E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretendimet e SHIK-ut për Haki Hoxhën rezultojnë të pabaza



Tiranë - Lidhur me artikullin e datës 22 gusht 2008 sqarojmë opinionin publik se të dhënat e Shërbimit Informativ Kombëtar për zotin Haki Hoxha, aktualisht oficer madhor i Policisë së Shtetit, janë të pavërteta dhe të pabaza. Konkretisht, bëjmë me dije se nuk disponohet asnjë material faktik në arkivat dhe kartotekat e Ministrisë së Brendshme që të njollosë me terma poshtërues si agjent të shërbimeve të huaja sekrete zotin Haki Hoxha. Po ashtu informojmë se nuk gjendet asnjë dokument, që siç pretendohet në artikullin e sipërpërmendur, zoti Hoxha ka qenë gjoja i kërkuar nga Interpoli dhe aq më tepër për vrasje, apo krijimin dhe drejtimin e ndonjë grupi të strukturuar kriminal, për gjoja destabilizimin e situatës në zonën verilindore të Shqipërisë. Përkundrazi, zoti Haki Hoxha rrjedh nga një familje tejet e persekutuar nga diktatura komuniste, ku vetë ai ka vuajtur dënimin prej 5 vjetësh në burgjet e sistemit të kaluar. Shërbimi Informativ Kombëtar i atyre viteve ishte po ai shërbim që e ka ndjekur dhe persekutuar zotin Hoxha. Haki Hoxha ka braktisur azilin politik për t’u rikthyer në detyrën e tij në shërbim të vendit, duke kontribuuar në Policinë e Shtetit. Madje edhe dokumentacioni i dosjes së tij policore ka kaluar në filtrin e kontrollit të të gjitha instancave shtetërore, ku Haki Hoxha rezulton me një figurë të pastër.

27 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›