E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", Wollfarth:Mungesa e avokatëve, abuzim

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka reaguar sot në lidhje me shtyrjen e procesit gjyqësor të Gërdecit. Në një deklaratë për shtyp, ambasadori Wollfarth shprehet i shqetësuar se ky proces duket se nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera përkatëse të vendit.
“Ndërsa të pandehurit gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të çdo sistemi drejtësie. Seanca e fundit nuk është veçse një tjetër dëshmi e këtij fakti, duke pasur parasysh se seanca zgjati vetëm 20 minuta, pasi gjykata e shtyu procesin për shkak të mungesës së shumicës dërrmuese të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës” thekson Wollfarth.
Sipas tij edhe pse kanë kaluar tre vjet nga tragjedia e Gërdecit, dhe me gjithë përpjekjet e konsiderueshme që ka bërë trupi gjykues për të planifikuar mbajtjen e seancave një herë në dy ditë, procesi duket se është shumë larg finalizimit dhe shumica e seancave nuk janë zhvilluar.
Më tej ambasadori Wollfarth thekson se vonesat e vazhdueshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse e cënojnë besimin aq shumë të nevojshëm tek sistemi i drejtësisë dhe më gjerësisht tek shteti i së drejtës në Shqipëri, sidomos në këtë çështje kaq delikate.
“Unë u bëj thirrje urgjentisht të gjitha autoriteteve përkatëse të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme, brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje brenda një periudhe të arsyeshme kohore" theksoi Wollfarth.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›