E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa e Ina Ramës për ndihmë nga FBI-ja

Pak ditë më parë, kryeprokurorja deklaroi se nevoja emergjente e organit të akuzës mbetej mungesa e eksperiencës në hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Për këtë qëllim, ajo iu drejtua me një letër Ambasadës Amerikane në Tiranë ku një prej kërkesave ishte edhe mbërritja e specialistëve të Byrosë Federale të Hetimit, FBI, në Tiranë. Duke marrë parasysh që vendi ynë nuk ka një sektor të specializuar në identifikimin e kufomave, kryeprokurorja kërkoi ndihmën e aleatëve më të mirë të Shqipërisë për kryerjen e këtij procesi hetimi. Agjentët e FBI-së do të asistojnë hetuesit shqiptarë në kryerjen e identifikimit të kufomave, si dhe në këqyrjen sa më të plotë të vendit të ngjarjes. Mungesa e mjeteve të specializuara në të tilla raste, si dhe prishja e vendit të ngjarjes, është arsyeja që Rama kërkoi dhe ndihmën e ekspertëve të huaj. Ekspertiza e ADN-së do t’u kryhet jo vetëm kufomave, por edhe pjesëve të trupit që do të gjenden në afërsi të vendit të ngjarjes. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se laboratori, në të cilin do të kryhen analizat, i përket SHBA-ve dhe është i specializuar. Agjentët e FBI-së do të sjellin edhe aparaturat për të kryer këto ekspertiza.

24 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›