E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, Mediu implikon Berishën

Fatmir Mediu thyen heshtjen dhe nis të zbulojë fakte të fshehura dhe emra që janë implikuar në çështjen e Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes "kryqëzon" shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxhën, dhe implikon edhe Kryeministrin Sali Berisha me tragjedinë famëkeqe të 15 marsit. Pasi kaluan 48 ditë nga shpërthimi i depove të municioneve në periferi të Tiranës, kreu i republikanëve vendos të flasë hapur, duke u shprehur se "kam heshtur për më shumë se një muaj në respekt të drejtësisë dhe institucioneve. Deklarimi dhe adresimi publik i akuzës më detyron të jem përpara opinionit, për të bërë publike faktet dhe dokumentet që vërtetojnë pafajësinë time". Mediu ka theksuar faktin se ish-ministri i Mbrojtjes ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vendimin e Këshillit të Ministrave dhe ka respektuar mendimet e autoriteteve më të larta ushtarake e civile gjatë vendimmarrjes së tij. Me anë të kësaj deklarate, ministri Mediu, me anë të dokumentacioneve që ai dispononte gjatë konferencës për shtyp, ka lënë të kuptohet se implikon hapur edhe shefin e qeverisë, për faktin se Berisha ishte në dijeni për Gërdecin. Çështja "Mediu-Gërdec" duket se do të sjellë një spirale të re në debatin politik, duke zbuluar fakte që deri dje kanë qëndruar të fshehura nga ana e kryerepublikanit. Dokumentacioni i plotë akoma nuk është bërë publik, përpos fakteve që kanë dalë deri tani në media të ndryshme dhe dokumentacionit që pasqyroi kreu i republikanëve gjatë konferencës së djeshme në monitorin e ndodhur mbrapa shpinës së tij. Fenomeni "Gërdec" duket se ka frikësuar deri në palcë republikanët, të cilët, në bazë të deklaratave të lëshuara mbi Prokurorinë e Përgjithshme, duket se u tremben rezultateve përfundimtare të hetimeve. Mediu, gjatë konferencës për shtyp ditën e djeshme, ka pohuar se demontimi i armëve bëhej nga Forcat e Armatosura, për të cilën përgjigjet Kryeministri. Duke bërë një pasqyrim të plotë mbi procesin e demontimit, për hierarkinë dhe për mënyrën e veprimit konform rregullave, ish-ministri i Mbrojtjes ka bërë me dije se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe s‘ka bërë asnjë parregullsi, duke i mëshuar kështu fort deklaratës së të shtunës së kaluar, kur ka thënë se hetimet e prokurorisë janë tendencioze dhe të njëanshme. Prokurorja Ina Rama ka përmendur emrin e ish-ministrit Mediu për disa shkelje dhe për këtë gjë ajo ka kërkuar që ai t‘i nënshtrohej një procesi hetimor. Në mbrojtje të këtyre deklaratave, Mediu thyen heshtjen, duke hedhur përgjegjësinë e ngjarjes së 15 marsit mbi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Krahas deputetëve dhe mbështetësve republikanë, në konferencë ishte i pranishëm edhe një tjetër ish-ministër i kabinetit "Berisha", Besnik Mustafaj.

Mediu i përgjigjet Topit

"Presidenti informohet nga FA dhe jo nga ministri"

Qëndrimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në lidhje me hetimin e nisur nga prokuroria për çështjen e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes është përgjigjur se "Presidenti i Republikës nuk ka qenë përgjegjës i drejtpërdrejtë apo i tërthortë për këtë çështje". Sipas Mediut, "Presidenti i Republikës, apo presidentët e Republikës që kanë qenë para, kanë një informacion rutinor ditor, i cili vlerësohet nga autoritetet ushtarake, pasi del nga qendra operacionale e Shtabit të Përgjithshëm dhe në qoftë se qendra operacionale ka një çështje shqetësuese, atëherë Presidenti i Republikës vihet në dijeni nga këshilltari i tij ushtarak, që është shefi i Shtabit të Përgjithshëm".

Edhe në këtë linjë, ish-ministri i Mbrojtjes ka fajësuar ushtarakët për atë që ndodhi më 15 mars në depon e municioneve në Gërdec. "Në qoftë se nuk ka një çështje që ngrihet si shqetësim, atëherë nuk e di ku do ta gjejë shqetësimin Presidenti i Republikës", tha Mediu. Kohët e fundit, kreu i republikanëve ka shpeshtuar takimet me eksponentët e lartë të PD-së, si Kryeministri Sali Berisha, sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Ridvan Boden, por edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin. Ajo që vlen të theksohet është një takim i munguar mes tij dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Kryerepublikani fajëson ushtarakët për shpërthimin

FA bashkë me MEICO-n vendosën për Gërdecin

Kreu i republikanëve ka sqaruar dje se pse u zgjodh Gërdeci për demontimin e armëve. Duke iu referuar një memo-je të Shtabit të Përgjithshëm, Mediu theksoi se në këto dokumente citohet se vendi do të zgjidhet mes palëve. "Rezulton se ka një negociatë midis MEICO-s dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe kanë rënë dakord me Gërdecin. Por dua t‘iu theksoj se çdo civil kudo që shkon dhe viziton reparte të Forcave të Armatosura e bën këtë me leje nga autoritetet ushtarake, duke i treguar qëllimin pse shkon", theksoi Mediu në fjalën e tij. Ende fakte të tjera priten të zbardhen nga ish-ministri Mediu, nëse shqetësimi i tij për rezultatin përfundimtar të hetimeve do të fillojë të shtohet. Cili në të vërtetë është zyrtari i parë që ka diskutuar në rrugë procedurale mundësinë e prokurimit të drejtpërdrejtë të çmontimit të fishekëve për kompaninë amerikane, ortake me Delijorgjin. Këto janë detajet e pathëna të ish-ministrit Mediut, të cilat priten të zbulohen nga prokuroria.

Mediu zbulon dokumentet

Berisha kishte dijeni për kontratën me SAC

Mbrohet ish-ministri: Jam i pafajshëm

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk e ndien veten më shumë fajtorë se eksponentë të tjerë të lartë të këtij vendi, duke hedhur në adresë të tyre një lumë akuzash, që i lidhin ata me përgjegjësitë ligjore të shpërthimit të 15 marsit. Dorëheqjen nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, Mediu e cilëson një akt moral dhe nuk e ndien vetën fajtor nga ana ligjore për atë që ndodhi në Gërdec, ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 njerëz të tjerë. "Kam vepruar në respekt të ligjit dhe nuk kam kryer asnjë parregullsi. Ka pasur një plan demontimi, ndërsa depot e municionit kanë qenë të licencuara sipas standardeve të NATO-s", tha Mediu. Ai thekson se demontimet janë bërë nga kompani private, që janë stimuluar dhe financuar kryesisht nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania. "Procesi i demontimit është shumë i rëndësishëm, sepse ka rrezik për sigurinë kombëtare. Kjo nuk është një çështje ushtarake, por kombëtare dhe duhet vlerësuar nga të gjithë", tha ai. Kryetari i Partisë Republikane bëri publike dje në mesditë një sërë dokumentesh, të cilat analizojnë ngjarjen e Gërdecit. Sipas tij, këto fakte dhe dokumente, të bëra publike, provojnë se "ministri i Mbrojtjes ka vepruar në autoritetin që i jep ligji pa e shpërdoruar atë; ministri nuk ka pasur ndonjë zell të veçantë apo marrëdhënie personale me kompaninë SAC apo me partnerët e tyre; ministri, në përputhje me ligjin dhe vendimin e Këshillit të Ministrave, ka respektuar mendimet e autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile gjatë vendimmarrjes së tij".

Sipas Mediut, janë këto struktura, këto autoritete, të cilat kanë

përpunuar, vlerësuar dhe formatuar urdhrat dhe aktet e ministrit. "Urdhrat janë zbatuar nga strukturat ushtarake dhe civile pa asnjë reklamimin te ministri, strukturat e sigurisë, informimit, e luftës kundër krimit në Forcat e Armatosura apo të inspektimit dhe nuk kanë paraqitur te ministri me shkrim apo me gojë asnjë informacion, që të vinte në dukje probleme apo parregullsi për demontimin që kryhej në Gërdec", tha ish-ministri i Mbrojtjes.

Më tej, Mediu paraqiti të gjithë dokumentacionin dhe korrespondencën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, kompanisë SAC, ndërmarrjes MEICO, por dhe vendimin e Këshillit të Ministrave mbi procedurën e çmontimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›