E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Sokol Ngjeçi i MEICO-s kërkon pafajësi

17/11/2011  “S’mund ta dija se çdo ndodhte në Gërdec”

TIRANE-Procesi për tragjedinë e Gërdecit është rikthyer me dëgjimin e konkluzioneve të avokatëve mbrojtës. Ditën e djeshme nga 29 të pandehurit e akuzuar për tragjedinë, ku humbën jetën 26 persona, vetëm Sokol Ngjeçi ishte gati për të paraqitur konkluzionet e mbrojtjes. Me anë të avokatit të tij Nik Progni, Ngjeci kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm dhe rrëzimi nga gjykata të kërkesës së Prokurorisë për ta dënuar me 23 vite burg. Në argumentimin e tij, avokati Progni u shpreh se ish-specialisti i MEIKO-s nuk duhet të cilësohet fajtor për akuzën e vrasjes masive me dashje të më shumë se dy personave. Sipas konkluzioneve të avokatit, fajësia provohet nëse i pandehuri do të kishte dijeni për ngjarjen që do të ndodhte. “Klienti im Sokol Ngjeçi nuk e ka ditur se çfarë do të ndodhte më 15 mars 2008 dhe rrjedhimisht nuk mund të themi se ai është fajtor për vrasje me dashje”,- ka pohuar para trupit gjykues avokati i të pandehurit. Ndërsa për sa i përket akuzës tjetër, atë të shpërdorimit të detyrës, avokati Progni deklaroi se ajo nuk qëndron. Sipas tij, Ngjeçi ka qenë i punësuar me kontratë 3 mujore, ndërsa në kohën kur ka ndodhur ngjarja, atij i kishte përfunduar kjo kontratë. Pas dëgjimit të konkluzioneve, gjykata e shtyu seancën për në datën 23, kur pritet të vijohet me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë. Një seancë më parë Prokuroria kërkoi penalizimin e 28 nga 29 të pandehurve, të akuzuar për tragjedinë, ku për tre prej tyre kërkoi dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›