Të përjetuarit e diellit
1.
Flasim për vdekjen e gazetave në Amerikë, si shkas për temën e përhershme, atë të rrezikut që përjeton të shkruarit.
Jemi në darkë në Cambridge, tashmë lagje e Bostonit. Është aty Rose Styron, një emër i njohur, si aktiviste gjysmëshekullore për liri të shprehjes, në emër të PEN-it amerikan.
Janë aty njeriu i cili modernizoi trafikun urban në New York, ish-prefekti i Nashville-it, zemrës së muzikës country, një dirigjent amerikan, i cili u dashurua me Bosnjën aq sa një pjesë të kohës së vet ia kushton filarmonisë së këtij vendi.
Në Amerikë ka filluar mbyllja e gazetave, të njohura, regjionale, dhe përgjigjja imediate që jepet si arsyetim është se për një gjeneratë të tërë njerëzish, gjeneratë të re, informata është elektronike, është në TV apo në internet.
Fenomenin kam filluar ta vërej prej kohësh si njërin prej paradokseve më të mëdha të shekullit të ri. Interneti ka ofruar revolucion në informatë, me hapjen marramendëse të burimeve të informatës. Njëkohësisht, e me mungesë përpunimi profesional të informatës (redaktimit), njeriu që informohet vetëm prej Internetit po bëhet më i varfër në njohuritë e tij. Raporti i një korrespondenti të luftës, njeriut që e ka profesion shkrimin, barazohet në konkurrencë me mendimin e cilitdo që ka pasur qasje në kompjuter, e të këtillë ka shumë. Libri, një mendim i edukuar i përmbajtur në të, duhet të hyjë në konkurrencë me "blogun" e dikujt që ka mundësi të lexohet vetëm pse ka mundësinë e të postuarit në internet.
E drejta, dhe komoditeti i të informuarit, mund të shndërrohen në një ecje nëpër një pyll të panjohur, them në darkë, pa vetëdije se metafora e pyllit do të përdorej në këtë artikull, me një kontekst tjetër, por për temë të njëjtë, shkrimin.
Metaforën e pyllit do ta përdor JMC Le Clezio, në adresimin e tij me rastin e marrjes së çmimit "Nobel" për letërsi më 2008, një pledoaje për më shumë lexim e më shumë libra. Pylli, thotë, ka dimensionin e njëtrajtshmërisë, sikur oqeani apo shkretëtira, ku në mungesë të shenjave orientuese, mund të humbësh. Por, në pyll , ai do të zbulojë përjetimin i cili ilustron, në mënyrë kyçe, arsyetimin e identitetit vetjak. Në një pyll të Panamasë, ku ka jetuar përgjatë 3 vjetëve mes një populli të izoluar nga qytetërimi, shkrimtari do të zbulojë Elvirën, gruan e cila fiton ushqimin, rakinë e ndonjëherë edhe dashurinë, duke shkuar kasolle më kasolle e treguar rrëfime për mitet, legjendat dhe përjetimet e saj, një narracion letrar që shkrimtarit francez Le Clezio i jep sensin e jetës brenda njëtrajtshmërisë së pyllit.
Elvira, shkrimtarët, thotë ai, janë gardianët e gjuhës dhe imazheve e ndjenjave që mund të ndërtohen me të.
2.
Ndërsa rrëfimet e Elvirës do të qenë të nxitura me ruajtje të dyfishtë, ruajtje të miteve, legjendave dhe imazheve të krijuara përgjatë rrëfimit, nga njëra anë, dhe ruajtja e mirëqenies bazike personale nga ana tjetër, Le Clezio ka përsëritur se nxitja e tij fillestare ka qenë lufta. "Lufta, jo si një kohë e veçantë e trazimit, ku përjetohen ngjarjet historike...Jo, për mua lufta është ajo që e përjetojnë civilët, fëmijët e vegjël, pikësëpari. As edhe një herë nuk më është dukur lufta si një moment historik. Ne ishim të uritur, ishim të frikësuar, kishim të ftohtë, kaq".
Dhe ruajtja e imazheve të luftës, nga këndvështrimi i fëmijës e adoleshentit, është diçka që bën në mënyrë mjeshtërore autori në romanin "Ylli endacak" (Albin, Tiranë , 2001). Në të, Lufta e Dytë Botërore kundrohet me sytë e një vajze hebreje në Francën e okupuar nga italianët (ashtu siç e kishte kaluar luftën edhe vet shkrimtari). E fshehur prapa një emri të krishterë, dhe duke pësuar humbjen e babait, një hebreu jobesimtar që i hyn rezistencës së armatosur kundër okupatorit, Ester do të japë rrëfimin e saj të gjatë për luftën si një udhëtim (edhe fizik), prej ndrydhjes së frikës për ekzistencë drejt lirisë së quajtur Jerusalem, një vendi i cili merr përmasa mitike, madje edhe kur për të flet babai i saj jobesimtar.
Ky motiv, i luftës së shikuar nga sytë e fëmijës apo adoleshentit do ta përcjellë Le Clezion gjithkund, edhe në sensin e gjeografisë e edhe në atë të narracionit. Në "Afrikani" (Skanderbeg books, Tiranë, 2009), një libër i shkurtër i një eseistike të veçantë, me të cilin përpiqet ta njohë veten nëpërmjet të babait, mjek që kishte jetuar pothuaj tërë jetën në Afrikë, do të përshkruajë varrezën e madhe të quajtur Afrikë me citatin e vargut të poetit Chinua Abache, Krishtlindje në Biafra:
"Jo, asnjë Virgjëreshë me fëmijë s‘mund të matet
Me tablonë e dashurisë së një nëne
Ndaj të birit që së shpejti duhet ta harrojë".
3.
Më pyesin në darkë për përvojën time të ditës, të mbajtjes së një ligjërate studentëve të Universitetit Tufts si pjesëmarrjes në ndryshimet në Kosovë, deri te shpallja e pavarësisë.
Para se të hynim në ligjëratë, organizatori i ligjëratës më tërhoqi vëmendjen:
"Ki parasysh se këta janë studentë që me gjasë nuk i kanë përcjellë, në moshën e tyre, as bombardimet e NATO-s para dhjetë vjetësh. Kosova, për ta, nuk është përjetim personal që mbajnë mend, Kosova është ajo që mund të nxjerrin nga të lexuarit".
Them se ekziston një afërsi mes të përjetuarit dhe të lexuarit, por do definuar se çka është të lexuarit. Nga kjo distancë dhjetëvjeçare, leximi gjithnjë e më shumë shndërrohet në tabelë statistikore dhe protokoll veprimesh politike e ushtarake. Në vitin kaq e kaq, ishte ky numër refugjatësh, ishte ky numër ushtarësh e policësh serbë, kishte kaq aksione të UÇK-së dhe Grupi i Kontaktit bëri këtë formulim në deklaratën e vet. Leximi i këtillë do të jetë gjithnjë e më i largët.
Por mund të shndërrohet edhe në diçka tjetër. Në "Yllin endacak", pa gjuhë politike, rrëfehet për momentin kur refugjatët e ardhur hebrenj në Palestinë takohen në rrugë me refugjatët e rinj, ata arabë, të cilët e fitojnë këtë cilësi me shpalljen e shtetit të Izraelit dhe luftën mes hebrenjve dhe arabëve. Përjetimi për palestinezët, në 60 vitet e fundit, lehtë mund të përmblidhet në një moment të rrëfyer në roman:
"Kampi i Nur Shamsit është duke u zhytur pak nga pak mes fatkeqësisë. Kur mbërritëm me kamionin e mbuluar me mushama të Kombeve të Bashkuara, nuk e dinim se ai vend do të ishte jeta jonë e re. Ne mendonim se ai do të ishte për një apo dy ditë...Djemtë e plakut Nas kishin një fermë, në Tulkarm. Ata i kishin lënë të gjitha, kafshët, veglat, madje edhe rezervat e grurit, vajin dhe gratë e tyre kishin lënë orenditë e tyre të kuzhinës, ndërresat e tyre, sepse edhe ato besonin se po largoheshin për një apo dy ditë, aq sa duhej për t‘u rregulluar gjërat".
4.
Plaku Nas i romanit vdiq, i mbuluar me gurë, në një kodër mbi kampin e refugjatëve. Ditën kur ishte bërë refugjat, e kishin nxjerrë nga shtëpia ushtarët të cilët nuk e kishin kuptuar pyetjen e tij, "por edhe sikur ta kishin kuptuar, me siguri që ajo pyetje do t‘i kishte bërë për të qeshur: A nuk ndrin dielli për të gjithë?"
Autori Le Clezio, në fjalën e tij me rastin e marrjes së çmimit sërish shtron dilemën e shkrimtarit: nëse ai nuk mund ta ndryshojë botën, përse atëherë të shkruajë? Dhe, përgjigjet, sikur shumë të tjerë, se shkrimtari shkruan për të qenë dëshmitar. Me plakun Nas, ai ka arritur të jetë dëshmitar i një pyetjeje që palestinezët e shtrojnë 60 vjet, për aq sa është shndërruar në një pyetje universale për të gjithë ata që kalojnë nëpër padrejtësi, individuale a kolektive.
Ne përfundojmë darkën, me sensin se nuk ka gjë të re, se të shkruarit ka qenë gjithnjë në rrezik dhe se gjithnjë ia ka dalë mbanë.