Berisha: Topi të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit
Kryeministri Sali Berisha i ka kushtuar vëmendjen kryesore dje edhe në mbledhjen e grupit parlamentar luftës kundër korrupsionit. Në pjesën pa mediat, kreu i qeverisë mësohet të ketë thënë se Presidenti Topi duhet të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që ka shprehur rezerva ndaj punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku kreu i saj është pikërisht kreu i shtetit, por edhe ndaj organit të akuzës. Ndërkohë para mediave, Kryeministri Berisha është shprehur se Parlamenti ka rolin e supervizorit. “Informohem se ka institucione, të cilat i kanë mbyllur dyert supervizimit parlamentar. Absolutisht nuk do të pranohet një gjë e tillë. Përsa kohë ky vend të jetë republikë parlamentare, ky institucion do të ushtrojë të gjitha kompetencat e supervizionit ndaj cilitdo institucion në këtë vend. Kjo është transparenca”, theksoi kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha kërkoi konsensusin e opozitës për kryerjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, opozita duhet të jetë më e interesuar për luftën ndaj korrupsionit. “Normalisht kurrë nuk mund të ketë interesa të ndryshme. Është opozita ajo që duhet të jetë më e interesuar për këtë luftë dhe është ajo që denoncon, që lufton, por është edhe detyrimi më madhor moral i saj, por edhe ligjor që fjalët t`i shoqërojë dhe me vepra; të bashkohet në reformat e mëdha për heqjen e imunitetit, reformat në institucione, të cilat përdorin pavarësinë për të fshehur korrupsionin”, u shpreh më tej Berisha.