Opozita: Karta e anti-korrupsionit të Berishës ka dështuar
Deklaratat e Kryeministrit dhe të deputetëve të mazhorancës se lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri po shkon gjithnjë e në ulje, duket se nuk ka bindur sa duhet opozitën. Sipas saj, shifra që paraqet mazhoranca dhe realiteti me të cilin përballen çdo ditë shqiptarët janë dy gjera krejt të ndryshme. Sipas kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, karta karta anti-korrupsion e Berishës ka dështuar. Sipas Leskajt, Kryeministri po mundohet të largojë vëmendjen nga tragjedia e Gërdecit, duke e quajtur pakujdesi të tmerrshme, ndërkohe që pak kohë më parë e ka quajtur aksident teknologjik. Duke komentuar daljen e fundit të Kryeministrit Berisha para mediave, Leskaj tha se "ai doli siç po bën gjithnjë e më shpesh këto kohët e fundit, jo vetëm për të thënë se ka luftuar korrupsionin po edhe për të kërcënuar prokurorët dhe gjyqtarët duke thelluar përpjekjet e tij për të vënë nen kontroll institucionet e pavarura dhe për ti kontrolluar ato". Ajo theksoi se Kryeministri është kapur pas raportit të TI, që këtë vit e rendit gjysmë pike më lart Shqipërinë. Mirë bën që e përmend raportin e TI, po a mund të na thotë pse harron apo bën sikur harron raportin e FMN, të cilin besoj që e ka lexuar. Kryeministri, tha Leskaj, i bëri dje thirrje sistemit të drejtësisë të nisë një proces pastrimi brenda tij. "Në fakt Kryeministri bëri më shumë se kaq kërcënoi drejtësinë, kërcënoi prokurorët dhe gjyqtarët. Kryeministri tha se reforma në drejtësi kërkon një pakt të gjerë politik. Me sa duket ka harruar se ne ofruam paktin për reformën në drejtësi, i cili u mbështet nga të gjitha forcat politike po që rri në sirtarët e Komisionit të Ligjeve" tha Leskaj. Gjithashtu kundër fushës së kryeministrit për luftën anti-korrupsion dhe për të kontrolluara sistemin e drejtësisë është shprehur edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta. "Kryeministri Berisha tregoi synimin për të shkatërruar dhe ç‘montuar shtetin e së drejtës dhe në radhë të parë pavarësinë e drejtësisë, në mënyrë që jo vetëm t‘i shpëtojë ndëshkimit të saj, por njëkohësisht ta përdorë dhe ta keqpërdorë atë për të zgjatur në mënyrë jolegjitime sundimin e vet" është shprehur Meta. Sipas tij janë një sërë iniciativash dhe jo një e vetme që tregojnë këtë frymëzim despotik dhe destruktiv të Sali Berishës, edhe projektligji për Administratën Gjyqësore është një tjetër sulm kundër pavarësisë së gjyqësorit, që është sanksionuar qartë në Kushtetutën e Shqipërisë dhe sidomos në nenin 7, ku bëhet qartë që gjyqësori është i pavarur nga pushtetit ekzekutiv, pra nga Qeveria.