E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", Gjykata e Lartë refuzon prokurorinë

Gjykata e Lartë ka hedhur
poshtë kërkesën e
prokurorisë për revokim
të masës së sigurisë për tre të pandehurit
e Gërdecit. Kërkesat për
Mihal Delijorgjin, Dritan Minxhollin
dhe Ylli Pinarin janë
hedhur poshtë për moskompetencë,
ndërkohë që ajo do të
gjykohet në Gjykatën e Tiranës.
Pas komunikimit të akuzave së
"vrasjes në rrethana të tjera cilësuese
më shumë se dy personave",
"rrezikshmërisë së jetës së
më shumë se dy personave dhe
rrezikshmërisë së jetës së shumë
personave të tjerë", vepra penale
këto të kryera në bashkëpunim,
Prokuroria e Përgjithshme i është
drejtuar Gjykatës së Lartë me
një kërkesë. Sipas kësaj kërkese,
organi qendror kërkoi caktimin e
një mase sigurie shtesë për veprat
penale, për të cilat edhe i akuzonte
më së fundmi tre të pandehurit.
Por Kolegji Penal, pasi ka
shqyrtuar kërkesën e bërë nga
ana e prokurorisë, ka shpallur
moskompetencën e tij, duke ia
kaluar çështjen Gjykatës së Shkallës
së Parë. Nisja e hetimeve
për ish-ministrin e Mbrojtjes për
tragjedinë e Gërdecit, ka bërë që
Prokuroria e Përgjithshme t‘i
drejtohet Gjykatës së Lartë për
masën e sigurisë ndaj tre të pandehurve.
Kolegji Penal ka
shpjeguar se nuk mund ta gjykojë
një kërkesë të tillë, pasi tre personat
nuk janë persona me imunitet.
Pritet që shumë shpejt
kërkesa të gjykohet nga Gjykata e
Faktit, Tiranë. Ylli Pinari, Mihal
Delijorgji dhe Dritan Minxholli
akuzohen nga Prokuroria e
Përgjithshme si autorë të tragjedisë
së Gërdecit. Grupi hetimor
ka nën hetim edhe dy ish-punonjësit
e Ministrisë së Mbrojtjes,
Dashnor Çaushin dhe Sokol Gjecin.
Këtyre të fundit nuk iu është
komunikuar ende një akuzë,
ndërsa po verifikohen përfshirja
e tyre mbi vendimmarrjet dhe
dijenitë për demontimin e municioneve
në fabrikën e Gërdecit.
Sipas hetimeve, të pandehurit
kanë marrë në punë në këtë fabrikë
punëtorë, të cilët jo vetëm që
nuk kanë pasur dijeni në lidhje
me procesin e demontimit, por
nga ana tjetër kanë punësuar
edhe fëmijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›