E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gerdeci”, avokatët e banorëve, takim me diplomatët e huaj



Laureta Rryçi

Tiranë - Avokatët që mbrojnë interesat e banorëve të Gërdecit do të zhvillojnë sot një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të ambasadave të huaja në vendin tonë, për të diskutuar mbi mundësitë që mbeten për të rihapur edhe njëherë dosjen “Mediu”. Burime zyrtare pranë avokatëve shpjeguan dje për gazetën “Albania” se gjatë tryezës së sotme, që pritet të nisë rreth orës 11:00, fillimisht ata do të prezantojnë strategjinë që do të ndjekin në vazhdim për të rikthyer edhe njëherë procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu. Në takim pritet të jenë edhe përfaqësues të EURALIUS-it dhe sigurisht nuk do të mungojnë edhe banorët që kanë humbur të afërmit gjatë tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008. Familjarët, bashkë me avokatët e tyre, edhe pse kanë një vendim të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në fjalë, sërish nuk dorëzohen për të rikthyer gjykimin e çështjes.
Kërkesat
Për banorët e Gërdecit, çështja kryesore për t’u dhënë drejtësi për tragjedinë mbetet dosja e mbyllur ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu. Ata pohuan dy ditë më parë se nëse Kushtetuesja nuk rikthen dosjen për gjykim, do të fillojnë me protesta dhe vetëgjyqësi për të vënë në vend drejtësinë për të afërmit e humbur. I pandehur për këtë tragjedi ishte dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit, por Gjykata e Lartë pushoi pak ditë më parë çështjen në ngarkim të tij pasi u vesh sërish me imunitet, meqenëse u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kërkojnë që çështja ndaj Mediut të rikthehet për gjykim. Avokatja, përfaqësuesja ligjore e tyre, Blerta Kraja, thotë se ligji ka hapësira për rihapjen e çështjes. Ka gjasa që Prokuroria e Përgjithshme t’i drejtohet sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe vazhdimin e procesit ndaj republikanit Fatmir Mediu.
Vendimi
Tryeza e sotme nuk do të ishte zhvilluar nëse Gjykata e Lartë do të vazhdonte procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes gjatë kohës kur ndodhi dhe tragjedia. Vendimi i dhënë rreth dy javë më parë pati kundërshtitë e veta. Madje edhe brenda Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë u dhanë argumentet juridike se çështja mund të vazhdonte të gjykohej. Pikërisht dy nga gjyqtarët e Kolegjit Penal mësohet se kanë sjellë jo pak argumente të bazuara në kode dhe legjislacione që, sipas tyre, duhej bazuar për të vijuar më tej procesin në fjalë. Gjithsesi, që vendimi të merrte formë të prerë duheshin tri vota dhe gjyqtarët që ishin për të vazhduar procesin ishin në minorancë.

Akuzat

Avokati i Popullit: “Gjykata e Lartë nuk po i zbardh vendimet brenda afatit”

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka vendosur t’i shkruajë kryetares së Gjykatës së Lartë dhe kryeprokurores Ina Rama për ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë. Ndryshe nga raportet e zakonshme, Dobjani kësaj radhe ka ngritur një tjetër problem shqetësues që ka prekur edhe gjykatësit e Gjykatës së Lartë, që cilësohen si gjyqtarët më profesionistë të Gjyqësorit shqiptar. Nëpërmjet një shkrese zyrtare Dobjani e ka vënë në dijeni kryetaren Shpresa Beçaj se arsyetimi dhe zbardhja e vendimit të gjykatës nuk është realizuar brenda afatit maksimal prej 30 ditësh, bile edhe pse kishte kaluar 5 muaj nga shpallja e vendimit, nuk ishte zbardhur mendimi i pakicës për atë vendim.
Dobjani fillimisht ka marrë në shqyrtim një rast konkret se si një i dënuar ka qëndruar për pesë muaj në burg për shkak se nuk është zbardhur në kohë vendimi mbi dosjen e tij. “Rasti që analizojmë për ish-të dënuarin Petrit Deliu është më flagranti, kjo për faktin se nga data e shpalljes së vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe deri në lirimin e tij kanë kaluar 5 (pesë) muaj, çka do të thotë se duke qëndruar në burg për një kohë të gjatë atij i është privuar padrejtësisht liria, duke i u cenuar një e drejtë kushtetuese që parashikohet në nenin 27 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Nga ana tjetër, Dobjani, në respekt të të drejtave dhe lirive të shtetasve nuk duhet të mungojë dhe përpjekja e prokurorit që merr pjesë në gjykim, i cili jo vetëm që duhet të vërë në dijeni shefin e Sektorit të Ekzekutimeve Penale në Prokurorinë e Përgjithshme, por dhe të insistojë pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për arsyetimin dhe zbardhjen e vendimit sa më shpejt. Më tej, në rekomandimin e tij, Dobjani ka sqaruar se është e vërtetë që në nenin 19 të Ligjit organik të Gjykatës së Lartë, caktohet afati maksimal 30 ditor për arsyetimin e vendimit. Por edhe mosrespektimi i këtij afati për zbardhjen e vendimit të pushimit të çështjes në rastin konkret, ka krijuar premisa për shkeljen e të drejtave të njeriut me pasojë mbajtjen padrejtësisht në burg e për rrjedhojë privimin e paligjshëm të lirisë së personit. Rasti që merr në shqyrtim në Dobjani duket se nuk ka qenë i vetmi prandaj dhe është përpiluar rekomandimi zyrtar. Sipas tij ky është rast i përsëritur, sepse para disa muajsh ka ndodhur e njëjta praktikë edhe për të dënuarin Xhavit Hoxha. Avokatit i Popullit ka sugjeruar se Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në zbatim të ligjit, jo vetëm që duhet të unifikojnë qëndrimin për këto raste, por edhe të marrin masa për organizimin sa më të efikas të punës për arsyetimin dhe zbardhjen sa më shpejt të vendimeve penale, me qëllim që të mos privohet, për zvarritje burokratike, liria e shtetasve. Kurse prokurori që merr pjesë në gjykim ka detyrimin që për çdo rast të kësaj natyre të insistojë jo vetëm pranë strukturave të Prokurorisë së Përgjithshme, por dhe pranë Gjykatës së Lartë, me qëllim përshpejtimin e procedurave për të realizuar menjëherë të drejtat e të dënuarit pas shpalljes së vendimit të marrë nga gjykata, në rastet kur fiton lirinë. Së fundmi, Dobjani ka kërkuar ekzekutimin e vendimeve penale ndaj personave që duhet të lirohen nga burgu, menjëherë pas shpalljes së vendimeve nga Kolegjet e Gjykatës së Lartë. Prokurorët që paraqisnin çështje të kësaj natyre në Gjykatën e Lartë duhet të luajnë rol aktiv, që të parandalohet mbajtja pa të drejtë në burg e personave, të cilët duhet të lirohen menjëherë nga burgu, pas vendimeve të Gjykatës së Lartë.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›