm për rrjetin bazë, por si një segment i rëndësishëm i infrastrukturës kombëtare konsiderohen edhe rrugët dytësore, ose siç quhen ndryshe rrugët rurale. Për këtë ka edhe një projekt të qeverisë në bashkëpunim me Bankën Botërore. Por duket se problemi kryesor mbetet financimi?
Jemi në një fazë shumë të avancuar. Kemi një numër të madh donatorësh që kanë shfaqur interes për të financuar këtë projekt. Projekti udhëhiqet sa i takon donatorëve nga Banka Botërore. Gjithashtu është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që është e gatshme, Banka Evropiane e Investimeve, qeveria japoneze, po ashtu është e gatshme të kontribuojë dhe një sërë institucionesh të tjera financiare. Pra jemi në një fazë të avancuar. Ne shpresojmë që rreth fundit të muajit prill, por gjithsesi, jo më larg se muaji maj, të fillojmë zbatimin e këtij projekti. Aktualisht jemi duke seleksionuar projektet e para që na kanë mbërritur nga pushteti lokal, jo ne por Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si agjencia zbatuese e ngarkuar për këtë detyrë. Kemi përfunduar dhe hartimin e metodologjisë se si do të veprohet, si do bëhet marrja e projekteve, vlerësimi i projekteve, standardizimi i tyre për të pasur garancinë, që këto punë të cilat do të kryhen, do të jenë punë jetëgjata dhe investime që do i shërbejnë komunitetit për një afat të pranueshëm.
A ka një afat konkret se kur përfundon projekti?
Kjo do të varet shumë edhe nga dinamika që do të ofrojnë njësitë e qeverisjes vendore, sepse janë ato që do të ofrojnë projektet, të cilat duhet të ofrohen sipas standardeve që ne i kemi përcaktuar. Kanë ardhur projektet e para. Ju thashë që do të fillojmë në çdo version, brenda muajit maj dhe më pas gjithçka do të varet nga kapacitetet që do të kenë njësitë e qeverisjes vendore për të hartuar dhe furnizuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit me projektet brenda parametrave të përcaktuara. Kjo është e vetmja vështirësi. Sa i takon problemit të financimit, mund të them me plot gojën se ai është i zgjidhur.
Cilat do të jenë kushtet e financimit nga ana e institucioneve ndërkombëtare të rreth 400 milionë dollarëve për këtë projekt zoti ministër? Bëhet fjalë për kredi me terma të buta apo kredi tregtare?
Do të jetë një kombinim, një paketë e kombinuar me grante, kredi me terma të buta, por edhe kredi komerciale, por që në totalin e saj do të jetë me terma të butë, që është përtej limitit komercial.
Zoti ministër, një pyetje të fundit, që nuk ka të bëjë me rrugët, por me një sektor tjetër mjaft të ndjeshëm për publikun, telekomunikacionin. Ju keni deklaruar se shqiptarët janë duke paguar tarifat më të shtrenjta të telefonisë në kontinent. Mendoni se futja e operatorit të tretë do të sjellë ulje të çmimeve për konsumatorët.
Ulja e çmimeve nuk do të vijë vetëm si rezultat i futjes në treg të "Eagle Mobile". Ky është vetëm një element. Ne kemi përgatitur një paketë me një sërë masash që do të sjellë uljen e çmimeve të telefonisë fikse, përfshi këtu edhe ligjin e fundit për komunikimet elektronike. Pas futjes së "Eagle Mobile", shumë shpejt do të kemi një licencë të katërt dhe unë do të hidhja poshtë edhe ato zëra që thonë se Shqipëria është një treg i vogël që nuk mund të mbajë 4 operatorë celularë. Kjo për vetë veçoritë e vendit tonë, ku rrjeti i telefonisë fikse mbulon vetëm një pjesë të vogël të territorit, si dhe numri i madh i shqiptarëve që ndodhen jashtë shtetit janë dy elemente që rrisin ndjeshëm tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Kështu që tregu nuk është mbuluar i gjithi dhe ka nevojë për më shumë konkurrencë.
SSSASS