“Gërdeci”, Mediu mungon në seancën e pyetjeve në Prokurori
TIRANË - Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duhet të paraqitej dje në Prokurorinë e Përgjithshme për një tjetër seancë pyetjesh. Burime nga organi qendror i akuzës bënë të ditur se ish-ministri, tashmë i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, që u mori jetën 26 personave, nuk është paraqitur në prokurori, por u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës, Ardian Visha. Ky i fundit ka deklaruar në prokurori se ish-ministri ndodhet në SHBA për arsye personale. Ndërkaq, është vendosur që seanca e radhës e pyetjeve në prokurori të mbahet në shtator. Ish - ministrit Mediu, njëkohësisht deputet i PR-së në Parlamentin Shqiptar, iu hoq mes shumë debatesh më 16 qershor të këtij viti imuniteti që ai gëzon. Pas heqjes së imunitetit, Prokurorisë iu hap drita jeshile të hetonte deputetin për kohën kur ai ka qenë ministër i Mbrojtjes. Në kërkesën e kryeprokurores Ina Rama, që i drejtohej Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish – ministrit, numëroheshin të paktën 20 shkelje ligjore, mes të cilave dhe ajo e favorizimit për firmën “AlbDemil”, e cila dispononte dhe fabrikën e municioneve që shpërtheu më 15 mars të këtij viti në Gërdec duke shkaktuar një tragjedi njerëzore dhe një dëm prej miliona lekësh material.
27 Gusht 2008