E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinematografia shqiptare na dhuron edhe katër premiera të reja gjatë vitit 2008

Autori i Lajmit: Red.
Publiku shqiptar do të ketë mundësi të ndjekë disa prodhime të reja kinematografike, të cilat i kanë munguar prej kohësh. Askush nuk e parapriu suksesin e filmit të regjsorit Pirro Milkani, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i cili u ndoq me të njëjtin interes si edhe filmat e Oskarit. Gjatë këtij viti publiku shqiptar do të ketë mundësi që të ndjekë dhe disa premiera të tjera filmash shqiptarë. Do të jenë katër prodhime kinematografike, të cilat do të kenë premierën e tyre në ekranin e kinemasë “Millenium”. Nga Qendra Kombëtare Kinematografike bëhet e ditur se gjatë vitit 2008 premierë do të jenë filmat: “Histori provinciale”, “Koha e kometës”, “Sekretet” si dhe filmi “Ne dhe Lenini”. Katër premiera do të jenë në ekranin e kinemasë duke sjellë së bashku me historitë që ato tregojnë edhe interpretime të shkëlqyera të aktorëve që janë personazhet e këtyre filmave. Filmi “Koha e kometës” vjen me regji dhe skenar të Fatmir Koçit, i ndërtuar mbi romanin “Viti i mbrapshtë” të Ismail Kadaresë. Pas xhirimeve në Maqedoni, regjisori Koçi u dha dorën e fundit xhirimeve të filmit në Shkodër, duke mbyllur një projekt që tashmë do ta ketë premierën e tij në ekranin e kinemasë. Regjisorit gjatë këtij filmi iu desh të përballej me shumë vështirësi, si financiare, ashtu edhe vështirësi të tjera objektive, të cilat më në fund, falë këmbënguljes dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare, arriti që ky film të mbyllej. Filmi i Fatmir Koçit “Koha e kometës” pritet me shumë interes jo vetëm për këtë fakt, por edhe pasi Koçi ka qenë nga regjisorët e suksesshëm të viteve të fundit, mjaft i lakuar nëpër festivale, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Gjithashtu ky film e ka bazën nga romani i famshëm i Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, i përkthyer në mjaft gjuhë dhe shumë i njohur në arenën ndërkombëtare. Për këtë film janë angazhuar edhe mjaft aktorë të huaj, me një karrierë të shkëlqyer ndërkombëtare. Regjisori Fatmir Koçi për filmin “Koha e kometës” ka përzgjedhur aktorë me famë ndërkombëtare, krahas aktorëve tanë, si Blerim Destani, aktori i Hollivudit, Ralf Moeller, Masiela Lusha, aktori i njohur maqedonas Vllado Jovanovski, Çun Lajçi, Genti Zenelaj, Xhevdet Jashari, Luan Jaha, Adem Karaga, Marsela Lena, Naomi Valeska, Mendim Murtezi, Sefedin Shabani, etj. Drejtor i fotografisë është irlandezi Donal Gilian. Skenografia është realizuar nga Igor Toshevski, ndërsa për kostumet është kujdesur kostumografja maqedonase Zhaklina Krstevska. Dy prodhime të tjera kinematografike, që do të jenë premierë gjatë këtij viti nga QKK, mësohet se janë filmat “Ne dhe Lenini” me regjisor Saimir Kumbaron dhe “Sekretet” nga Spartak Pecani. Filmi “Sekretet” ka si qëllim të hapë me modesti kutinë e sekreteve të një vendi, duke imagjinuar se çfarë drejtimi mund të marrë gjenerata e ardhshme, duke propozuar, nëse jo një zgjidhje, të paktën një lidhje me botën, vigjilencën dhe përshtatshmërinë e domosdoshme të vetvetes. Për këtë film regjisori Pecani ka përzgjedhur një staf të mirë aktorësh, si Neritan Liçaj, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Ermela Teli, Burbuqe Çifliku, Eftiola Laçka, Pandi Toçe, Arta Muçaj. Filmi është njëkohësisht një dramë psikologjike dhe një film alegorik. Në kuadër të shfaqjes së filmave shqiptarë pritet edhe premiera e filmit “Një histori provinciale” e regjisorit Artan Minarolli, një film i bazuar në skenarin e Ylljet Aliçkës, ku marrin pjesë aktorë të shkëlqyer, si Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Aleko Prodani, Sheri Mita, Arta Muça, dhe mes tyre edhe violinisti i shquar Tedi Papavrami. Ndërsa në Shqipëri priten premierat e këtyre filmave, nga Qendra Kombëtare Kinematografike mësohet se në kinematë e Strasburgut është shfaqur një tjetër prodhim kinematografik, filmi “ I dashur armik” me regji të Gjergj Xhuvanit.

Ky lajm është publikuar: 27/03/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›