E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Qerimi, me “Big Band-in” në koncert

Autori i Lajmit: Redaksia
Fatos Qerimi, një ndër muzikantët më të mirënjohur shqiptar, anëtarë i dinastisë së famshme Qerimi, do të jetë drejtuesi i festivalit të përvitshëm “Tirana Music Festival”. Ky festival do të hapet pas pak ditësh dhe do të jetë në fillim me një koncert të orkestrës frymore “Big Band” të Akademisë së Arteve të Tiranën nën dirigjimin e klarinetistit Qerimit. Evenimenti do të shoqërohet dhe me pjesëmarrjen e klarinetistit të njohur italian Piero Vincenti. E veçanta do të jetë se në dy data të këtij festivali do të jenë pjesëmarrës dhe vetë studentë të Akademisë në sallën “Zadeja” të Akademisë së Arteve. Festivali është vendosur të jetë nga 22 deri më 29 prill dhe do të ketë pjesëmarrjen e muzikantëve nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova. Gjatë ditëve të tij janë planifikuar plot shtatë koncerte në Akademinë e Arteve kurse koncerti përmbyllës është planifikuar të jetë në Teatrin Kombëtar ku do të interpretoj orkestra e Cameratës së Tiranës nën dirigjentin e njohur italian Piero Vincenti. Organizatori i saj Fatos Qerimi është një nga instrumentistët më të njohur shqiptarë dhe përfaqësuesi i një dinastie shumë interesante muzikantësh. “Tirana Music Festival” është cilësuar si një prej aktiviteteve më të rëndësishme të muzikës klasike në vendin tonë, edhe këtë vit ky edicion premton të sjellë muzikë nga emra të njohur kompozitorësh. Ky festival në vendin tonë zhvillohet nga Akademia Muzikore e Umbrias në bashkëpunim me Akademinë e Arteve dhe Institutin Italian të Kulturës. Një ndër objektivat kryesore të “Tirana Music Festival” është që të ndihmojë të rinjtë. E njëjta gjë dhe për akademinë “Açademia Musicale Internazionale”, e cila ka mbi 20 vjet që ka lindur në Itali. “Tirana Music Festival”, edicioni i pestë i këtij eventi do të startojë në 22 prill, ndërsa muzikantë dhe talente të reja po përgatiten për koncertet dhe masterklaset që organizon ky event. Nga Instituti Italian i Kulturës mësojmë se edicioni i pestë i “Tirana Music Festival” do të sjellë tetë ditë mbushur me koncerte e masterklas perfeksionimi për muzikantët e rinj shqiptarë të cilët mund të zhvillojnë talentin e tyre nën drejtimin e mjeshtrave të shquar italianë. Festivali u ideua nga Piero Vincenti, klarinetist me famë botërore, docent, themelues e President aktual i “Açademia Musicale Internazionale” dhe nga Marsida Koni, lindur në Shqipëri dhe aktualisht banuese në Itali ku, krahas koncerteve anembanë botës, zhvillon dhe aktivitet didaktik. Academia Musicale Internazionale është një shkollë e perfeksionimit të lartë muzikor me qendër në Perugia, e hapur për muzikantët e ardhur nga çdo cep i globit të cilët mund të ndjekin kurse 1 – 3 vjeçare dhe të perfeksionojnë përgatitjen e tyre në kurse verore organizuar në Asizi në kuadër të manifestimit “Umbria Estate”. Të bindur se muzika nuk ka kufij, Piero Vincenti e Marsida Koni ideuan në vitin 2006 festivalin “Tirana Music Festival”, me qëllim konsolidimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë (Academia Musicale Internazionale ka ftuar në Itali orkestrën e parë shqiptare në vitin 1994) dhe promovimin e imazhit të një Shqipërie turistike jashtë kufijve kombëtar. Për realizimin e këtyre synimeve, Academia Musicale Internazionale, promovuese e aktivitetit, gëzon mbështetjen e Akademisë së Arteve në Tiranë dhe patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, Ambasadës së Italisë, Institutit Italian të Kulturës, Ministrisë shqiptare të Kulturës, Teatrit të Operës dhe Baletit, Bashkisë së Tiranës dhe Durrësit dhe enteve të tjera si Regione Umbria, Provincia e Comune di Perugia, Endas, Promadria si dhe bashkëpunimin me Kompaninë ajrore Belle Air, Artex, Gradidea Office e Hotel City. “Tirana Music Festival” ndahet në një pjesë mësimore për artistët e rinj dhe një sërë koncertesh të ideuara për të kënaqur qytetarët e Tiranës dhe të huajt e shumtë. Pjesa kushtuar artistëve të rinj përbëhet nga masterklas të perfeksionimit të lartë të hapura gratis për muzikantët e rinj shqipëtar, maqedonas, kosovarë e malazezë; me pagesë frekuentimi për muzikantët italianë apo të ardhur nga vende të tjera të botës, të cilët dëshirojnë të perfeksionohen me mjeshtra të mëdhenj e të shkëmbejnë eksperienca të reja muzikore; katër edicionet e para kanë shënuar pjesëmarrjen e mbi 600 studentëve. Masterklaset zhvillohen nga 22 deri në 29 prill pranë Akademisë së Arteve në Tiranë: në piano nën drejtimin e Michele Rossetti-t, në kitarë me Giorgio Albiani-n dhe në klarinetë e muzikë dhome me Piero Vincenti-n. Gjatë mbrëmjeve të 25 e 27 prillit studentët do të kenë mundësinë ti tregojnë publikut atë çkanë mësuar gjatë kurseve duke dhënë dy koncerte që nisin në ora 19.00, pranë sallës Zadeja të Akademisë së Arteve në Tiranë. Meqenëse një nga qëllimet e “Tirana Music Festival” është ti japë muzikantëve të rinj shqiptar mundësinë për tu vlerësuar edhe jashtë Shqipërisë, gjatë mbrëmjeve të 25 e 27 prillit do të komunikohen edhe emrat e fituesve të bursave të studimit pranë Academia Musicale Internazionale gjatë vitit 2011, me një vlerë rreth 2.000 Euro secila; gjatë 4 edicioneve të para janë dhënë rreth 60 bursa studimi. Këto dy mbrëmje bëjnë pjesë në serinë e tetë koncerteve, të programuara, gjithnjë në ora 19.00, pranë teatrit të Akademisë së Arteve të Tiranës nga 22 deri në 28 prill dhe më datë 29 do të jetë mbrëmja e madhe përmbyllëse pranë Teatrit Kombëtar.
Ky lajm është publikuar: 06/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›