Skualifikohen italianët, çekët e CEZ fitojnë OSSH
FABIOLA ÇELA
Kompania çeke “CEZ” ka ofruar 102 milionë euro për blerjen e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Ministria e Energjetikës do t’i propozojë qeverisë shpalljen e kompanisë fituese të tenderit të OSSH-së. Do të jetë qeveria ajo që do të japë vulën përfundimtare për shpalljen e kompanisë fituese. Pas kësaj, kontrata për privatizimin e OSSH-së do të kalojë për miratim në Parlament. Privatizimi i OSSH-së është një ndër proceset më të vështirë, por njëkohësisht edhe më të rëndësishëm të vendit.
Tenderi
Në orën 14:00 të ditës së djeshme startoi hapja e ofertave teknike të kompanive që ishin të interesuara për të blerë aksionet e OSSH-së. Përpara hapjes së tenderit për privatizimin e OSSH-së kishin shfaqur interes katër kompani të huaja. Por gjatë tenderit të djeshëm, kompania tjetër austriake EVN nuk u paraqit fare, ndërsa “Energy Shtanmark” njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga tenderi, duke njoftuar se nuk do paraqiste ofertë. Në këtë mënyrë vetëm kompania italiane “Enel” dhe ajo çeke “CEZ”, vijuan garën për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Përpara hapjes së ofertave teknike të kompanive, drejtuesit e qeverisë bënë të ditura kushtet që duhet të plotësonin kompanitë. Ulja e humbjeve në rrjet në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në fund të 2014-ës, ishte kushti i vendosur nga pala shqiptare. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pasi mori në shqyrtim ofertat teknike të dy kompanive, vendosi: “Oferta teknike e paraqitur nga kompania italiane Enel SpA nuk kalon vlerësimin teknik, pasi nuk respekton kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike. Ndërsa oferta teknike e paraqitur nga kompania çeke CEZ a.s. kalon vlerësimin teknik”. Pas kësaj drejtuesit e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave hapën ofertën financiare të kompanisë “CEZ”. Po dje në orën 19:00, u hap oferta financiare e CEZ s.a, e cila kishte ofruar 102 milionë euro. “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të bëje vlerësimin e saj dhe më pas do t’i propozojë qeverisë shqiptare shpalljen e fituesit”, thuhet në deklaratën e ministrisë. Privatizimi i OSSH-së është një ndër proceset më të vështirë, por njëkohësisht edhe më të rëndësishëm. Me privatizimin e këtij sektori pritet që të përmirësohet situata e furnizimit me energji elektrike në vend, të përmirësohet shërbimi në fushën e furnizimit me energji elektrike dhe reduktim agresiv të humbjeve teknike dhe joteknike, duke mbajtur në kontroll kostot dhe çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Renditja
• Cez, 102 milionë euro
• Enel u skualifikua për efekt dokumentacioni
• EVN, nuk u paraqit
• “Energy Shtanmark” u tërhoq nga tenderi
• 76% e aksioneve të OSSH-së do të privatizohen