Krimet e Rënda rikthejnë në qeli dy të akuzuarit për trafik pistoletash
Gjykata e Krimeve të Rënda riktheu dje në qeli dy të arrestuarit për trafik pistoletash. Dy ditë pas arrestimit, të akuzuarit janë njohur zyrtarisht me akuzën e trafikimit të armëve. Gjatë paradites, ata janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie drejt sallën së gjykatës ku do të jepej dhe masa e sigurisë. Kujtim Laçi dhe Afrim Stafuka u mbrojtën dje nga dy avokatë të zgjedhur nga familjarët e tyre. Ata preferuan të mos flisnin duke ia lënë mbrojtjen e tyre në dorë të avokatëve. Policia e Shtetit, në një deklaratë për shtyp, njoftoi arrestimin e Kujtim Laçit, 44 vjeç dhe Afrim Stafukës, 39 vjeç, arrestime që kanë finalizuar operacionin e koduar “Stazhieri”, i cili nisi sot rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Mbikalimi” në Fushë-Krujë. Dy të arrestuarve në momentin e ndalimit iu kapën 6 pistoleta tip mini-zastava, të kalibrit 6.6 mm, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin për qëllime përfitimi. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, të dyshuarit Kujtim Laçi iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale rreth 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë. Gjithashtu, gjatë këtij operacioni u sekuestruan edhe 2 automjete, njëri tip “Fiat” e tjetri tip “Audi”, tri palë targa false, që përdoreshin nga këta shtetas, si dhe tre aparate celularë. Ndaj shtetasve Kujtim Laçi dhe Afrim Stafuka u kryen veprimet procedurale dhe materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda nën akuzën e kryerjes së veprave penale “trafik armësh e municionesh luftarake e kryer në bashkëpunim”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Operacioni i zhvilluar sot është finalizim i një hetimi që Sektori kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar ka kryer për një kohë relativisht të gjatë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda.
27 Gusht 2008