E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libofsha, një rrugëtim mes Semanit dhe Ardenicës

Atë, Manastirin e Ardenicës, e shohim që nga larg, teksa jemi duke udhëtuar nga Lushnja drejt Fierit. I mbështjellë nga "rojet", qiparisat e lartë, duket shpërfillës ndaj botës që gëlon poshtë tij. Njësoj sikur ta dijë se sa kalimtarë janë fatet që kalojnë me nxitim në këmbët e kodrës ku është ngritur.

Nuk kemi ndërmend të ndalojmë në manastirin hijerëndë. Tashmë, i vendosur në gjysmën e udhërrëfimeve turistike të botës, ai është bërë fort i njohur. Duket se fillesat e manastirit shkojnë shumë larg në histori, andej nga fundi i shekullit XIII, kur këto anë bënin pjesë në Despotatin e Epirit. Kisha e parë i kushtohej Fjetjes së Shën Mërisë, një ditë shumë e shënuar për ortodoksët, që përkujtohet çdo 8 shtator. Duket se ajo është ngritur mbi një kishë edhe më të vjetër që, nga ana e saj, ishte ndërtuar mbi themelet e një tempulli pagan që i kushtohej Artemisës. Ka që thonë se pikërisht nga kjo lidhje vjen edhe vetë emri "Ardenicë". Kisha u rindërtua dhe u rishugurua më 1743-shin me fondet e dhëna prej besimtarëve nga vendi dhe nga Voskopoja. Kambanorja e saj është e vonë, e vitit 1925. Një vit pas rindërtimit kisha është pikturuar nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas Zografi.

Dy ngjarjet më të mëdha, që lidhen me të, janë shumë të ndara në kohë. E para është martesa e Skënderbeut dhe Donikës, e dyta ka ndodhur më 1932-shin, kur një zjarr i madh shkatërroi gjithë bibliotekën e manastirit. Shumë dokumente me vlerë u përpinë pa kthim nga gjuhët e flakëve. Pastaj manastiri ka kaluar ciklin e pashmangshëm: repart ushtarak-monument kulture-lokal për të ngrënë zhaba… Iu kthye Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë një të premte Pashkësh të 1996-ës.

E lëmë manastirin e famshëm në madhështinë e tij dhe, në të dalë të Mbrostarit, një komunë periferike e Fierit, kthejmë drejt detit, për në Libofshë. Jemi nisur për në këtë zonë me një qëllim: për të parë vende e dëgjuar histori, të cilat manastiri i vjetër i ka lënë disi "në hije". Libofsha është qendër e një komune të gjerë, afër 100 kilometra katrorë, që shtrihen në Veriperëndim të Fierit, mes Adriatikut dhe Ardenicës. Në të banojnë rreth 11 mijë myzeqarë të ndarë në 11 fshatra.

Te varri i Shën Kozmait

Mbas Mbrostarit vjen Petova, një fshat i madh, i strukur në këmbë të disa kodrave të buta shumë të gjelbra. Pas tij nis Fusha e Myzeqesë, ajo e vërteta, ajo pa anë e pa fund. Më tej, në anë të rrugës na tregojnë një grumbull shtëpish që duken më pak të mbajtura se sa ato që kemi parë deri më tani. I takojnë fshatit me emër të çuditshëm Çipllakë. Vetëm pak minuta pas tij shohim objektin e parë të kultit. Jemi në Rreth-Libofshë. Ajo që shohim është një xhami e re, e vendosur mbi një të ngritur, aq sa mund të jetë i ngritur terreni i këtyre anëve. Kolegët tanë fierakë na rrëfejnë se këtu banojnë shumë familje boshnjake, nga ato që nisën të vendoseshin që nga Durrësi deri në Fier pas 1881-shit, vit në të cilin nisi zbatimi i Kongresit të Berlinit, i cili shumë troje të banuara nga myslimanët ia dha ose Austro-Hungarisë, ose Malit të Zi. Të frikësuar nga ardhja e "gjaurrit", shumë familje boshnjake iu lutën Sulltanit që t‘i vendoste në tokat e tij. Kështu patën mbetur një pjesë në rrethinat e Shijakut të sotëm dhe një pjesë këtu, në Rreth-Libofshë. Asokohe krejt fusha nga Durrësi në Fier "i përkiste nënës së Sulltanit", një mënyrë e atëhershme për të thënë "toka shtetërore". Boshnjakët e këtushëm duket se i janë rikthyer identitetit të tyre të vjetër. Që më parë kishim vënë re në anë të rrugës një tabelë që reklamonte punime duralumini. "Duliç" shkruhej në të. Deri para disa viteve me siguri Duliç ishte thjesht Dule.

Mbi një lokal, që dallon nga të tjerët, shohim të valëviten bashkë flamurin anglez dhe atë shqiptar. Na thonë se këtë lokal e ka ndërtuar një anglez i çuditshëm, i cili vite më parë kishte lënë Anglinë për t‘u vendosur pikërisht këtu, në zemër të Myzeqesë. Anglezi paska mbajtur edhe një emër shqiptar. "Se Fatos, se Fatmir…", vrasin mendjen kolegët tanë. Historia e tij na kujton një anglez tjetër: të njohurin W.M. Leak, koloneli që jetoi disa vjet në oborrin e Ali Pashë Tepelenës dhe që udhëtoi në krejt Shqipërinë e Jugut. Në këto anë Leak pat ardhur në shtatorin e 1805-ës. Nuk ka lënë shënime shumë të hollësishme. I dërrmuar nga ethet e malaries, ai nuk mund të mbahej as në kalë. Vetë rrëfen se këtë rrugë e ka bërë shtrirë mbi një qerre myzeqare. Ka fjetur një natë në Manastirin e Kolkondasit (atje ku jemi nisur të shkojmë), një natë tjetër në Ardenicë dhe të fundit në një depo "mes fuçive, koshave dhe thasëve me drithë".

Pas Rreth-Libofshës marrim rrugën në të majtë. "Ja atje poshtë! Atje përtej në mes të fushës, ajo shtëpia e kuqe ka qenë shtëpia ku kemi banuar. Dikur ishte shtëpia e beut", dëgjohet të thotë Llazi. Ky është një miku ynë nga Libofsha. Eshtë mësues në shkollën fillore, por edhe veprimtar i Mitropolisë së Beratit, nga varen kishat e kësaj ane. Vetëm pas pak minutash jemi krejt në anë të Semanit, ose më mirë me thënë, lumit të shkurtër që bashkon ujërat e Osumit dhe të Devollit. Në fillim dëgjojmë trokitjen e veçantë që bën çekani i muratorit kur godet mbi gur, pastaj shohim disa skela dhe më në fund shohim dy ngrehina të vjetra fare afër njëra-tjetrës. Disa mbeturina muresh rrethuese mbahen ende në këmbë përreth tyre. Jemi në Manastirin e Shën Mërisë në Kolkondas. Deri para pak vitesh e gjithë kjo zonë ishte e mbuluar nga llumi që sillte Semani përditë këndej. Tani, disa kanale kulluese e mbajnë manastirin në gjendje thuajse të thatë. Një sistem pompash vihet në funksionim sa herë që Semani zemërohet me njerëzinë dhe me kishat e tyre.

Me siguri, Kisha e vjetër e Shën Mërisë në anë të Semanit do të ishte harruar sikur këtu të mos ishte varrosur më 24 gusht 1779 murgu Kozma. Ky, që në vegjëli quhej Kosta, kishte lindur në një fshat të Etolisë malore në Greqinë e sotme. Vinte nga një familje e varfër, por thonë se ka qenë shumë i etur për dije. Pas shkollimeve të para Kosta vishet murg në një manastir në Malin Athos. Kështu nis rruga e tij e gjatë. Pati bërë katër udhëtime në Shqipërinë e Jugut, Thesali, Maqedoni dhe deri në Serbi. Predikoi ruajtjen e ortodoksisë dhe hapjen e shkollave, në gjuhën greke sigurisht. Kjo ishte e vetmja gjuhë shërbimi që Porta e Lartë i kishte njohur Patrikanës së Stambollit. Në udhëtimin e tij të fundit kaloi pikërisht në këto anë. Shkolla e tij e fundit u hap pikërisht në Kalkondas. Autorë të vjetër dhe historianë të kishës e lidhin arrestimin dhe më pas varjen e tij me hebrenjtë e Beratit. Sipas tyre, këta që nuk ishin edhe aq të paktë në atë kohë, organizuan gjithçka. "…Vetëm veprimet e hebrenjve nuk ndalen. Blenë pra, paguan Kurt Pashën me 50 qeska aspra dhe e bindën që ta prisnjë Kozmanë. Po ky vazhdonte punën…", thuhet në një botim të kishës ortodokse. Ka gjasë të jetë e vërtetë. Turmat që nisën t‘i shkonin pas predikuesit nisën të shtohen ca si frikshëm. Shumë pronarë tokash dhe tregtarë nuk po i shihnin më njerëzit të punonin. Pastaj vetë Kozmai kishte predikuar si ditë pazari, ditën e shtunë, "sabatin" e shenjtë të hebrenjve. Për këta të fundit kjo gjë ishte një fyerje e padëgjuar. Por mbase e gjithë kjo histori s‘është gjë tjetër veçse një zgjatim në kohë të vona i tradhtisë biblike të Judës në "Darkën e Fundit". Si do që të jetë, murgu Kozma u burgos me urdhër të Kurt Pashës dhe më vonë u var. Ishte 65 vjeç. Kufoma e tij u gjet në Seman, në afërsi të manastirit të vjetër, nga një lundërtar që kalonte aty pari. Trupi u varros në Kishën e Shën Mërisë dhe për disa kohë kjo histori u harrua, deri kur Ali Pashë Tepelena, miku i tij i vjetër, doli fitimtar ndaj Kurt Pashës. Atëherë, me anë të një dekreti të veçantë i detyroi të gjithë besimtarët ortodoksë që të jepnin ndihma në të holla për ngritjen e një kishe në kujtim të murgut Kozma. Kështu u ngrit brenda manastirit dhe ngjitur me varrin e tij një kishë e re në kujtim të Kozmait. Ndërtimet e saj nisën më 1814-ën. Eshtë pikërisht një nga dy kishat që kemi përpara.

Endemi një herë, me zhurmën e ustallarëve që vazhdojnë të punojnë dhe me jehonën e historive të vjetra nëpër dy kishat. E vjetra, ajo e Shën Mërisë, tashmë është një rrënojë që e ka përlarë lumi. Vetëm një pjesë e saj me disa afreske, tashmë të zbehur dhe me odën e vogël ku u varros Kozmai mbahet ende në këmbë. Pllaka e varrit të Kozmait është ende aty. Llazi na rrëfen se kur u bënë punime këtu, trashësia e llumit arrinte mbi dy metra. Mbi pllakën e gurtë ishte pikturuar figura e Kozmait. Me gjithë nderimin e madh në botën ortodokse, Kozmai zyrtarisht është një shenjt i vonë. Shenjtërimi i tij nga Patrikana është shpallur vetëm më 1961-shin. Në këto anë besojnë se shenjti vazhdon të bëjë çudira. Sidomos vajzat fatpadala dhe gratë, që nuk bëjnë fëmijë, besojnë se do të përjetojnë ndonjë mrekulli nëse kalojnë një natë pranë varrit të tij.

Edhe lipsani i shenjtë, skeleti i tij, nuk shpëtoi nga aventurat e kohëve moderne. Kur u zbulua varri nën llumin e Semanit, skeleti u depozitua për do kohë në Muzeun e Fierit, por një ditë prej ditësh ai u zhduk pa nam e nishan. Njeriu që i kishte në dorëzim tha se "i kishte vënë në tarracë, me qëllim që të mos vidheshin, por ato ishin zhdukur". Ishte si të kishte ndodhur një mrekulli, por për së prapthi. Kohë më pas ato u rishfaqën dhe tani ruhen në Tiranë, në qendrën e KOASH.

Në Libofshë, me histori e kisha

E kemi të vështirë që t‘i rikthehemi të sotmes me gjithë ato histori të vjetra që na rrotullohen ndër krye. Në Libofshë, në qendër të komunës, rrimë një copë herë teksa presim disa miq të tjerë. Lapidari me emrat e dëshmorëve të luftës duket që sapo është lyer. Menjëherë pas tij, nga xhamat e një dyqani tualeti, "na shikojnë" fotot e disa modeleve goxha të mira, si të gjitha modelet e dynjasë. Në shesh vazhdon një lojë e ndezur dominoje, që kush e di se sa ka që ka nisur.

Përballë nesh një tabelë e madhe ka mbetur që nga viti që shkoi: 1908-2008, 100 vjet shkolla e parë shqipe në Myzeqe. Pyesim për godinën ku mësuesi Jovan Ndreko pat nisur të japë mësim në shqip, por ajo tashmë nuk është më. Shën Kozmai, me të cilin jemi "ndarë" vetëm pak minuta më parë, është një shenjt fort i diskutuar, mbase më i diskutuari nga historiografia shqiptare, një pjesë e mirë e së cilës e konsideron si përhapës të helenizmit dhe përçues të asimilimit të shqiptarëve me anë të shkollave në greqisht. Tani, vetëm tre-katër kilometra larg varrit të tij, jemi përballë tabelës që na kujton një ngjarje e cila ka ndodhur 129 vjet pas vrasjes së Shën Kozmait. Do ta kishte profetizuar vallë shenjti një shkollë shqipe në këto anë? Po mësuesi i vjetër myzeqar si e konsideronte Shën Kozmain? Pyetje të vështira të dyja.

Në nëntorin e 1912-ës, këndej kaloi Ismail Qemali gjatë rrugës nga Durrësi për në Vlorë. Kronikat thonë se i prirë nga Tonçi Kilica, kryebashkiaku i parë i Fierit, Ismail Qemali, bujti një natë në konakun e Medin bej Leskovikut. Mbase pikërisht në atë shtëpinë në mes të fushës, ku kishte jetuar më parë edhe Llazi, miku ynë.

Në dimrin e 1913-ës, mbi 20 mijë ushtarë turq të "Armatës së Vardarit", e shkatërruar nga aleatët ballkanikë, u tërhoqën në Shqipëri, asokohe shtet i pavarur, por i rrëmujshëm, me shpresën se do të imbarkoheshin në Durrës për në Atdhe. Kampi i ushtrisë së mundur u ngrit pikërisht në zonën mes Libofshës dhe Grizës. Ekrem bej Vlora dhe Qemal bej Vrioni i bëjnë një vizitë Zeki Pashës, komandantit të armatës turke. Eshtë një rrëfim i trishtë ai që ka lënë pas beu i Vlorës në kujtimet e tij. Një fushë e pamat, e përbaltur, e fshikulluar nga shiu i pareshtur, e mbushur me trupa ushtarësh që jepnin shpirt nga uria, tifoja, fruthi. Njerëz të paveshur, të plaçkitur, mjeranë tashmë me shpresë të humbur, që silleshin vërdallë në një humbëtirë në anë të Semanit, pa e ditur as vetë se ç‘dreqin kishin dashur këtu. "…Për ne të tre, Qemal Vrionin, Avni Delvinën dhe për mua - shkruan Ekrem bej Vlora - ngritja e familjeve tona kishte nisur me rrezet e diellit të kësaj Perandorie, ndërsa tani po kridheshim në mjegullën e një të tashmeje të luhatshme dhe të një të ardhmeje edhe më të pasigurt… Mua më kapi trishtimi (sot nuk kam përse ta mohoj) për këtë fund të rrugës sonë të përbashkët, aq të gjatë e të ngarkuar me aq shumë ngjarje…".

Në zonën e Libofshës vite më pas është zhvilluar edhe një ngjarje tjetër, që mbase mund të kishte ndryshuar bilancin e njërës prej faqeve më të njohura të historisë së Shqipërisë: Revolucionit të Qershorit të 1924-ës. Në maj të 1924-ës në këto anë ishte vendosur fronti mes forcave fanoliste, të komanduara nga majori Taip Shkodra, dhe atyre prozogiste, të komanduara nga kapiten Dema. Duket se të dytët kanë qenë gati ta shtypin kundërshtarin, porse Kryeministri i ri, Iljaz bej Vrioni, pati dhënë urdhër që të shmangej çdo vëllavrasje. Kush e di se si do të shkonte puna, nëse Dema do të fitonte mbi Taipin.

Ja ku kanë mbërritur miqtë tanë. I pari na çudit me emrin e tij: Anton Beltoja. Na duket vetja sikur jemi diku në Shkodër, a në rrethinat e saj dhe jo në zemër të Myzeqesë. Antoni është muzikant. Jetë e mot është marrë me këngën e fëmijëve. "Nuk ka gjë më të bukur se sa kur këndojnë fëmijët - thotë - po mua, kush e di se përse fëmijët e Libofshës më duken më të mirët. Ju vetëm ta kishit parë korin me 400 fëmijë që dha koncert këtu më 7 Mars. Një gjë madhështore…". Pastaj Antoni nis të na rrëfejë historinë e familjes së tij. Eshtë si të rishohësh një copë Fier të vjetër. Të parët kanë ardhur këtu në fillim të viteve ‘20 vëllezërit Beltoja, njëri nga të cilët babai i Antonit. Makinat asokohe ishin fort të rralla dhe puna si shofer quhej një gjë e privilegjuar. Kështu, dy vëllezërit u vendosën në Fierin e porsakrijuar asokohe. "Xhaxhai im ka qenë dhëndër i Jani Mingës dhe ka qenë pikërisht ky xhaxha, Kolë Beltoja, që ka transportuar trupin e Avni Rustemit deri në Vlorë". Antoni tani është edhe veprimtar i kishës. Një kishë e re katolike është ndërtuar në të hyrë të Patosit. "Jemi aty te 400 besimtarë katolikë në zonën e Fierit", thotë Antoni.

Miku tjetër, Vlash Bardhi 65-vjeçar, është tipik myzeqar me flokët biondë dhe me të qeshurën e pandashme. Ai na thotë si rastësisht se është edhe kryeplak i Libofshës. Më shumë ka qejf të tregojë për jetën e tij të mëparshme. "Kemi qenë të varfër në këto anë. Imagjino, shtëpitë ishin me kallama dhe me baltë. Kur iu shkrep një herë rastësisht pushka një kushëririt tim në kasollen ngjitur, plumbi desh më vrau vëllanë, aq të holla ishin muret - thotë Vlashi - beu nuk na lejonte që të ngrinim oxhak. Po ato kohë kaluan. Unë vetë kam punuar me autokinemanë. Merrja filma në Tiranë dhe i shfaqja nëpër fshatrat e zonës tonë. Kam punuar edhe në vatrën e kulturës në qendrën e zërit. ‘Ju flet Radio Libofsha‘, kështu i nisja transmetimet. Ka qenë një punë e bukur".

Në qendër të Libofshës loja e dominosë ka mbaruar. Vetëm pak kalimtarë shpejtojnë të futen në shtëpi para se të zërë sërish shiu. Ne marrim rrugën drejt kishës më të njohur të Libofshës, Shën Gjergjit. Për fat rrugës takojmë Zoin, kujdestarin e kishës. Ky e kthen sakaq motorin dhe na shoqëron deri lart në majë të kodrës ku ndodhet kisha, në derën e së cilës është shkruar 1776. Një copë herë zhytemi në një atmosferë që duket sikur nuk i përket kësaj bote. Ikonat e Shën Gjergjit, mbrojtësit të ushtarëve, duke vrarë kuçedrën janë varur gjithandej.

Ca kilometra më tej, mbi një kodër tjetër ngjitur me fshatin Vanaj, vizitojmë sërish një kishë të vjetër. Eshtë Shën Kolli, që duhet të jetë edhe kjo e shekullit XVIII. Neve na bën përshtypje kambanorja e saj krejt e veçantë, e tëra prej druri. Kështu kanë qenë dikur krejt kambanoret e kishave të Shqipërisë. Poshtë nesh, matanë qiparisave, deri në det, shtrihet Myzeqeja, fusha e pamat, e mbushur plot histori.

Aliu dhe Kozmai, dy miq të çuditshëm

Disa e quajnë lidhjen e tyre hyjnore, të tjerë të çuditshme, ca të tjerë akoma naive. Sido që të jetë, lidhja e fortë mes murgut Kozma dhe Ali Pashë Tepelenës është e provuar. Sipas një legjende fort të përhapur, Kozmai u strehua në Tepelenë nga Hanko, e ëma e Aliut, në kohën kur ky i fundit ishte në arrati. Pikërisht në atë kohë, pak kohë para vrasjes së Kozmait, murgu i ka parashikuar të ardhmen pashait të ardhshëm: "Do të bëhesh njeri i madh, do të sundosh gjithë Shqipërinë - i ka thënë Kozmai, Aliut - do të nënshtrosh Prevezën, Pargën, Sulin, Delvinën, Kardhiqin dhe pjesën e Kurt Pashait. Do të lësh emër të madh në botë. Ky është vullneti i Providencës Hyjnore. Por vetëm kujtohu, që gjatë gjithë kohës së pushtetit tënd të duash dhe të mbrosh të krishterët në do që të mbetet pushteti edhe te pasardhësit e tu". Të dy bashkë pastaj thuhet se kanë udhëtuar në disa fshatra të tjerë. Para se të ndahen, Aliu e ka pyetur Kozmain nëse do të shkonte apo jo në Stamboll. "Do të shkosh, por me mjekër të kuqe", i është përgjigjur murgu, duke profetizuar kokën e prerë të Aliut në kryeqytetin osman.

34 vjet pas vrasjes së Kozmait, në shtator të 1813-ës, Aliu i shkruante myzeqarëve: "…Tek juve rumë (ortodoksë) të Beratit, myzeqarë dhe vllehë grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja tek vura një epitrop që të më ndreqin manastirin e Plakut, Kozmait dhe ndihmova edhe unë me të holla dhe të ndihmoni edhe ju si t‘ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Dhe për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatri dhe do t‘i paguajnë dyfish. Ashtu si ju urdhëroj, kështu të bëni pas këtij vendimi". Një vit më vonë, Aliu dërgoi në Berat për punën e manastirit Jusuf Arapin, dorën e tij të gjatë. Askush nuk do të guxonte të bënte numra.

Në vitet e fundit Ali Pasha dhe e shoqja e krishterë, Vasilika, luteshin para një kutie të argjendtë, ku ishte vendosur kafka e murgut Kozma. Aliu kishte besim se "Plaku", apo "Baba Çobani", sikurse e quanin myslimanët Kozmain, do t‘i ndihte deri në fund.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›