E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Shqipëria kujton njëvjetorin e ditës së tmerrit

Ishte mesdita e së shtunës, 15 marsi 2008, kur në Gërdec, vetëm pak kilometra larg Tiranës ndodhi shpërthimi tragjik, i cili u mori jetën 26 personave e mbi 300 të tjerë u plagosën. Ajo ditë e shtunë ishte shumë e qetë, kur një lëkundje si tërmet, apo si bombë atomike, tronditi, jo vetëm Tiranën, por gjithë Shqipërinë. Të gjithë pyesnim veten se çfarë mund të kishte ndodhur, e pa kaluar shumë kohë, u deklarua se kishte shpërthyer një fabrikë municionesh pak përtej Vorës. Ishte pikërisht në fshatin Gërdec, që deri në ato momente shumë pak veta e dinin që ekzistonte një fshat i tillë. Lajmi i kobshëm mori dhenë dhe u tha se tragjedia është e përmasave shumë të mëdha. Askush nuk donte ta besonte. Pavarësisht se tronditjet e shpërthimit ishin dëgjuar në Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë, e deri në Lezhë. Ndërsa një vajzë, e cila akoma nuk kishte mbledhur veten u shpreh se mendonte se kishte filluar Lufta e Tretë Botërore. E vërtet tragjedia ishte e përmasave tejet të mëdha. Fillimisht, të plagosurit e parë erdhën në spital, duke deklaruar se kishte ndodhur një shpërthim galopant, e që ata kishin qenë duke udhëtuar në autostradë, ku avulli i nxehtë u kishte spostuar mjetin. Pak minuta më vonë, njoftohet se një autobus me më shumë se 40 udhëtarë ishte përmbysur nga tronditja. Policia dhe ushtria vihen në gatishmëri numër 1 dhe nisen për në vendngjarje. Aty kuptohet se kishte shpërthyer fabrika e demontimit të armëve, e cila ishte vendosur në Gërdec, jashtë gjithë kushteve të mundshme. Brenda flitej se kishte pasur mbi 50 punëtorë, fati i asnjërit prej tyre nuk dihej. Kishte kaluar vetëm një orë pas shpërthimit katastrofal dhe pasojat kapën përmasat e ngjashme me ato të një bombe atomike. Shtëpitë e fshatit ishin dëmtuar plotësisht nga vala goditëse dhe muret ishin rrëzuar në një largësi, që mund të matet me kilometra. Ndërsa sa të vdekur ishin, nuk kishte asnjë informacion. Autoritetet deklarojnë se në fabrikë ka pasur shumë punëtorë. Numri i saktë nuk dihej. Të mbijetuarit e fshatit, të tmerruar, bëni lëvizje pa orientim dhe në vesh mbanin telefona, për të gjetur të afërmit e tyre. Ndërsa Spitali Ushtarak mbipopullohet me njerëz të gjakosur, të gjymtuar, e pa kaluar shumë kohë, me kufoma. Të gjithë ishin përfshirë nga paniku dhe evakuimi është bërë në rrëmujë e sipër, duke u larguar krejt instinktivisht sa të munden në anën tjetër të shpërthimit. Makinat kishin bllokuar rrugët, se nga nxitimi për të ikur sa më larg valës goditëse, ishin përplasur mes tyre. Minutat dhe orët kalonin dhe tragjedia merrte përmasa edhe më të mëdha. Frika dhe paniku ishte i pranishëm edhe tek autoritetet ushtarake, pasi ekzistonte mundësia që të kishte edhe shpërthime më të fuqishme. Aeroporti i Rinasit del jashtë funksionit. Vala goditëse kishte mbërritur edhe aty, duke shkaktuar disa të plagosur. Askush nuk dinte të jepte një përgjigje ekzakte sesa ishte numri i viktimave. Por, spitalet numëronin rreth 300 pacientë të dëmtuar pikërisht nga ky shpërthim. Krateri vazhdonte të ishte i aktivizuar dhe digjte predha e barut, duke i hedhur në një largësi me qindra metra. Ndërsa gjithë vendi po përjetonte këtë tmerr në mbrëmje fillojnë të dalin edhe emrat e viktimave të para. Tragjedia nuk kishte të sosur. 26 persona mbetën të vdekur, 300 të plagosur dhe qindra shtëpi ishin rrënuar. Tashmë ka kaluar një vit nga ajo ditë e zezë për të gjithë. Por edhe pse kaloi një vit, ende shihen gjurmët e shpërthimit tragjik, që vështirë do fshihet nga kujtesa e të gjithëve.

Retrospektivë

Durrësi, si u përball me traumat e udhëtarëve

15 marsi i një viti më parë përcolli dhe në Durrës zhurmën e pasojat e shpërthimit në fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec të Vorës. Udhëtarët e njërit prej autobusëve të linjës Tiranë-Durrës u përfshinë papritur në ngjarjen e pazakontë, ndërsa spitali rajonal u mbush plot me njerëz të plagosur. Ata që ishin në autobus kujtojnë valën e fortë të nxehtësisë dhe presionin që theu xhamat e dritareve dhe njëkohësisht dëmtoi rëndë kabinën e autobusit. Alarmi se u bënë viktima të një akti terrorist i mbështolli në panik, po shoferi nuk e humbi toruan dhe vazhdoi rrugën duke dalë nga zona e rrezikut. Pasagjerët e autobusit, ku ndodheshin edhe 2 gazetarë të TVSH-së, ende ndiejnë se i detyrohen një falënderim të përzemërt shoferit anonim. Spitali i Durrësit priti rreth 100 të plagosur që morën aty ndihmën e parë, ndërsa shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, si dhe objektet e hotelerisë private akomoduan mbi 800 të evakuuar nga zona përreth vendit të shpërthimit. Me gjithë kushtet e ofruara të evokuarit u përballën me shumë vështirësi, ndërsa mbartnin probleme të natyrës psikike për shkak të shpërthimit dhe asaj që kaluan pas largimit nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar kokën. Prokuroria nisi hetimet dhe bllokoi përkohësisht biznesin e Delijorgjit në Shkozet. Një vit më pas në Durrës gjithçka i është kthyer normalitetit. Gërdeci ka mbetur veç një ngjarje e kohës, po jo mënyra si po trajtohet ajo.

Lista e personave që humbën
jetën nga tragjedia e Gërdecit

1. Jetmir Sali Ballazhi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Mat
2. Rajmonda Medi Durda, 34 vjeçe, banuese në Marqinet
3. Muhamet Ramiz Hoxha, 57 vjeçe, banues në Tiranë
4. Besim Fadil Çanga, 51 vjeç, banues në Vorë
5. Roland Gëzim Alla ,20 vjeç, banues në Vorë
6. Hysen Abaz Cani, 50 vjeç, me banim në Marqinet
7. Liljana Ramiz Deliu, 25 vjeç, banues në Gërdec
8. Jetmir Qemal Deliu, 22 vjeç, banues në Gërdec
9. Flavio Uran Deliu, i moshës 4 vjeç, banues në Gërdec
10. Reshit Haxhi Kruja, 46 vjeç, banues në Vorë
11. Mehmet Laze Hazizi, 62 vjeç, banues në Marqinet
12. Bukurie Bektash Cani, 46 vjeç, banues në Gërdec
13. Arben Fetah Hasa, 30 vjeç, punëtor në Vorë
14. Zilie Shyqyri Kaca, 29 vjeç, punëtore në Gërdec
15. Endri Mustafa Dvorani, 46 vjeç, ekonomist i firmës
16. Shefki Ahmet Cani, 45 vejeç, banues në Gërdec
17. Zelije Bajram Leti, 20 vjeçe, banuese në Marqinet
18. Ilirjan Ndue Malci, 45 vjeç, lindur e banues në Laç
19. Shqipe Dilaver Hasa, 25 vjeçe, banuese në Picar
20. Azem Kadri Hamolli, 44 vjeç, banues në Shkozë
21. Azem Meliu ndërroi jetë në spital, Itali
22. Nafie Laci ndërroi jetë në spital, Itali
23. Kore Deliu ndërroi jetë në spital, Itali
24. Zylfi Ahmeti, ndërroi jetë në spital, Itali
25. Qemal Deliu, 48 vjeç, ndërroi jetë në Itali
26. Edison Durda, ndërroi jetë në Itali

TË PANDEHURIT:
1. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
2. Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit
3. Agim Lala, ish-zëvendësshef i Shtabit
4. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar
5. Zija Bahja, ish-komandant i Komandës Mbështetëse
6. Ramadan Tartari, ish-drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes
7. Ndue Marku, ish-drejtor i Harmonizimit të Legjislacionit
8. Ardian Mullahi, ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë
9. Adriatik Mema, ish-sekretar i përgjithshëm i ministrisë
11. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit
11. Dashnor Çaushaj, kryetar i komisionit të kategorizimit të municioneve
12. Zenun Fero, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve
13. Hysni Coçka, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve
14. Hilmi Laçaj, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve
15. Fari Toska, anëtar i komisionit të kategorizimit të municioneve
16. Rezart Tërshana, anëtar i komisionit të çmimeve të fishekëve
17. Besnik Dauti, anëtar i komisionit të çmimeve të fishekëve
18. Agim Babameto, anëtar i komisionit të çmimeve të fishekëve
19. Fiqiret Mato, drejtor i uzinës mekanike Gramsh
20. Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan
21. Gëzim Oshafi, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda
22. Denis Hajdari, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda
23. Jorgo Mino, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda
24. Fatbardh Kuçi, anëtar i komisionit të çmimeve të municioneve të rënda
25. Juliana Margariti, ekonomiste, shefe finance te MEICO
26. Firma "Albademil", me pronar Mihal Delijorgjin
27. Bardhyl Hoxha, drejtor i Logjistikës
TË PANDEHUR NË BURG
28. Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO-s
29. Mihal Delijorgji, administrator i shoqërisë "Albademil"
30. Dritan Minxholi, drejtor teknik i shoqërisë "Albademil"
31. Sokol Gjeçi, ish-punonjës i ndërmarrjes shtetërore MEICO

PS dhe LSI, sot dy protestat për Gërdecin

Opozita pritet të zhvillojë sot dy mitingje në njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. I pari organizohet në sheshin "Skënderbej" dhe kryesohet nga Partia Socialiste. Në këtë tubim do të mblidhen edhe mbështetësit e Partisë Socialdemokrate, ata të Lëvizjes G99 dhe Partisë Demokracia Sociale. Të tjerë të ftuar për t‘iu bashkuar nismës janë edhe Shoqata e Minatorëve, shoqata "Gërdeci", ish-ushtarakët në lirim, konfederata e sindikatave dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës. Ky aktivitet do të fillojë në orën 18.00 dhe në turmë do të ketë vetëm flamuj evropianë dhe kombëtarë. Në krahun tjetër është programuar të zhvillohet në 17.00, protesta e kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe e mbështetur edhe nga Partia Socialiste e Vërtetë PS91. Në programin e të dyja protestave është parashikuar që pas fjalimeve të rastit të kalohet në marshim deri përballë godinës së Kryeministrisë. Partia Socialiste dhe mbështetësit e saj do të kenë si moto të protestës togfjalëshin "Mos Harro!" ndërsa Lëvizja Socialiste do të thërrasë "Berisha ik!". Siç është deklaruar paraprakisht nga të dyja kampet opozitare qëllimi i protestave është i njëjtë dhe synon largimin e qeverisë "Berisha". Opozitarët gjatë ditëve të fundit kanë replikuar gjatë lidhur me këto manifestime dhe për moton me të cilën po organizohen. Socialistët ishin të parët që lançuan nismën, por përjashtuan nga pjesëmarrja Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Kjo e fundit deklaroi protestën e saj dhe sulmoi ashpër lidershipin socialist.

Familjarët e viktimave dhe

"Mjaft!", homazhe pranë kraterit

"Duhet të jetë një ditë reflektimi, jo ditë e politikës"

Dje në mesditë, familjarë të viktimave të tragjedisë së Gërdecit dhe aktivistë të lëvizjes "Mjaft!" zhvilluan një protestë paqësore në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje. Banorë të zonës dhe të fshatrave përreth, grupime sindikale dhe organizata të tjera të pamotivuara politikisht, intelektualë e qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera iu bashkuan tubimit përkujtimor. Të pranishmit iu drejtuan me lule në dorë dhe qirinj kraterit, ku zhvilluan homazhe në nderim të atyre që humbën jetën një vit më parë në këtë ngjarje të rëndë. Grupi "15 Mars" zgjodhi pikërisht ditën e shtunë në mesditë dhe vendin pranë kraterit në Gërdec për të përkujtuar viktimat dhe për të kërkuar drejtësi, në mënyrë të pavarur nga zhvillimet e politizuara të ditës së diel. Kjo përkujtimore u organizua në mënyrë që familjarët e viktimave të kishin mundësi të shprehin qëndrimin dhe shqetësimet e tyre, të pavarur nga manifestimet dhe deklaratat politike. Feruzan Durda, përfaqësues i familjeve të viktimave të Gërdecit, u shpreh se si sot një vit më parë, mesditën e së shtunës, ndodhi shpërthimi tragjik që vrau dhjetëra shqiptarë dhe plagosi qindra të tjerë. "Ne jemi këtu sot, për të përkujtuar të dashurit tanë që humbën jetën në këtë tragjedi dhe për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi jo vetëm për vdekurit, por dhe për të gjallët", tha Durda. Ai theksoi se aktualisht familjet e viktimave janë përfshirë në një proces ligjor që kërkon drejtësi dhe se nuk do të ndalen për asnjë çast derisa diçka e tillë të vihet në vend. "Kjo është një ditë për të nderuar humbjen tonë dhe për të kërkuar drejtësi e jo për t‘u përdorur nga politika për qëllimet e saj", përfundoi ai. Bajram Leti, një tjetër banor i Gërdecit që ka humbur të afërmit në këtë tragjedi falënderoi të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme dhe deklaroi se ky ishte vetëm fillimi i betejës për drejtësi. "Ne të gjallët nuk do të gjejmë asnjë çast prehje derisa të gjejmë përgjegjësit dhe të vihet drejtësi për të dashurit tanë që vdiqën në këtë tragjedi", u shpreh ai. Leart Kola, përfaqësues i lëvizjes "Mjaft!" tha se këta viktima dhe të afërmit e tyre, në këtë ditë duhet të nderohen. "Kjo ditë duhet të jetë një moment heshtjeje nga politika dhe të na kujtojë se në çdo çast, secili prej nesh mund të jetë viktimë e korrupsionit të këtij sistemi jofunksional. Kjo duhet të jetë një ditë reflektimi dhe jo një ditë e politikës që të mos shfrytëzohet për qëllime elektorale, sepse duhet respektuar vdekja ashtu si dhe jeta", nënvizoi Kola. Ai theksoi se grupi i "15 Marsit", nuk është një grupim i krijuar aty për aty, për një rast të veçantë, por ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për të garantuar drejtësi për viktimat e kësaj tragjedie, para 15 marsit, në 15 mars dhe pas 15 marsit. "Është mbi dhimbjen e vërtetë të këtyre njerëzve që duhet ndërtuar një institucion moral, një Shqipëri tjetër, me të gjitha garancitë që tragjedi të tilla varresh masive të mos përsëriten më. Është mbi dashurinë që këta njerëz kanë për të afërmit e humbur dhe dashurinë që ata kanë për ata që janë gjallë që ne duhet të ndërtojmë një kult të asaj se si duhet të jetë Shqipëria e së nesërmes", vlerësoi Kola i lëvizjes "Mjaft!".

PR

Alibali: Opozita po mbron

shkaktarin e tragjedisë

Partia Republikane nuk ka preferuar të heshtë një ditë përpara njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali, ka dënuar veprimet e opozitës se po përdor politikisht vdekjen e 26 personave, dhe e akuzon atë për mbrojtje të një prej shkaktarit kryesor të tragjedisë, biznesmenit Mihal Delijorgji. Në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit Partia Republikane nëpërmjet nënkryetarit të PR-së, Neritan Alibali, thekson se "opozita duhet të përgjigjet për lidhjet e saj me Delijorgjin, si dhe për lehtësirat që u ka krijuar bizneseve të tij". Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte ministër i Mbrojtjes kur shpërtheu fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec, Mediu është gjithashtu një nga të pandehurit kryesorë në çështjen që ndodhet në Gjykatën e Lartë. Ish-ministri Mediu ka dhënë dorëheqjen vetëm dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit, pas një maratone negociatash dhe takimesh në Kryeministri me shefin e qeverisë, Sali Berisha. Megjithëse pesha e fajit për tragjedinë e 15 marsit ra mbi qeverinë "Berisha", ishte Partia Republikane ajo që vuajti pasojat, por edhe që u shpërblye më pas po nga Kryeministri Berisha duke fituar pas disa muajsh një tjetër post ministror në qeveri.

Gërdeci

Godo, certifikatë mirënjohjeje ambasadorit italian

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, i dorëzoi dje ambasadorit italian certifikatën e mirënjohjes për ndihmën e dhënë të lënduarve në tragjedinë e Gërdecit, një vit më parë. Ministrja Godo në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Shëndetësisë, i përcolli falënderimet e përzemërta ambasadës italiane, në emër të punonjësve të shëndetësisë, si edhe popullit shqiptar, me anë të certifikatës së mirënjohjes. "Gatishmëria e vazhdueshme për trajtimin e të prekurve nga tragjedia e Gërdecit, që në momentet e para edhe sot, në spitalet e vendit fqinj, është një punë kolosale dhe humane, e cila meriton mirënjohjen tonë të thellë", u shpreh Godo. Ambasadori italian, D‘Elia, nga ana e tij në emër të shtetit italian, e falënderoi ministren dhe shprehu gatishmërinë në vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fushën e shëndetësisë. Një pikë e diskutimit, ishte edhe zgjerimi dhe vënia në jetë e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2007 mes Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare dhe asaj italiane, marrëveshje e cila konsiston në shkëmbimin e eksperiencave dhe trajtimin e stafit mjekësor në vendin fqinj, si edhe asistencë në nevojat e shëndetësisë sonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›