Shoferi turk përplaset me betonin, plagos miqtë e vetë
Pakujdesia e një shtetasi turk në mes të Tiranës, për pak sa nuk kushtoi jetën e katër njerëzve dje në rrugën “Vasil Shanto”. Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin turk Enis Yayla 30 vjeç, pasi automjeti që ai drejtonte u përplas me një bllok betoni e më pas doli nga rruga duke shkaktuar plagosjen e 4 personave. Policia bën të ditur se Enis Yayla u vu në pranga në orët e para të ditës së djeshme, pasi mbrëmjen e së mërkurës, në rrugën “Myslym Shyri’’, në afërsi të degëzimit të tregut Çam, duke drejtuar automjetin tip BMW, me targa TR 9500 P, ka devijuar rrugën nga një bllok betoni, e më pas është përplasur me një pemë. Si pasojë janë aksidentuar pasagjerët e mjetit shtetasit: Elisa Mjekra, 25 - vjec, Olta Mjekra, 21 - vjeç, si dhe shtetasit Grek Janis Karathanasis, 27 - vjeç dhe Dhionis Marinos, 37 - vjeç, lindur dhe banues në Greqi, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Të gjithë të aksidentuarit aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 30 vjecari turk Enis Yayla akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur. Aksidenti i djeshëm në rrugën “Myslym Shyri” ka ngjallur shumë panik tek kalimtarët dhe te disa biznese përreth. Shpejtësia e mjetit që po e ngiste shoferi i dehur turk ishte shumë e madhe dhe nëse nuk do të kishte kryer kontaktin e përplasjes me një pemë anës rrugës atëherë mund të kishte marrë drejtimin drejt kalimtarëve apo dyqaneve duke rrezikuar seriozisht jetët e njerëzve. Por ndonëse me shpejtësi të madhe përplasja nuk ka shkaktuar asnjë viktimë, madje fillimisht të gjithë dëshmitarët e këtij aksidenti pasi panë skenën e përplasjes kanë menduar se ajo do të ishte tragjike për personat që gjendeshin në makinë, por fatmirësisht, shpejtësia e “çmendur” e shoferit turk i solli dëme vetëm makinës.
I gjenden granata e ndezësa në banesë, arrestohet në flagrancë 70-vjeçari
Fushë Krujë – Forcat e policisë së Fushë-Krujës kanë bërë arrestimin në flagrancë të 70-vjeçarit Haxhi Qerimi, lindur e banues në këtë qytet. Sipas të dhënave policore, arrestimi i tij u bë për arsye se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një granatë ofensive pa ndezëse, një granatë difensive me ndezës si dhe një ndezës i unifikuar granate. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Krujës për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal.
Nuk i shlyen borxhin, hakmerret ndaj babait duke ia përplasur me makinë
Shkodër - Një borxh i pashlyer për pak i ka kushtuar jetën babait të borxhliut i cili është goditur me makinë nga huadhënësi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër kur Arben Delia, 42- vjeç,në bashkëpunim me 42-vjeçarin Rinard Tata, në vendin e quajtur “Tregu i Zdrales”, kanë përplasur me dashje, me automjetin e tyre Tip-Fiat Punto, me targa të huaja, 54-vjeçarin G. Alibali, duke i shkaktuar dëmtime serioze në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit. Sipas policisë e cila nisi menjëherë hetimet për ngjarjen e cila u sqarua qysh në fillim se nuk ishte një aksident i rastit, Delia ka dashur të hakmerret për një borxh që djali i të dëmtuarit nuk ia kishte shlyer atij. Sipas policisë djali i të dëmtuarit i kishte 42-vjeçarit Arben Delias një borxh prej 50.000 lekësh. G. Alibali ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Shkodër jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi 42-vjeçarin Delia ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij Rinard Tata.
Në burg i dyshuari për vrasjen e transvestitit
TIRANE-Gjykata e Tiranë vendosi të lërë në qeli Sefedin Hoxhën, të akuzuarin për vrasjen e transvestitit të njohur me emrin "Kristina". 36-vjeçari me origjinë nga Kosova nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, ndryshe nga sa kishte deklaruar në polici. "Jam takuar me 'Kristinën' disa ditë para se të vritej, por nuk jam unë autori", - është shprehur i dyshuari për ekzekutimin me një thikë të transvestitit. Ngjarja ndodhi rreth orës 22.50 të mbrëmjes së të shtunës në zemër të Tiranës, pikërisht në rrugën "Abdi Toptani", tek ish-hotel "Drini" sot "Torre Drin", kur transvestiti që thirrej me emrin "Kristina", identiteti i vërtetë i të cilit është Petrit Lucaj, 38 vjeç, është qëlluar për vdekje me një thikë në fyt. Dy ditë pas ngjarjes u arrestua si i dyshuar Sefedin Hoxha, i cili do të qëndrojë në qeli deri ne përfundim të hetimeve.
25 Shtator 2009