E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë familje në Konvaleshencë, derisa të marrin paratë

Familjet që nuk i janë përgjigjur thirrjes për të dalë nga ambientet e Shtëpisë së Pushimit në Durrës do të vazhdojnë të qëndrojnë aty deri në marrjen e parave. Insistimi i familjarëve për të mos dalë nga këto ambiente pa marrë në dorë çekun me vlerën e qirasë për muajt në vazhdim ka triumfuar. Kryetari i Bashkisë së Manzës, Bujar Huqi, tha për gazetën se të shtata familjet janë të përfshira në skemën e përfitimit, por kjo bashki, ashtu si dhe ajo e Maminasit, banorët e së cilës u prekën nga shpërthimi i Gërdecit, janë trajtuar ndryshe nga Bashkia e Vorës. Huqi siguron që familjarët e mbetur do të marrin paratë që u takojnë dhe po punohet për të përshpejtuar procedurat për këtë përfitim, ndërkohë që gjatë ditës së diel është biseduar me autoritetet e Shtëpisë së Pushimit, që këto familje të mbetura të vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e Konvaleshencës dhe të kenë shërbime të plota deri sa të përmbushen të gjitha detyrimet ndaj tyre në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave për këtë çështje. Ora 08:00 e ditës së djeshme duhet ta gjente të boshatisur plotësisht Konvaleshencën e Durrësit nga familjet e strehuara atje që prej muajit mars. Afrimi i sezonit turistik dhe kohës së pushimeve për zyrtarët e Ministrisë së Brendshme i përshpejtoi afatet kohore për largimin e familjeve të ardhura nga fshatrat e prekura nga shpërthimi i 15 marsit dhe përgatitjen e ambienteve hoteliere për pritjen e pushuesve të tyre. Kjo ngjalli mjaft reagime dhe protesta mes banorëve, po në fund me dhënien e parave për sistemimin e tyre nëpër shtëpi me qira, të gjithë filluan të largohen, me përjashtim të një numri të vogël familjesh, të cilët duke mos qenë banorë në varësi të Bashkisë së Vorës, por të njësive vendore që përfshihen në territorin e rrethit Durrës, nuk kanë mundur të përfitojnë në kohë dhënien e parave për qiratë e banesave ku do të strehohen deri në riparim të shtëpive të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›