E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia mund të hyjë në krizë të thellë

Flet për radion "Evropa e Lirë", seksioni serb, politologu Florian Bieber, i universiteteve Kent e Kenterberi në Britaninë e Madhe

Zoti Bieber, cilat janë sipas jush sot rreziqet më të mëdha për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Rreziku më i madh politik dhe për sigurinë e stabilitetin është rezultati i zgjedhjeve në Serbi. Nëse në Serbi fiton ndonjë koalicion që përfshin Partinë Radikale Serbe, atëherë shoh mundësitë për krizë, sidomos në Veri të Kosovës. Por ky rrezik do të jetë dhe për keqësimin e situatës në Serbi në kuptimin politik. Nuk shoh ndonjë luftë, por shoh krizë të thellë politike, që mund të zgjasë dy vjet.

Por partitë në Serbi nuk ndryshojnë për çështjen e Kosovës?

Nuk ndryshojnë për çështjen e Kosovës, por ndryshojnë nga mënyra me të cilën ato duan të luftojnë për Kosovën. Nëse do të fitojë ndonjë koalicion, në të cilën Partia Demokratike të ishte forca kryesore, atëherë mbetet ideja se Kosova do të jetë dhe në të ardhmen pjesë e Serbisë. Por ata këmbëngulin dhe në integrimin evropian të Serbisë dhe kjo natyrisht është politikë plotësisht tjetër nga ajo e Partisë Radikale Serbe. Ka mjaft dallim mes partive kryesore në Serbi, edhe pse nganjëherë ato tingëllojnë si të ngjashme.

Në cilin drejtim mund të zhvillohen marrëdhëniet e ardhshme të Prishtinës me Beogradin?

E keni fjalën për të ardhmen e afërt?

Në të ardhmen e afërt. A janë sipas jush reale fjalët për ndarjen e Kosovës?

Për momentin nuk shoh asnjë mundësi për ndonjë marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, të paktën në të ardhmen e afërt. Pas një periudhe prej dy vitesh, shoh më shumë hapësirë për ndonjë marrëveshje. Sigurisht, se pas shpalljes së pavarësisë, ka disa nevoja për marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Ne kemi parë se numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk është aq i madh ose aq sa vala e njohjes që kemi pritur. Në këtë kuptim, për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, sidomos në BE, duhet ndonjë marrëveshje me Serbinë. Kosova nuk do të jetë anëtare e asnjë organizate ndërkombëtare, pa një lloj marrëveshje. Çështja është se çfarë do të bëhet për dy vjet për këtë marrëveshje dhe njëri prej opsioneve është një lloj ndarjeje. Por unë nuk shoh asnjë gatishmëri brenda Serbisë për ta bërë një gjë të tillë tani, sepse ajo tani kontrollon një pjesë territori dhe akoma këmbëngul për të gjithë territorin e Kosovës. As nga pala kosovare nuk shoh gatishmëri për të bërë çfarëdolloj marrëveshjeje me Serbinë.

A mendoni se Bashkësia Ndërkombëtare ka strategjinë e qartë se si do t‘i zgjidhë problemet në lidhjen Prishtinë-Beograd?

Sigurisht, nuk ka ide. E gjithë ideja për nënshkrimin e marrëveshjes (MSA) nuk ka qenë krejtësisht konstruktive, sepse kjo vjen në momentin e fundit para zgjedhjeve. Kjo duhet të zgjidhet në afat të gjatë dhe jo vetëm kur të vijnë raste si zgjedhjet. Ky, për mua, është tregues se nuk ka ndonjë strategji afatgjatë ndaj Serbisë dhe po ashtu nuk ka strategji as ndaj Kosovës. Nëse e shohim gjendjen e EULEX-it, ajo deri tani është e dobët. Nuk shohim ndonjë ndryshim rrënjësor nga koha e UNMIK-ut dhe nuk është e qartë se cila do të jetë marrëveshja mes UNMIK-ut e EULEX-it. Kam përshtypjen se bashkësia ndërkombëtare deri tani nuk ka strategji dhe kjo natyrisht është më e rrezikshmja.

Bashkësia Ndërkombëtare është aktori kryesor që mund të paqësojë situatën në rajon. Por nëse disa parti nacionaliste e kuptojnë se bashkësia ndërkombëtare ndoshta nuk ka strategji, ndonjë vizion, fuqi apo vullnet për ndonjë politikë me marrëveshje, atëherë ata do ta shfrytëzonin këtë.

Në këtë kuptim, është koha që bashkësia ndërkombëtare të ravijëzojë ndonjë strategji rajonale. Nuk mund të zgjidhet marrëdhënia me Serbinë, pa zgjidhur marrëdhënien me Kosovën dhe njëkohësisht me Bosnjë-Hercegovinën. Të gjitha këto probleme janë të lidhura dhe nuk mund të merresh vesh vetëm me një vend.

Në çfarë mase mund të jenë të kërcënuara vende të rajonit, si Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia, nga moszgjidhja e konfliktit mes Serbisë e Kosovës?

Nuk shoh ndikim direkt, që ngjarjet në Serbi e Kosovë të kenë ndikim të keq në ngjarjet në Mal të Zi. Madje nuk shoh as shkallë më të lartë problemesh. Tani ka krizë politike në Maqedoni, që është e lidhur me mosnjohjen e emrit dhe me mosmarrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Momentalisht situata është e qëndrueshme. Por, nëse zgjerohet një lloj destabiliteti, nëse vjen në pushtet në Serbi ndonjë qeveri nacionaliste, natyrisht se do të ketë ndikim në situatën politike, në stabilitetin e në investimet e huaja në të gjitha vendet e rajonit, Në këtë kuptim, askush nuk është aq larg sa të mund të shmanget, nëse ka krizë në një pjesë të rajonit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›