E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, diskriminimit etnik i shtohet edhe ai profesional

Nga kjo shkollë janë duke përgatitur një ankesë me shkrim, lidhur me problemin e mësipërm.

“Kemi përgatitur ankesën të cilën do ta dërgojmë deri te organet kompetente që janë MASH-i dhe Qyteti i Shkupit, që t’i informojmë në mënyrë zyrtare për padrejtësitë që po na bëhen. Anëtarët e SASHK-ut me tre vjet përvojë pune kanë marrë vendim, kurse ne të tjerët që jemi gjithsej 30 deri në 35 profesorë, nuk kemi vendime pune edhe pse i plotësojmë të gjitha kushtet”, tha Abil Baush, përgjegjës për paralelet në gjuhën shqipe në shkollën e mesme “Cvetan Dimov”.

Sipas tij, çdo ditë hapen paralele të reja shqipe, ku gjithashtu hapet nevoja edhe për zgjerimin e kuadrit arsimor. Profesorë të cilët kanë nga 7-8 vite përvojë pune ende nuk kanë vendim.

“Si është e mundur që nxënësit shqiptarë të shtohen dita ditës në numër, ndërkohë që vendime marrin vetëm profesorët maqedonas?!”, thekson Baush.

Kurse nga ana e SASHK-ut thonë se atyre profesorë që u është bërë padrejtësi kanë të drejtë të ankohen gjithashtu edhe mund të ngrenë padi për diskriminimin e të drejtave të tyre.

“SASHK-u ka për detyrë që t’i mbrojë anëtarët e vet, por nëse ka raste në të cilat është shkelur ligji, atëherë duhet ngritur padi pa marr parasysh ai person a i takon SASHK-ut apo jo”, tha Myzafere Sinani, nënkryetare e SASHK-ut.

“Për ne u tha se nuk jemi të aftë ta kryejmë punën ashtu si duhet, kurse nga ana tjetër  ne nuk kemi as pedagog as psikolog shqiptar në një shkollë në të cilën ka 35 paralele shqipe”, tha Baush.

Ai gjithashtu shtoi se nëse nuk zgjidhet ky problem deri në fillim të gjysmë vjetorit të dytë, atëherë parashikohet të ketë grevë pasi që kemi edhe mbështetjen e plotë të prindërve sa i përket kësaj çështjeje.

Todorov: S’ka më vendime pune

Ministri Todorov tha se është plotësuar numri i atyre mësimdhënësve për të cilët janë parashikuar vendime pune. Por gjithashtu, ai shtoi se janë paraqitur disa çrregullime dhe padrejtësi ku ka pasur edhe shkelje të ligjit. Ato shkolla ku është paraqitur një gjë e tillë do të sanksionohet me padi penale.

“Sa i përket shkollës së mesme ‘Cvetan Dimov’ ende nuk kam marrë asnjë informatë për ndonjë pa rregullsi, por nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të mundohemi që në mënyrë sa më të shpejtë t’i zgjidhim këto probleme”, tha Todorov.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›