“Pesë rreziqet e bankave nga kriza amerikane”
Kriza financiare që ka prekur bankat amerikane, për fat të mirë nuk është reflektuat në sistemin bankar në vend. Por, pavarësisht kësaj situate pozitive, drejtuesit e bankave që operojnë në tregun vendas duket të tregojnë shumë kujdes me dhënien e kredive. Përveç dhënies së kredive bankat duhet të tregojnë më shumë kujdes edhe në marrjen e kredive me bankat mëmë që operojnë në tregjet evropiane. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me drejtues të bankave, kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka vënë në dukje pesë rreziqet që i kanosen sistemit financiar në vend. Sipas tij, bankat duhet të ndjekin në mënyrë më të kujdesshme ecurinë e cilësisë së aktiveve dhe ka ardhur koha për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe ecurisë së treguesve të likuiditetit. Madje, sipas guvernatorit, është shumë e rëndësishme të merren në konsideratë disa elementë. Së pari, mungesa e një tregu të zhvilluar të parasë dhe të tregtimit të letrave me vlerë, kufizon mundësitë e institucioneve financiare për të plotësuar nevojat e papritura për likuiditet, nëpërmjet shitjes së aktiveve të konsideruara si “likuide”. Për shkak të krizës financiare në tregjet e huaja, është vështirësuar gjithashtu tregtimi për disa letra me vlerë, që më parë preferoheshin nga investitorët. Elementi i dytë ka të bëjë me diferencat në madhësinë e institucioneve në sektorin bankar, sasia dhe cilësia e kolateralit, si dhe kufizimet për ekspozimet e drejtpërdrejta mes institucioneve, vështirësojnë qarkullimin e fondeve likuide në tregun ndërbankar, në kohën dhe në madhësinë e kërkuar. Për shkak të rritjes së konkurrencës, ekziston rreziku i krijimit të mospërputhjeve të rëndësishme midis aktiveve dhe burimeve të financimit në bilanc, për sa i takon llojit të monedhës dhe afatit të maturimit. Përveç këtyre disa nga institucionet i janë drejtuar gjithashtu huamarrjes nga grupet bankare zotëruese, në një përpjekje për të ruajtur shpejtësinë dhe madhësinë e kreditimit. Për shkak të faktorëve objektivë që kanë kushtëzuar në kohë mungesën e eficencës, sektori bankar në vendin tonë ka patur nivele mjaft të larta likuiditeti. “Ju duhet të rishikoni cilësinë e portofolit të letrave me vlerë, veçanërisht të atij në valutë, për të realizuar karakteristikat optimale të sigurisë dhe të tregtueshmërisë”, u ka theksuar Fullani drejtuesve të bankave.
Gjatë forumit të djeshëm, guvernatori Fullani u ka kërkuar drejtuesve të bankave që të bëjë një analizë “kosto/rrezik” të të gjitha veprimtarive të saj, dhe të shtrijë sistemet e teknologjisë së informacionit. Gjithashtu ata duhet të vendosin në “rrjet” të gjitha degët dhe veprimtarinë e saj, të forcojë strukturat njerëzore të kontrollit, në të gjitha proceset e veprimtarisë, veçanërisht në operacionet e thesarit, të mbledhjes së depozitave dhe të dhënies së kredive, si edhe të kryerjes së transfertave/pagesave si dhe të dokumentojë të gjithë procesin, duke evidentuar qartë strukturat dhe personat përgjegjës, si dhe duke rregulluar procesin e delegimit të përgjegjësive.