“Gërdec” edhe në futboll, shfryhet topi “Made in Albania”
Shtatë klube bojkotojnë kampionatin dhe kërkojnë Asamble të Jashtëzakonshme. Nga gjashtë takime të javës 24 të Superligës mund të luhet vetëm Besëlidhja-Dinamo
Dash Frashëri
Pas pezullimit pa afat në arenën ndërkombëtare nga FIFA dhe UEFA, kriza në futbollin shqiptar mori edhe një dimension kombëtar. Krizë totale në futbollin shqiptar, një nga më të rëndat në historinë 77-vjeçare të topkëmbës modeste shqiptare. Situata është katastrofike pas vendimit të djeshëm të drejtuesve më të lartë të shtatë klubeve elitare të futbollit shqiptar, por që gëzojnë edhe mbështetjen e 14 klubeve të kategorive inferiore, asaj së Parës dhe të Dytës (Fushaj tregoi edhe firmat e tyre). Kështu, java e 24-t e Kategorisë Superiore, e shtyrë të shtunën e kaluar pas tragjedisë së Gërdecit, ka të ngjarë të mos zhvillohet ose në rastin më të keq të bojkotohet. Nga gjashtë takime të Superligës mund të luhet vetëm një prej tyre, ai Besëlidhja-Dinamo, skuadra të cilat nuk bëjnë pjesë në “klanin anti-FSHF”.
SHTATË KLUBET
Të mbledhur në “Coloseu 2” në kryeqytet, pronë e presidentit të Vllaznisë, Valter Fushaj, shtatë drejtues të lartë klubesh: Partizani (i përfaqësuar nga drejtori Teknik Genc Tomori), Besa (e përfaqësuar nga presidenti Nexhar Bizhdili), Vllaznia (e përfaqësuar nga presidenti Valter Fushaj), Elbasani (i përfaqësuar nga presidenti Arben Laze e zëvendëspresidenti Gentian Çërraga), Shkumbini (i përfaqësuar nga Xhavit Ismaili), Tirana (e përfaqësuar nga donatori Refik Halili) dhe Kastrioti (i përfaqësuar nga sekretari i klubit Ramadan Ndreu e nënkryetari i Bashkisë së Krujës, Reshit Merlika), kërkuan bojkotimin e kampionatit në shenjë proteste, sipas tyre, kundër mosreflektimit të Federatës.
URGJENT ASAMBLEJA
“Kërkojmë të caktohet urgjent data për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, në bazë të statutit, neni 25, pika 2, ku janë mbledhur më shumë se 21 vota anëtarësh të nevojshme për këtë asamble”, - thuhej në deklaratën e shtatë klubeve, të lexuar nga presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili.
Pas debatesh që zgjatën më shumë se dy orë për të rënë në një konsensus dhe vendim përfundimtar, drejtuesit e shtatë klubeve vendosën edhe një ultimatum, edhe pse ishin të vetëdijshëm për penalitetet që i prisnin, duke filluar nga humbjet e ndeshjeve në tavolinë, zbritjen e pikëve, gjobat financiare e deri te zbritja disa kategori më poshtë.
SHTYRJE KAMPIONATIT
“Kërkojmë shtyrjen e kampionatit deri në caktimin e datës për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme”, - vazhdon deklarata e investitorëve më të mëdhenj të futbollit shqiptar. “Në rast mosplotësimi të kërkesave të mësipërme si dhe në rast të marrjes së ndonjë mase penalizimi ndaj klubeve që do të bojkotojnë nesër (sot) do të ndërmarrim çdo veprim demokratik për mbrojtjen e të drejtave tona deri në protesta si dhe deri në bojkotim total të kompeticioneve futbollistike”, - përfundon ajo.
HERA E PARË
Është hera e parë në epokën 5-vjeçare të presidentit aktual të FSHF-së, Armand Duka, por dhe në historinë 77-vjeçare të FSHF-së që ndodh një fenomen i tillë, bojkotim masiv i kampionatit. Drejtuesit e klubeve, edhe pse të mirinformuar për vendimin e FIFA-s, të përcjellë FSHF-së (edhe medias shqiptare) përmes letrës së presidentit të FIFA-s, Sep Blater, sërish nuk denjuan të reflektonin dhe të ndryshonin qëndrim.
DEKLARATË PËR SHTYP
Nga klubet e futbollit
Tirana, Partizani, Vllaznia, Besa, Elbasani, Shkumbini, Kastrioti:
Ne, klubet e futbollit të Superligës, jemi mbledhur sot, më datë 21.03.2008, për të paraqitur edhe një herë kërkesat tona duke marrë shkas nga vendimi i FIFA-s dhe UEFA-s midis të tjerave edhe “…heqjen e së drejtës së klubeve shqiptare për t’u përfaqësuar ne kompeticionet europiane…”, gjendjes së vështirë që po kalon futbolli, mosplotësimi deri më sot i kërkesave tona drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit më datën 17.03.2008, kërkesa të cilat janë vetëm në të mirë të zhvillimit të futbollit shqiptar në tërësi, duke dalë menjëherë nga kjo gjendje e jashtëzakonshme që po kalojmë.
Ne, 7 klubet e Superligës sot sërish vendosën:
1. Bojkotimin e kampionatit nesër (sot), në shenjë proteste kundër mosreflektimit të Federatës.
2. Kërkojmë të caktohet urgjent data për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, në bazë të statutit, neni 25, pika 2, ku janë mbledhur më shumë se 21 vota anëtarësh të nevojshme për këtë asamble.
3. Kërkojmë shtyrjen e kampionatit deri në caktimin e datës për mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme.
4. Në rast mosplotësimi të kërkesave të mësipërme si dhe në rast të marrjes së ndonjë mase penalizimi ndaj klubeve që do të bojkotojnë nesër (sot) do të ndërmarrim çdo veprim demokratik për mbrojtjen e të drejtave tona deri në protesta si dhe deri në bojkotim total të kompeticioneve futbollistike.
E nënshkruajmë këtë deklaratë duke kërkuar edhe përkrahjen e këtyre kërkesave nga të gjitha klubet e futbollit në vend duke u solidarizuar menjëherë me ne.
1. FK PARTIZANI
Përfaqësuesi Genc TOMORI
2. KS BESA
përfaqësuar nga presidenti Nexhat BIZHDILI
3. KF VLLAZNIA
përfaqësuar nga presidenti Valter FUSHAJ
4. KS ELBASANI
përfaqësuar nga presidenti Arben LAZE dhe
Zëvendëspresidenti Gentian ÇËRRAGA
5. KF SHKUMBINI
përfaqësuar nga presidenti Xhavit ISMAILI
6. KS TIRANA
përfaqësuar nga donatori Refik HALILI
7. KS KASTRIOTI
përfaqësuar nga: Nënkryetari i Bashkisë Reshit MERLIKA
dhe sekretari i klubit Ramadan NDREU
Tiranë, më 21 mars 2008
Katër kushtet e para
Katër kërkesat e klubeve
1) I kërkojmë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit të saj që brenda një afati kohor prej 5 ditësh, deri më datën 21.03.2008, të zgjidhë problemet me MTKRS-së.
2) Në rast të moszgjidhjes së këtij konflikti brenda datës 21.03.2008, ne jemi të vendosur të bojkotojmë kampionatin.
3) Në rast të moszgjidhjes së këtij konflikti brenda datës 21.03.2008, ne kërkojmë dorëheqjen e presidentit të Federatës.
4) Nëpërmjet MTKRS-së, kërkojmë përkrahjen e shtetit për më shumë mbështetje për futbollin në Shqipëri për të qenë në një hap me reformat që ka ndërmarrë qeveria në fushat e tjera të ekonomisë, për t'u konkluduar me privatizimin e klubeve.
Halili: “Unë presidenti i ri? Jo, jam më mirë donator”
“Nuk dëshironim të merrnim këtë vendim së bashku me presidentët e tjerë për këtë situatë që po kalon Shqipëria. Kërkojmë shumë ndjesë, por kemi qenë të detyruar këtë vendim, për investimet që bëjmë bashkërisht në futboll”, - tha donatori i Tiranës, Refik Halili. “Janë goxha të mëdha dhe jemi të detyruar të marrim këtë masë, për ta parë Shqipërinë ashtu siç e kemi parë në vitet e shkuara jo me rezultate negative, por duke shpresuar se nga dita në ditë do ta ngremë më lart”, - shtoi Halili. “Kemi tre vjet që e presim të dimë fatin e parave tona. Nuk jemi mbledhur këtu që ti kundërvihemi njeri apo tjetrit, por mendoj se tre vjet ishin të mjaftueshme për të zgjidhur problemet”, - theksoi një nga katër donatorët e 23-herë kampionëve të Shqipërisë. “Unë do të pyesja ministrin Pango apo presidentin Armand Duka, kur do ta zgjidhin problemin. Nëse ata janë të paaftë, të largohen menjëherë dhe t’i japin rrugën futbollit për të vazhduar më tej. Tirana? Unë jam një nga donatorët e Tiranës, por kam marrë miratimin e donatorëve të tjerë. Fakti është që gjatë kohës që morëm vendimin e parë nuk kam pasur një telefonatë nga donatorë e tjerë që të thonë se ne nuk jemi dakord me vendimin që ti ke marrë. Unë personalisht jam i larguar edhe në qoftë se do të vazhdojë të zhvillohet kampionati deri sa të mblidhet Asambleja e Tiranës. Përsa i përket anës financiare, këtë e them për tifozët e Tiranës për këtë sezon futbollistik e kam vënë në dispozicion të klubit. Edhe sikur të mos zgjidhet problemi unë do të takohem me përfaqësuesit e klubit vetëm në Asamblenë e tij. Atje do të flas. Përfitoj nga rasti, duke deklaruar edhe diçka tjetër. Meqenëse një pjesë e jona jemi investitorë në fushën e ndërtimit, unë personalisht dhe firma ime do të ndërtojmë falas tre shtëpi në Gërdec. Halili kandidat për president? Jo. Unë jam një njeri që rrjedh nga në familje punëtori që do të rrijë gjithmonë kështu siç kam qenë. Do të investoj gjithmonë në futboll, por jo këtë futboll që na ka mbërthyer”, - përfundoi Refik Halili.
Bizhdili: “Blater mund të jetë i manipuluar”
“Mediat janë të njohura për këtë problem. Ndoshta mund t’ua bëj unë një pyetje dhe jo ju ne. Kemi tre vjet e gjysmë që presim, me logjikën se po na shtrëngon UEFA, po na shtrëngon FIFA”, - tha presidenti i Besës, Bizhdili. “Ne nuk jemi as kundër zotit Duka dhe as kundër zotit Pango. Ne duam të dimë se ku do të shkojnë paratë tona”, - theksoi ai. “Futbolli të jep sadisfaksion, por kërkon edhe gjendje financiare. Dikush do të luajë në UEFA, dikush në Intertoto, lojtarët duhen paguar, por kështu ne jemi bërë tamam si ekip fshatrash”. Njëshi i kavajasve foli edhe për prezantimin e skuadrës së tij në Europë, ku nga UEFA u dyshua edhe për një trukim të ndeshjes Bezanija-Besa (2-2, 0-0). “Besa në Europë? Ne kaluam një tur, mundëm Bezanijën, por na mundi Liteksi. Ne ishim për herë të parë në Europë. Mendoj se Kavaja ka bërë shumë”. Bizhdili foli edhe për letrën e presidentit të FIFA-s, Jozef Blater dërguar FSHF-së. “Letra e Blater? Edhe Blater mund të jetë i manipuluar”.
“Kosova është Serbi”, notarit serb i hiqen medaljet
Çështja e pavarësisë së Kosovës vazhdon të jetë objekt diskutimi dhe në botën e sportit. Pështjellimet janë të ndryshme, por për notarin serb Milorad Caviç, dita e djeshme nuk ka shkuar fort mirë në kampionatin europian të notit qe po zhvillohet në Eindhoven të Holandës. Serbi është skualifikuar nga garat e mëtejme të Kampionatit Europian të Notit, për shkak se në ceremoninë e ndarjes së medaljeve ka veshur një bluzë në të cilën shkruante "Kosova është Serbi". Komisioni i Disiplinës i Federatës Europiane të Notit në një mbledhje urgjente e ka cilësor këtë veprim të notarit serb si një veprim të qartë politik. Si pasojë, komisioni vendosi ta skualifikojë Milorad Caviçin nga pjesëmarrja e mëtejme në garat individuale në Kampionatin Europian të Notit", thuhet në njoftim. Federata e Notit e Serbisë gjithashtu është dënuar me 7000 euro gjobë. Gjithashtu notarit serb i është hequr dhe medalja e fituar në disiplinën e 50 m flutur. Një prej zyrtarëve të Federatës Europiane të Notit ka pohuar se ky veprim është shumë i dëmshëm nga ana e Serbisë dhe do të jetë ndëshkime të tjera për këtë federatë të notit, ndoshta edhe mbi zyrtarët e saj. Notari, i cili pak kohë më partë u takua dhe me presidentin serb Tadiç, rrezikon të humbasë dhe të drejtën për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit për këtë veprim ndaj Kosovës. Komisioni I Disiplinës në Federatën Europiane të Notit do të përgatisë një relacion të gjatë ndaj tij dhe do t’ia paraqesë atë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që ky notar të marrë ndëshkimin e duhur.
Sektori i Garave: “Kush nuk luan, penalizohet”
Ndërkohë që shtatë klube të Superligës bënë të ditura se nuk do t’i hedhin skuadrat në fushë të shtunën, Sektori i Garave pranë FSHF-së, u tregua i ashpër në deklarimet e tij. “Ekipi që nuk do të luajë do të penalizohet”, citohet një zëdhënës i këtij sektori për “ORA SPORT”. Presidenti i Vllaznisë, Fushaj, e bëri të qartë se skuadra shkodrane nuk do të luajë takimin me Kastriotin (edhe ky klub ka firmosur letrën ankesë kundër Dukës). Edhe Partizani, sipas asaj që shkruhet në media, nuk do të luajë takimin me Teutën (pro Dukës).
Apeli i ul dënimin Kulit në 1 ndeshje
Protesta e Dinamos, një prej klubeve që nuk përfshihet në listën anti-Duka, ka dhënë efektin e duhur. Komisioni i Apelit pranë FSHF-së i ka ulur dënimin Bekim Kulit, një prej protagonistëve absolutë të sherrit të jashtëzakonshëm që plasi pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Partizani-Dinamo (0-0), që solli edhe eliminimin e skuadrës së kuqe. Kështu, lojtari i Dinamos, i dënuar më parë nga Disiplina me katër javë e 100 mijë lekë, tani do të vuajë vetëm një ndeshje pezullim dhe 30 mijë lekë gjobë. Mesfushori i avancuar Kuli do të humbasë vetëm takimin Besëlidhja-Dinamo.
Cana: “Nuk jemi ekip i madh, nuk jemi Lioni”
Pas eliminimit të turpshëm në të tetat e finaleve të Kupës së Francës nga Karkefu (0-1), një skuadër e panjohur e kategorisë së katërt franceze, kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, ka folur për gazetën prestigjioze sportive franceze “L’Equipe”.
Lorik Cana, si e përjetoni ju këtë eliminim nga Karkefu?
Është shumë i vështirë. Brenda një jave humbëm në dy kompetecione (Kupa UEFA, Kupa e Francës), që nuk ishin asgjë tjetër por dhe objektivat e klubit, por ai në Kupën e Francës shkon me traditën marsejeze. Nga ana tjetër, imazhi që lamë me dy ndeshjet e fundit parakupton një pikë negative në ecjen tonë. Rusia ishte një pickim apeli, por të dalësh nga një ekip i kategorisë së katërt është shumë e vështirë ta përtypësh.
Mund të mendojmë se ju dhatë gjithçka?
Kur shikon rezultatin dhe mënyrën, detyrimisht mendon se Olimpiku i Marsejës bëri një provë të plotë dhe nuk ishte i përfshirë mendërisht në këtë ndeshje. Kjo është edhe më e vështira për ta përtypur.
A mund të lërë gjurmë ko ndeshje?
Jo, veçse nga kujton fillimin e dobët të sezonit tonë. Më të vështirën e kemi lënë pas. Është veçse një rezultat negativ që ndalon dinamikën e fitoreve tona. Objektivi ynë është shumë i qartë, kualifikimi në Ligën e Kampioneve. Luajmë gjithçka për të.
Por brenda dhjetë ditëve, gjithçka është lëkundur. Përse?
Ka një tërësi faktorësh, edhe mentale sigurisht. Duke u përdorur për të fituar pa ndalim, ndonjëherë është e vështirë të vazhdosh duke fituar. Lioni, për shembull, di ta bëjë këtë.
Ju nuk jeni një ekip i madh?
Jo. Kjo është shumë e qartë. Ne nuk kemi pretenduar kurrë të jemi të tillë. Ne jemi një nga ekipet më të mira franceze, por pas Lionit. Nuk arrijmë dot të ruajmë një rregullsi në tërësinë e sezonit.
Si e parashikoni ndeshjen me Soshonë?
Është akoma herët për të folur, duhet të përtypim akoma humbjen, të llogarisim dëmtimet, por duhet qetësuar lojën. Unë e njoh Marsejën. Gjithçka është përpara nesh dhe ka aty një pritje të madhe. Jemi në sprintin e fundit, dhe ne nuk na lejohet të ngecim.
22 Mars 2008