E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi nga puna në administratë, Dobjani i shkruan Barkës



Laureta Rryçi

Tiranë - Largimi nga puna me pa të drejtë i disa punonjësve e ka detyruar Avokatin e Popullit t’i shkruajë ministrit Kosta Barka. Burime pranë Avokatit të Popullit pohuan dje për gazetën “Albania” se shkak janë bërë ankesat e pesë punonjësve të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Të njëjtat burime shpjeguan se Dobjani, pasi u njoh zyrtarisht me ankesën e ish-punonjësve të administratës, vendosi t’i rekomandojë ministrit Barka rikthimin e tyre në detyrë. Pas kësaj shkrese, Avokati i Popullit është në pritje të përgjigjes zyrtare të ministrit. Ankesat mësohet se janë bërë nga një grup punonjësish të Zyrës Rajonale të Punësimit Tiranë, të cilët pretendojnë për një seri shkeljesh të kryera nga njësia administrative e Drejtorisë se Auditimit të SHKP-së gjatë kontrollit të Drejtorisë Rajonale të Punësimit Tiranë.
Ankesat
Të gjendur përballë faktit të pushuar nga puna, pesë ish-punonjës të administratës kanë vendosur të ankohen në Zyrën e Avokatit të Popullit. Fillimisht ata kishin shkruar një letër zyrtare për t’i njohur me shqetësimin e tyre, ndërsa më pas janë pritur nga komisionari, i cili është marrë me problemin e tyre. Pas kësaj, Dobjani është informuar hollësisht me ankesën e qytetarëve.
Konkretisht, ankuesit Xheka Lamaj, Evgjeni Korkuti, Hamide Aga, Orjola Zaimi dhe Gezim Zaimi, pretendojnë se auditi ka “urdhëruar” masa disiplinore për pushim nga puna dhe gjoba të ndryshme për këta punonjës në mënyrë krejt të padrejtë dhe jo ligjore. Sipas Avokatit të Popullit, ankuesit kanë ngritur pretendimet e tyre për mënyrën e largimit nga puna. Madje ankuesit kanë pretendojnë se në asnjë rast nuk janë pyetur për të sqaruar pozicionin e tyre në drejtim të shkeljeve të konstatuara në procesverbalin e akt kontrollit, si dhe kontrolli ka qenë tendencioz dhe dashakeqës për vetë faktin se drejtoresha e Auditit nuk ka pasur marrëdhënie të mira me ish-kolegët e saj.
Rekomandimi
Dobjani i ka kërkuar ministrit fillimisht ta sqarojë mbi pretendimet e ngritura nga pesë ankuesit. Në të njëjtën kohë, Avokati i Popullit i ka sugjeruar ministrit se brenda kompetencave që i njeh ligji, të pezullojë aktin administrativ deri në përfundim të shqyrtimit nga ana e tij të rastit konkret.
Në Zyrën e Avokatit të Popullit mbërrijnë pothuajse çdo ditë ankesa të ish-punonjësve për largim të padrejtë nga puna. Kryesisht Avokati i Popullit ndjek të njëjtën procedurë. Fillimisht njihet me ankesën dhe më pas nis procedurat zyrtare me drejtuesit e ministrive në emër të të cilëve janë bërë dhe ankesat.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›