Trafiku i drogës, përleshje mes 8 shqiptarëve në Itali
ITALI – Tetë shqiptarë ranë dje në prangat e policisë italiane pas një sherri të ndodhur mes dy bandave të dielën në qytetin Busoleno. Policia tha se, dy grupe me nga katër persona janë përleshur në qendër të qytetit ndërsa anëtari i njërës palë ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja ka ndodhur të dielën në ora 10:00 kur 4 shqiptarë ishin ulur në disa stola, në qendër të qytetit të Busolenos, në rrugën “Val Di Susa”. Aty është afruar një makinë në të cilën ndodheshin katër shqiptarë të tjerë dhe pasi ata kanë bërë disa xhiro përreth grupit shqiptar të ulur në stola, kanë filluar konfliktin. Sipas policisë mësohet se shqiptari me inicialet G.X., 34 vjeç, ka zbritur nga makina me një pistoletë në duar. Me të parë armën ka shpërthyer një grindje e madhe, ku shqiptarët janë qëlluar me shkelma, grushte, madje dhe me thika. Me plagë të rënda ka përfunduar 34-vjeçari G.X., i cili është shtruar në gjendje të rëndë në spital. Tetë shqiptarët, me moshë nga 19 deri në 37 vjeç dhe me precedentë penalë, janë arrestuar nga karabinierët italianë. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë shpjegime për shkakun e përplasjes fizike që ka ndodhur në një vend publik të qytetit. Pistoleta që mbante në duar i plagosuri është gjetur disa orë më vonë në një bar afër vendit të ngjarjes, në lokalin që është edhe pronë e kunatit të njërit prej shqiptarëve që u përfshinë në konflikt. Hetuesit italianë dyshojnë se sherri shpërtheu për kontrollin e trafikut të drogës. Policia është duke hetuar në këtë drejtim me qëllim zbulimin e veprave penale, në të cilat janë implikuar personat që u përfshinë në sherrin e ndodhur në mes të qytetit.