Gërdeci, PS del në mbështetje të grevistëve
Grupi parlamentar socialist do të vazhdojë të kërkojë në Kuvend të drejtat e grevistëve të tragjedisë së Gërdecit. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj dhe deputeti Musa Ulqini, në emër të Partisë Socialiste, vizituan në shenjë solidariteti të strehuarit në një apartament në Vorë. "Na vjen keq që arrini në këtë ditë dhe që ju shohim në këtë gjendje", tha kryetarja e grupit parlamentar. Ajo kujtoi se ka paraqitur dhe po pret në Parlament projektin për sa i takon kompensimit të anës materiale, por edhe dëme të tjera, si pagesën për dëmtime fizike, pagesën për humbjen nga vendi i punës. "Pagesën për kohën e humbur nga mosnjohja e periudhës së punës nga sigurimet shoqërore dhe të gjitha të drejtat që ju takojnë, sepse ju jeni viktima të një krimi shtetëror dhe këto kosto nuk duhet t‘i paguajë populli i Gërdecit, por shkaktarët e krimit", shtoi ajo. Leskaj siguroi se do të vazhdohet me nismën e dytë që lançuar që më 16 prill, me të gjitha kompensimet dhe të drejtat e tjera që u takojnë të gjithë atyre që kanë punuar në Gërdec, të gjithë familjarëve që kanë humbur jetën në Gërdec, të gjithë atyre që kanë jetuar rreth e rrotull dhe vazhdojnë të kenë pasojat e kësaj tragjedie të madhe. "Ajo lidhet me pagat, pensionet, çështje të invaliditetit, për të cilat këta po bëjnë edhe një sakrificë sublime, duke qenë në emër të komunitetit dhe atyre që po vuajnë pasojat. Që sot do t‘i kërkojmë në Parlament kërkesat, derisa të plotësohen", garantoi Leskaj.