E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, Gjykata e Lartë rrëzon akuzën

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Lartë rrëzoi dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për vendosje të masës së sigurisë për tre të arrestuarit për Gërdecin, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli për akuzën e re, “vrasje masive”. Pas rrëzimit të kësaj kërkese kolegji penal i Gjykatës së Lartë shpalli moskompetencën për këtë kërkesë dhe ia kaloi atë togave të zeza të kryeqytetit, ku më parë është vendosur një masë “burg pa afat” për tre të paraburgosurit nën akuzën e “shkeljes së rregullave me lëndët plasëse”. Kërkesa e organit qendror të akuzës u shqyrtua mesditën e djeshme ku u paraqit një përfaqësues i grupit hetimor për të mbrojtur kërkesën për vendosjen e masës shtrënguese, ndërsa për të pandehurit u paraqitën avokatët e tyre mbrojtës. Argumenti i paraqitur nga gjykata në këtë vendim është fakti se në Kushtetutë parashikohet se Gjykata e Shkallës së Tretë funksionon si Gjykatë Fakti vetëm në rastin e personave që kanë imunitet.
Argumenti
Në këtë rast Delijorgji, Pinari dhe Minxolli janë tre qytetarë shqiptarë dhe asnjë prej tyre nuk gëzon cilësi të veçanta apo imunitetin e të zgjedhurve nga populli, apo të emëruarve në poste apo detyra të të rëndësishme. Tashmë Prokurorisë do t’i duhet t’i drejtonte Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vendosjen e masës së dytë të sigurisë për tre të burgosurit. Ndërkohë, mbrojtësit e të pandehurve ishin ata që e kundërshtuan masën e sigurisë në Gjykatën e Lartë duke kërkuar shpalljen si institucion kompetent Gjykatën e Tiranës, në mënyrë që të kundërshtojnë aty kërkesën e organit të akuzës. Ndërkohë në Gjykatën e Lartë ndodhen edhe rekurset e të pandehurve për masën e sigurisë që ka vendosur në ngarkim të tyre Gjykata e Tiranës më 22 mars të këtij viti, një javë pas tragjedisë së Gërdecit.
Kërkesa
Prokuroria e Përgjithshme e paraqiti kërkesën për masën e dytë të sigurisë ndaj Pinarit, Delijorgjit dhe Minxollit në Gjykatën e Lartë pak ditë më parë, pasi ngriti ndaj tyre akuzën e “vrasjes me paramendim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, më shumë se një herë”, dhe rënduar nga fakti i bashkëpunimit. Si argument për t’iu drejtuar Shkallës së Tretë grupi special i hetimit përdori faktin se në këtë çështje person në hetim është edhe ish-ministri i Mbrojtës Fatmir Mediu, të cilit pak kohë më parë kolegët deputetë i hoqën imunitetin. Prokurorët u bazuan në Kodin e Procedurës Penale, sipas të cilit ish-ministri është subjekt i përveçëm i veprës penale, pasi është deputet i Parlamentit me imunitet dhe nëse akuzohet me persona të tjerë në të njëjtën çështje i përthith edhe këta në gjykatën kompetentë, që në këtë rast është e Larta. Sipas organit qendror të akuzës në këtë rast s’mund të ketë gjykata kompetente të ndara; Fakti për të tjerët dhe e Larta për Fatmir Mediun.

Abuzimi me faturën e Gërdecit,ngec hetimi se s‘ka ekspertë

TIRANE - Prokuroria ndodhet para një pengese serioze, e cila ka bllokuar hetimin për abuzimet me vlerësimin e dëmeve që shkaktoi tragjedia e Gërdecit. Prej më tepër se tre muajve, organi i akuzës në kryeqytet ka marrë kallëzime penale për abuzime në të paktën 58 raste të vlerësimit të dëmeve që janë shkaktuar në pronat dhe objektet që ndodhen në rajonin e Gërdecit. Bëhet fjalë për “fryrjen” fiktive të vlerave të dëmit nga ekspertët e Agjencisë së Legalizimeve, të cilët dyshohet se kanë pasur përfitime personale që i kanë nxitur të rrisin vlerat e dëmit. Në këtë mënyrë ata kanë përcaktuar shifra të larta dëmshpërblimi për personat nga të cilët dyshohet se kanë marrë ryshfet, duke hartuar fatura dëmi që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe që sipas Prokurorisë, i shkaktojnë shtetit dëm të konsiderueshëm financiar. Si pasojë e fryrjes së vlerës dhe faturave të dëmit edhe shteti është detyruar të paguajë shuma më të mëdha sesa duhej realisht, duke i shkaktuar kështu buxhetit një dëm të konsiderueshëm. Prokuroria e Tiranës filloi hetimet për këtë çështje pas kallëzimeve të bëra nga banorët e zonës por edhe nga policia e kryeqytetit. Në 58 raste, vlerësimi i ekspertëve të ALUIZNI-t dhe ekonomistit të Bashkisë së Vorës është llogaritur se nuk ka qenë objektiv dhe në përputhje me dëmin real që është shkaktuar. Madje një kallëzim në Prokurori është bërë edhe nga vetë Bashkia e Vorës, e cila paguante faturat e fryra të dëmit tek banorët apo bizneset e zonës së Gërdecit nga arka e saj. Me qëllim saktësimin e dëmit që i është shkaktuar shtetit, Prokuroria e Tiranës vendosi të caktojë disa ekspertë të pavarur, të cilët do të bënin vlerësimin objektiv dhe më pas ndryshimi i shifrave në raportin e këtyre ekspertëve me atë që kanë bërë specialistët e ALUIZNI-t, do të konsiderohej dëm ekonomik i shkaktuar në buxhetin e shtetit. Mirëpo Prokuroria tha se pas më tepër se tre muajve përpjekje ende nuk ka mundur të gjejë grupin e ekspertëve që do të bëjnë vlerësimin real të dëmeve në Gërdec për shkak të mungesës së specialistëve të kësaj fushe, si dhe për faktin se ekspertët që po hetohen për “fryrjen” fiktive të faturës financiare nuk mund të angazhohen sërish në këtë proces.                      tr.so        

Prokuroria: Kërkesa në Gjykatën e Lartë për shkak të Fatmir Mediut
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme sqaroi dje se i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për caktimin e masë së sigurisë ndaj tre të arrestuarve për çështjen “Gërdeci”, për shkak se në këtë dosje hetohet edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Sipas organit qendror të akuzës, referuar Kodit të Procedurës Penale, në rastet kur një person me imunitet hetohet në një dosje penale me persona të tjerë që nuk kanë imunitet, atëherë kompetencën e gjykimit e merr Gjykata e Lartë e cila ka për kompetencë shqyrtimin e masave të sigurimit të personave me imunitet. “Nuk mund të ketë dy gjykata kompetente për të njëjtën çështje penale. Sipas Procedurës Penale, për shkak se Gjykata e Lartë ka kompetencën e gjykimit të masave të sigurisë dhe hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, atëherë kjo gjykatë ka për kompetencë të gjykojë edhe personat tjerë që hetohen në të njëjtin procedim penal”, janë shprehur burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, arsyetimi i Gjykatës së Lartë në refuzimin e kërkesës së akuzës për të vendosur masën e sigurisë për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj më shumë se dy personave, sipas nenit 79 të Kodit Penal germa dh, ka qenë fakti se Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli janë persona pa imunitet dhe si të tillë duhet të gjykohen nga Shkalla e Parë.           tr.so      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›