Topalli-USAID, diskutim për imunitetin
Heqja e imunitetit të deputetëve duke hartuar një ligj të posaçëm duket se ka qenë objekt i diskutimi dje mes kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe drejtores së re të USAID-it, Roberta Mahoney, e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers. Kryetarja e Kuvendit Topalli pasi i ka uruar zonjës Mahoney suksese në detyrën e re, ka vlerësuar bashkëpunimin e shkëlqyer të institucioneve shqiptare me USAID-in. "Ne, theksoi Kryetarja e Kuvendit, i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për gjithë mbështetjen e dhënë në forcimin e demokracisë dhe në rrugën e anëtarësimit në NATO. Sipas saj ratifikimi në një kohë rekord i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga Senati amerikan, siç edhe theksohej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, erdhi si rezultat i një progresi të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë vitet e fundit. Duke u ndalur në hapat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe raportin e fundit të Transparency International, Kryetarja e Kuvendit ka nënvizuar se "është e jashtëzakonshme që Shqipëria u rendit në dhjetë vendet e para për suksesin më të madh për vitin 2008 në luftën kundër korrupsionit." Krahas partneritetit për luftën ndaj korrupsionit, implementimit të legjislacionit, Kryetarja e Kuvendit Topalli ka propozuar një bashkëpunim ndërmjet USAID-it dhe Kuvendit të Shqipërisë, veçanërisht në rritjen e rolit mbikëqyrës të parlamentit.