Shtesa e Kodit Penal, kundërshtohen dënimet "drakoniane"
Deputetët kanë ngritur alarmin se ngutshmëria për të forcuar dënimet për disa dukuri të rënda që kanë shqetësuar vendin, mund të çojnë në masa drakoniane, të cilët edhe mund të shkelin të drejtat e njeriut. Mazhoranca dhe opozita kanë debatuar përreth katër orë dje në Komisionin e Ligjeve për ndryshimet që kërkon të bëjë qeveria në projektligjin "Për ndryshimet në Kodin Penal". Këtë herë diskutimi më shumë se politik ka qenë juridik dhe profesional. Opozita në parim është shprehur pro këtij projektligji, por kur është bërë diskutimi i tij nen për nen deputetë të mazhorancës, por dhe të opozitës, kanë shprehur vërejtjet e tyre, duke u përpjekur t‘i justifikojnë ato me argumente konkrete pse kanë kundërshtuar nene të caktuara. Thelbi i diskutimit është bërë për tendencën e ashpërsimit të masave të dënimeve për vepra të cilat mund të shkaktohen edhe pa dashje, siç është zjarrvënia apo edhe ndërtimet pa lejë. Sipas opozitës, qeveria po lehtëson dënimet dhe po ngre një shërbim prove, për të monitoruar sjelljen e disa të dënuarve për krime të ndryshme, të cilët kanë përfituar lirinë, ndërkohë po ashpërson masat e dënimit për ata që kryejnë disa vepra, të cilat deri më tani nuk janë klasifikuar si dënime të rënda. Relatori i këtij projektligji, deputeti i mazhorancës, Spiro Peçi, ka paraqitur propozimet e tij në lidhje me këtë projektligj, duke u ndalur në nene të veçanta, propozime të cilat janë pranuar me unanimitet edhe nga opozita. Në lidhje me nenin 5, që ka të bëjë me shërbimin e provës, i cili duhet të mbajë kontakte me të liruarin, Peçi është shprehur kundër, duke kërkuar që në këtë projektligj të mbetet vetëm pika "c", e cila thotë se i dënuari është i detyruar të informojë në vazhdimësi shërbimin e provës për përmbushjen e kushteve dhe të detyrimeve të caktuara nga gjykata. Gjithashtu, Peçi ka dhënë propozimet e tij konkrete edhe për nenin 6 dhe nenin 8, të cilët kanë të bëjnë me punën që do të bëjë shërbimi i provës dhe pozicionin që duhet të mbajë i dënuari, i cili ka përfituar lirinë, por që vazhdon të jetë nën monitorim. Por debati më i madh, ka qenë nga neni 10 deri te nenin 15. Sipas relatorit Peçi, por edhe deputetëve të opozitës Majko, Fino, Isaraj dhe Braho, po synohet një ashpërsim që kalon kufijtë në llojet dhe masat e dënimit, si dhe parashikimi si vepra penale të shkatërrimit me dashje, dhe nga pakujdesia me anë të zjarrit të pyjeve dhe ndërtimet pa lejë. Sipas tyre, në të gjitha këto dispozita, bie në sy parashikimi i masave të dënimit drakoniane. Sipas opozitës, ashpërsimi i masave të dënimit, do të ishte i justifikuar nëse në praktikë do të kishte procedime penale dhe gjykime e dënime ndaj personave që vjedhin energji elektrike, shkatërrimin e rrjetit elektrik, ujësjellësit etj. Opozita ka theksuar se një ligj penal duhet të parashikojë përshkallëzimin e dhënies së "shembullit pozitiv". Pra, në fillim është gjoba, e cila vihet për një krim të lehtë dhe ka efekt paralajmërues dhe më pas duhet të vendoset dënimi me burgim. Gjithashtu, edhe për nenin 14, i cili dënon me burg nga 5 deri në 10 vjet, të gjithë ata që vjedhin energji, djegin pyje apo shkatërrojnë ujësjellësit, opozita kërkon që të zbutet kjo dispozitë, duke futur në praktikë edhe gjobën, si masa parandaluese dhe më pas të kalohet në ndëshkimin me burg.