E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e Pinarit, Gjykata e Tiranës jo kompetente

Ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO do të duhet të riadresojë kërkesën e tij për shpalljen të paligjshme të sekuestros së vendosur nga prokuroria për materialet e gjetura në zyrën e tij. Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të shpallë moskompetencën e saj lidhur me shqyrtimin e padisë së Ylli Pinarit. Sipas vendimit të gjykatës, dokumentet e ish-drejtorit të MEICO janë sekuestruar nga Prokuroria e Përgjithshme dhe për këtë arsye padinë e Pinarit mund ta shqyrtojë vetëm Gjykata e Lartë. Për këtë arsye gjykata e ka pushuar çështjen, duke i treguar Pinarit rrugën drejt Gjykatës së Lartë.

Ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO, i marrë nën përgjegjësi penale si një nga personat përgjegjës për ngjarjen tragjike të Gërdecit, kishte ngritur rreth 20 ditë më parë një padi me objekt "vlerësim sekuestroje". Në këtë padi ai kishte kërkuar shpalljen e paligjshmërisë së veprimit të prokurorisë për sekuestrimin e dokumenteve dhe materialeve që janë gjetur gjatë kontrollit në zyrën e tij, duke kërkuar rikthimin e tyre. Pinari, së bashku me administratorin e firmës "Albademil", Mihal Delijorgji, dhe drejtorin e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, Dritan Minxolli, përbëjnë treshen e të arrestuarve për ngjarjen e 15 marsit, prej së cilës humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Sipas deklarimeve publike të Kryeprokurores Ina Rama, ish-drejtori i MEICO-s ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke rrëfyer ato që ai di lidhur me aferat dhe përgjegjësitë për fabrikën e demontimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›