S‘kanë drita, bllokojnë rrugën te Plazhi i Vjetër
Rreth 40 familje të zonës së Plazhit të Vjetër kanë bllokuar rrugën kryesore për të protestuar për mosfurnizimin për rreth 1 muaj me energji elektrike nga ana e OSSH. Banorët të irrituar kanë bllokuar rrugën me gurë dhe kanë penguar kalimin e makinave dhe autobusëve urbanë. Rruga është bllokuar për rreth 30-40 minuta dhe është kërkuar ndërhyrja e policisë për të normalizuar situatën. Banorët kanë kërkuar nga OSSH rilidhjen e menjëhershme me energji elektrike të banesave të tyre, si dhe kanë kërkuar vendosjen e matësve, në mënyrë që të mos paguajnë më faturat aforfe. Banorët e indinjuar kishin kërkuar ndihmën e Bashkisë së Vlorës për të zgjidhur këtë problem, që sipas tyre është jetik. "Kemi pleq dhe fëmijë, nuk mund të qëndrojmë më në këto kushte", janë shprehur të indinjuar protestuesit. Pas më shumë se 30 minutash bllokim rruge ka ndërhyrë Policia e Shtetit së bashku me rrugorët, për zhbllokimin e rrugës, si dhe kalimin normalisht të automjeteve, të cilat kalojnë e punojnë përgjatë kësaj rruge. Banorët e zonës pak ditë më parë patën një takim me prefektin e Qarkut të Vlorës, Hasan Halili, të cilit i kanë kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemit të tyre, por megjithëse prefekti u kishte premtuar zgjidhje, nuk u bë asgjë konkrete. Në protestë kanë qenë rreth 70 banorë, të cilët kanë deklaruar për mediat se protesta e tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, nëse shteti dhe OSSH nuk marrin masat për rikthimin e energjisë elektrike tek ish-kabinat e plazhit të vjetër.