E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, një vit më pas

Një vit më pas, Gërdeci mbetet një krim në përmasa shtetërore, i padënuar, i papranuar nga fajtorët. 26 të vdekurit e tragjedisë janë atje, ndërsa ne të gjithë kujtojmë skenat makabre, të gjakosurit e shokuar, dasmën e përgjakur dhe një nuse në të bardha që vraponte e tmerruar për t‘i shpëtuar gjëmës, pa kthyer kokën pas, e zbathur. Jetë të prera në mes, trupa të gjymtuar për jetë. Shpirtra të gjymtuar shumë herë më tepër. Shpërthimi akoma vazhdon të na tronditë me imazhet e tij dhe realitetet që nxori në shesh, ndërsa jemi futur në një vit të nxehtë elektoral ku padyshim Gërdeci do të ketë fjalën e vet. Mishmashi tallës i pushtetarëve, shtetit me gërdecarët dhe të gjithë qytetarët vazhdon. Mohime dhe deklarata kryeministrore se Gërdeci qe një gabim njerëzor… Akuza dhe kundërakuza deri në deklarata fyese, jo për ata që i lëshojnë dhe i presin, pasi i kanë pjesë të lojës, po për masën, që gjerësisht trajtohet si turmë, ndërsa kambanat e alarmit bien fort. Këtë herë më shumë se kurrë për shtetin që duam dhe na mungon. Prognoza duket e errët. Prokuroria që më në fund dorëzon dosjen voluminoze të Gërdecit akuzohet për vendime politike nga kreu i ekzekutivit. Cilat janë akuzat? A ndalen ato thjesht në shkeljet e bëra apo shkojnë përtej tyre? A do të vihen të gjithë para ligjit, apo veç ata mbi të cilët u vunë prangat dhe që qenë vetëm pjesë e vogël e autorëve të mëdhenj të tragjedisë? Përgjegjësitë që rrjedhin nga vendimi i Këshillit të Ministrave, që lejon operatorët privatë të demontojnë municionet luftarake nëpër reparte ushtrie dhe që përfshijnë shumë më tepër se disa ushtarakë të lartë dhe Delijorgjë, harrohen. Trumbetohen arritjet, ndërsa kundërsulmohet fort kur dikush i kujton drejtuesve të kësaj qeverie, po dhe ish-ministrit të dorëhequr atë që ndodhi mesditën e 15 marsit të një viti më parë. Gërdeci nxori në pah shumë anë të tjera të shtetit të munguar, gjyqësorit të dështuar e shumë të tjera dhe sërish jemi në të njëjtin stad. Gazeta "Shqip" zbardhi pak ditë pas tragjedisë vendimin e Apelit të Durrësit që ndonëse me një mal provash kundër e shpallte Delijorgjin të pafajshëm duke e zhveshur nga barra fiskale që i detyrohej shtetit. Vendimi u mor nga tre gjyqtarë ushtarakë (?!). Gërdeci ende na dhemb shumë për dritën që hodhi në shumë gjëra dhe për fatkeqësinë që na mbulon e nuk gjen reagim gjithëpërfshirës. Duket se ka një marrëdhënie të heshtur mes së djathtës dhe së majtës për të luajtur politikisht, për t‘u sharë dhe në gjëra intime, po dhe për të shfrytëzuar pushtetin kur ai merret. Dhe kur krahu në pushtet ndihet i cenuar lëshon britmën e madhe. Akuzon, i kujton palës tjetër se nuk është pa gjë. Flitet për kriminelë, pushtetarë dhe opozitarë të përfshirë në trafiqe, pastrim parash, imoralitet dhe orgji. Loja me qytetarin vazhdon. Në këtë ritëm të çartur kohe të politikës shqiptare, zgjedhësit ndihen të çarmatosur e të çoroditur nga fytyra e vërtetë e saj. Demokracia është mbërthyer në lak nga gjoja shtetarët ligjorë. Në një anë qeverisja dhe skandalet në të cilat është përfshirë dhe në krahun tjetër opozita e copëtuar si mos më keq dhe aspak e fuqishme për të reaguar për shkak të së kaluarës në pushtet. Në këtë vit vendimtar për politikën e të dy krahëve, shumë zgjedhës kanë parë lakuriq të vërtetën e saj dhe nuk dinë se nga do të anojnë për të dhënë votën e tyre. Kaluam një Gërdec të vështirë që nuk ndryshoi asgjë përveç fjalëve dhe ulërimave të atyre që e vuajtën dhe që ende nuk u janë shkulur nga zemrat pasojat e asaj tragjedie. U bë një vit dhe paniku është dhe brenda nesh që e përjetuam atë ditë 15 marsi, që kudo do të ishte pasur me dorëheqje qeveritarësh dhe shtrëngim prangash, ndërsa kaloi plot 1 vit dhe asgjë nuk ka ndryshuar. "Qameti 3 ditë zgjat e gjërat harrohen". Dhe vërtet kaluam në të tjera ngjarje të mëdha. Delijorgji sikur u harrua. I konsideruari dëshmitar kyç në çështjen e trafikut të armëve dhe rrjedhimisht asaj që ndodhi në Gërdec vdiq. Shumë aludime u ngritën, ekspertë vendas dhe të huaj u angazhuan për të zbardhur shkaqet e një vdekjeje ende të dyshimtë. Gjithçka përfundoi me mbylljen e dosjes "Trebicka". Një vdekje aksidentale. Kaloi dhe kjo, ndërsa na u desh të përballemi me boshnjako-britanikun Fazlliç, bëmat e tij prej biznesmeni të suksesshëm në shitje-blerje kompanish financiare dhe sigurim fondesh, po mbi të gjitha lëvizjet e tij investuese në Shqipëri dhe lidhjet e forta me drejtues e anëtarë të qeverisë aktuale dhe rrethe të ngushta familjare të tyre. Gjithçka kalon. Edhe stuhia Fazlliç pati një fund. Të tjera patën dhe do të kenë përderisa kemi një politikë që nuk ndryshon. Mbetet "e kastruar" në të dyja krahët e saj, e përfshirë në afera që mbajnë peng vendin dhe zhvillimin e tij. Na mbajnë peng në mënyrën më të shëmtuar edhe ne votuesve që për fat të keq mbesim në udhëkryqin e votës, ndërsa luhet poker me të.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›