E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Familjarët: KLDtë kontrollojë gjyqtarët

TIRANE-Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit do të dalin nesër në një konferencë për shtyp për të bërë publike disa kërkesa drejtuar organizmave institucionalë.

Konferenca është planifikuar për tu zhvilluar më 26 mars (nesër) në orën 11:00 përpara Gjykatës së Apelit të Tiranës, aty ku pritet të marrë udhë dhe procesi gjyqësor në ngarkim të 28 të pandehurve të tragjedisë së 15 marsit 2008, pas përfundimit të procesit gjyqësor në Gjykatën e Tiranës.

Ndër kërkesat, që kanë gjetur mbështetjen edhe të 41 organizata të tjera të shoqërisë civile janë: Treshja gjyqësore e kryesuar nga Ridvan Hado të zbardhë të plotë vendimin e 12 marsit 2012;  Kontrolli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.

JA KERKESAT
1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proces që përfshin interesin e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe brenda kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, dhe Gjykatën e Tiranës të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.

GERDECI
Shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve, më 15 mars 2008 në Gërdec solli vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 300 të tjerëve, dhe mijëra ndërtesave të dëmtuara. Tre ditë para 4 vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, Gjykata e Tiranës i dha fund maratonës së gjatë të procesit. Duke hedhur poshtë akuzën e vrasjes, gjykata dënoi të pandehurit vetëm për akuzat e dyta, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh. Mihal Delijorgji, pronari i Albademil u dënua me 10 vjet burg, Ylli Pinari, Ish drejtori i ndërmarrjes shtetërore të armëve MEICO-s dhe Dritan Minxolli– Ish-drejtor i kompanisë Albademil, u dënua me 18 vjet burg. Gjithsej 20 të pandehur morën një dënim total prej 98 vitesh burg, afërisht një shekull. Ndërsa 9 të tjerë kanë hequr përfundimisht akuzat nga shpatullat duke u deklaruar të pafajshëm. Prokuroria deklaron se ne gjykaten e Apelit do kërkojë rivendosjen e akuzës së vrasjes.
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›